Prayers & Meditations
Albanian ·
Të thuhet një herë në njëzet e katër orë
Cilido që dëshiron ta thotë këtë lutje, të qëndrojë në këmbë e t’i drejtohet Perëndisë dhe, ndërsa qëndron në vendin e vet, të vështrojë nga e djathta e nga e majta, sikur pret mëshirën e Zotit të tij, Mëshirëplotit, Zemërdhembshurit. Pastaj të thotë:
O Ti Që je Zoti i të gjithë emrave dhe Artuesi i qiejve! Të kërkoj përunjësisht, për ata Që janë Agimet e Thelbit Tënd të padukshëm, Më të Lartësuar, Lavdiplotë, ta bësh lutjen time një zjarr që do t’i djegë perdet që më kanë zënë pamjen e bukurisë Sate, dhe një dritë që do të më udhëheqë drejt oqeanit të pranisë Sate.
- Pastaj, në lutje të përunjur, të ngrejë duart ndaj Perëndisë - bekuar e lartësuar qoftë Ai - dhe të thotë:
O Ti Dëshira e botës dhe i Shumëdashuri i kombeve! Ti më sheh sesi e kthej fytyrën ndaj Teje, i shkëputur nga çdo lidhje me cilindo qoftë veç Teje, dhe mbahem pas fillit Tënd, lëvizja e të cilit ka tronditur gjithë krijimin. Unë jam shërbëtori Yt, O Zoti im, dhe bir i shërbëtorit Tënd. Shihmë, jam i gatshëm të përmbush vullnetin Tënd e dëshirën Tënde, pa dëshiruar asgjë tjetër veç pëlqimit Tënd. Të përgjërohem, për Oqeanin e mëshirës Sate dhe për Yllin e Ditës të mirësisë Sate, të bësh me shërbëtorin Tënd si të duash e si të të pëlqejë Ty. Për fuqinë Tënde, që qëndron shumë më lart se çdo fjalë e lavdërim! Çdo gjë që të revelosh Ti është dëshira e zemrës sime dhe e shumëdashura e shpirtit tim. O Perëndi, Perëndia im! Mos u vër veshin shpresave të mia e bëmave të mia, por shih, përkundrazi, vullnetin Tënd, që ka përfshirë qiejt e tokën. Për Emrin Tënd Më të Madh, O Ti Zoti i të gjitha kombeve! Unë kam dëshiruar vetëm atë që Ti dëshiron dhe kam dashur vetëm atë që Ti do.
- Pastaj të bjerë në gjunjë dhe duke e ulur ballin në tokë të thotë:
Lëvduar je Ti tej përshkrimit të cilitdo qoftë, veç Vetes Sate, dhe kuptimit të çdo gjëje tjetër, veç Teje.
- Pastaj të ngrihet e të thotë:
Bëje lutjen time, O Zoti im, burim ujërash jetëdhënëse, falë të cilave unë të mund të jetoj aq sa zgjat sovraniteti yt dhe të të përmend Ty në çdo botë të botëve të Tua.
- T’i ngrejë përsëri duart në lutje dhe të thotë:
O Ti, në ndarje nga i Cili zemrat e shpirtrat janë shkrirë dhe që me zjarrin e dashurisë Sate ke ndezur flakë tërë botën. Të përgjërohem për Emrin Tënd, përmes të cilit ke nënshtruar gjithë krijimin, të mos më mohosh atë që është në Ty, O Ti Që sundon mbi të gjithë njerëzit. Ti e sheh, O Zoti im, këtë të huaj që nxiton për në shtëpinë e tij më të lëvduar nën tendën e madhërisë Sate e brenda vathës së mëshirës Sate; dhe këtë mëkatar që kërkon oqeanin e ndjesës Sate; dhe këtë të përvuajtur që kërkon oborrin e Lavdisë Sate; dhe këtë krijesë të varfër që kërkon margaritarin e pasurisë Sate. Ty të përket pushteti për të urdhëruar çdo gjë që dëshiron. Dëshmoj se Ti duhet të lavdërohesh në bëmat e Tua, porosive të Tua u duhet bindur, dhe Ti mbetesh i padetyruar në urdhrat që jep.
- Pastaj të ngrejë duart dhe të përsërisë tri herë Emrin Më të Madh. Pastaj të përkulet me duart mbi gjunjë para Perëndisë - bekuar e lëvduar qoftë Ai - dhe të thotë:
Ti e sheh, O Perëndia im, sesi shpirti më është gjallëruar në gjymtyrët e organet e mia nga dëshira e zjarrtë që të të adhurojë Ty dhe nga etja që të të kujtojë e lartësojë Ty; sesi ai dëshmon për atë që Gjuha e Urdhrit Tënd ka dëshmuar në mbretërinë e fjalës Sate dhe në qiellin e dijes Sate. Më pëlqen, në këtë gjendje, O Zoti im, të të lyp çdo gjë që është në Ty, për të treguar varfërinë time dhe për të lartësuar bujarinë Tënde e pasuritë e Tua, për të shpallur pafuqinë time e për të shfaqur pushtetin Tënd e fuqinë Tënde.
- Pastaj të çohet e t’i ngrejë dy herë duart në lutje dhe të thotë:
Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëfuqishmit, Bujariplotit. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Urdhëruesit, si në fillim dhe në mbarim. O Perëndi, Perëndia im! Ndjesa Jote më ka dhënë zemër, dhe mëshira Jote më ka forcuar, dhe thirrja Jote më ka zgjuar, dhe dashamirësia Jote më ka ngritur e më ka sjellë tek Ti. Ndryshe, cili jam unë që të guxoj të qëndroj në portat e qytetit të afrisë Sate, ose ta kthej fytyrën nga dritat që shkëlqejnë prej qiellit të vullnetit Tënd? Ti e sheh O Zoti im, këtë krijesë të mjerë që troket në derën e dashamirësisë Sate, dhe këtë shpirt jetëshkurtër që kërkon lumin e jetës së pasosur nga duart e bujarisë Sate. Jotja është në çdo kohë komanda, O Ti Që je Zoti i të gjithë emrave; dhe imja është bindja e dëshira për t’iu nënshtruar vullnetit Tënd, O Krijues i qiejve.
- Pastaj të ngrejë tri herë duart e të thotë:
Perëndia është më i madh se çdo i madh!
- Pastaj të bjerë në gjunjë dhe, duke e ulur ballin në tokë, të thotë:
Ti je tepër lart që lëvdimi i atyre që ndodhen pranë Teje të mund të ngjitet në qiellin e afrisë Sate, ose që zogjtë e zemrave të atyre që të janë përkushtuar Ty të arrijnë pragun e portës Sate. Unë dëshmoj se Ti je shenjtëruar mbi të gjitha atributet dhe je i shenjtë mbi të gjithë emrat. Nuk ka Perëndi veç Teje, të Shumëlartësuarit, Lavdiplotit.
Pastaj të ulet e të thotë: Unë dëshmoj për atë që kanë dëshmuar të gjitha krijesat, dhe Tubimi qiellor, dhe banorët e Parajsës më të lartë, dhe veç tyre për atë që vetë Gjuha e Madhështisë dëshmon nga Horizonti lavdiplotë, se Ti je Perëndia, se nuk ka Perëndi veç Teje, dhe se Ai Që u shfaq është Misteri i Fshehur, Simboli i Ruajtur, përmes të Cilit shkronjat T dhe B (Të bëhet) u lidhën e u bashkuan. Unë dëshmoj se është Ai, emri i të Cilit është shkruar nga Penda e Më të Lartit dhe Që është përmendur në Librat e Perëndisë, Zotit të Fronit atje lart dhe të tokës këtu poshtë.
- Pastaj të ngrihet në këmbë dhe të thotë:
O Zot i të gjitha qenieve dhe Zotërues i të gjitha gjërave të dukshme e të padukshme! Ti i sheh lotët e mi dhe i dëgjon psherëtimat që nxjerr, rënkimet e mia, vajtimin tim dhe ankesat e zemrës sime. Për fuqinë Tënde! Fajet që kam bërë më kanë penguar të afrohem pranë Teje; dhe mëkatet e mia më kanë mbajtur larg oborrit të shenjtërisë Sate. Dashuria Jote, O Zoti im, më ka pasuruar dhe ndarja prej Teje më ka shkatërruar e largësia nga Ti më ka cfilitur. Të përgjërohem Ty, për gjurmët e Tua në këtë vend të shkretë, dhe për fjalët “Ja ku jam, ja ku jam”, që të Zgjedhurit e Tu kanë shqiptuar në këtë pamatësi, dhe për fërfërimat e Revelacionit Tënd, dhe për flladet e lehta të Agimit të Manifestimit Tënd, të urdhërosh që unë të mund të sodis bukurinë Tënde dhe të vërej çdo gjë që ka në Librin Tënd.
- Pastaj të përsërisë tri herë Emrin Më të Madh dhe të përkulet me duart mbi gjunjë e të thotë:
Lëvduar qofsh Ti, O Perëndia im, që më ke ndihmuar të të kujtoj e të të lëvdoj Ty, dhe që më ke bërë të njohur Atë Që është Agimi i shenjave të Tua, dhe që më ke lejuar të përkulem para Zotërisë Sate, dhe të përunjem para Hyjnisë Sate, dhe të njoh atë që ka folur Gjuha e madhështisë Sate.
- Pastaj të ngrihet e të thotë:
O Perëndi, Perëndia im! Shpina më është kërrusur nga pesha e mëkateve të mia dhe shkujdesja ime më ka shkatërruar. Sa herë peshoj bëmat e mia të liga dhe dashamirësinë Tënde, zemra ime shkrin brenda meje dhe gjaku më vlon në vena. Për Bukurinë Tënde, O Ti Dëshira e botës! Më skuqet faqja ta ngre fytyrën ndaj Teje dhe duarve të mia që përgjërohen u vjen turp të zgjaten ndaj qiellit të zemërgjerësisë Sate. Ti e sheh, O Perëndia im, sesi lotët nuk më lënë të të kujtoj Ty dhe të lëvdoj virtytet e Tua, O Ti Zoti i Fronit atje lart dhe i tokës këtu poshtë! Të lutem, për shenjat e Mbretërisë Sate dhe për misteret e Sundimit Tënd, të bësh me të dashurit e Tu siç i përshtatet Bujarisë Sate, O Zoti i të gjitha qenieve, dhe siç i ka hije mirësisë Sate, O Mbret i së dukshmes e i së padukshmes!
- Të përsërisë pastaj tri herë Emrin Më të Madh dhe të bjerë në gjunjë, me ballin të ulur në tokë, e të thotë:
Lëvduar qofsh Ti, O Perëndia ynë, që na ke dërguar atë që na afron pranë Teje dhe që na jep çdo gjë të mirë që Ti na ke sjellë me anë të Librave të Tu e të Shkrimeve të Tua. Mbrona, Të lutemi, O Zoti im, nga barra e fantazive boshe dhe e imagjinatave të kota. Ti je, me të vërtetë, i Fuqishmi, i Gjithëdijshmi.
- Pastaj ta ngrejë kokën, të ulet dhe të thotë:
Unë dëshmoj, O Perëndia im, për atë që kanë dëshmuar të Zgjedhurit e Tu dhe njoh atë që kanë njohur banorët e Parajsës më të lartë dhe ata që janë mbledhur rreth Fronit Tënd të fuqishëm. Mbretëritë e tokës e të qiellit janë të Tuat, O Zot i botëve!
- Agjërimi bie gjatë muajit ‘Alá’ (Lartësi) nga 2 marsi deri në 20 mars inkluzivisht. Gjatë këtyre ditëve asnjë ushqim ose pije nuk duhet përdorur që nga agimi deri në perëndim të diellit. Kjo është kohë lutjesh dhe përtëritjeje shpirtërore. Ata që janë nën pesëmbëdhjetë vjeç, udhëtarët, të sëmurët dhe të drobiturit, gratë shtatzëna dhe nënat me fëmijë gjiri përjashtohen nga Agjërimi.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Shenjën Tënde të fuqishme dhe për revelimin e hirit Tënd midis njerëzve, të mos më flakësh tutje nga porta e qytetit të pranisë Sate dhe mos i zhgënjesh shpresat që kam mbështetur në manifestimin e hirit Tënd midis krijesave të Tua. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Zërin Tënd më të ëmbël dhe për Fjalën Tënde më të lartësuar, të më afrosh gjithnjë e më pranë pragut të portës Sate dhe të mos lejosh që unë të mërgohem larg hijes së mëshirës Sate dhe tendës së bujarisë Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për shkëlqimin e ballit Tënd të shndritshëm dhe për vezullimin e dritës së fytyrës Sate, që ndrit nga horizonti më i lartë, të më tërheqësh me aromën e veshjes Sate dhe të më bësh të pi nga vera e zgjedhur e fjalës Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për flokët e Tu që lëvizin mbi fytyrën Tënde, ashtu si penda Jote më e lartësuar lëviz mbi faqet e Tabelave të Tua, duke shpërndarë aromën e myshkut të kuptimeve të fshehta mbi mbretërinë e krijimit Tënd, të më ngresh për t’i shërbyer Kauzës Sate në mënyrë të tillë që unë të mos zmbrapsem dhe as të mos më pengojnë pëshpëritjet e atyre që kanë nxjerrë yçkla për shenjat e Tua dhe i kanë kthyer shpinën fytyrës Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Emrin Tënd që Ti e ke bërë Mbretin e Emrave, pas të cilit janë magjepsur të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë, të më bësh të aftë të sodis Yllin e Ditës të Bukurisë Sate dhe të më japësh verën e fjalës Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Tempullin e madhështisë Sate mbi majat më të lartësuara dhe për Tendën e Revelacionit Tënd mbi kodrat më të larta, të më ndihmosh me dashamirësi të bëj atë që vullneti Yt ka dëshiruar dhe që qëllimi Yt ka shfaqur. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Bukurinë Tënde që shkëlqen mbi horizontin e përjetësisë, një Bukuri para së cilës, sapo ajo revelon vetveten, mbretëria e bukurisë përulet me adhurim, duke e madhëruar atë me melodi kumbuese, të bësh që unë të vdes për gjithçka që zotëroj dhe të jetoj për gjithçka që të përket Ty. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Manifestimin e Emrit Tënd, të Shumëdashurit, përmes të Cilit zemrat e atyre që të duan Ty janë djegur dhe shpirtrat e të gjithë atyre kanë fluturuar lart, të më ndihmosh të të kujtoj Ty midis krijesave të Tua dhe të të lartësoj Ty midis njerëzve të Tu. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për fëshfërimën e Pemës Hyjnore të Lotosit dhe mërmërimën e flladeve të fjalës Sate në mbretërinë e Emrave të Tu, të më largosh nga çdo gjë që vullneti Yt e neverit dhe të më afrosh pranë pozitës në të cilën Ai Që është Agimi i shenjave të Tua ka ndritur. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për atë Shkronjë, e cila sapo doli nga goja e vullnetit Tënd, i bëri oqeanet të dallgëzohen, erërat të fryjnë, frutat të dalin, pemët të çelin sythe, të gjitha gjurmët e së kaluarës të zhduken, të gjitha perdet të grisen dhe ata që të janë besnikë Ty të nxitojnë drejt dritës së fytyrës së Zotit të tyre, të Padetyruarit, të më bësh të ditur atë që qëndron e mbuluar në thesaret e dijes Sate dhe e fshehur në koleksionet e Urtisë Sate. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për zjarrin e dashurisë Sate, i cili e largoi gjumin nga sytë e të zgjedhurve të Tu e të të dashurve të Tu, dhe për përkujtimin e lëvdimin e tyre për Ty në orën e agimit, të më numërosh mua ndër ata që kanë arritur atë që Ti ke dërguar me librin Tënd dhe ke manifestuar përmes vullnetit Tënd. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për dritën e fytyrës Sate, që i detyron ata që janë pranë Teje të presin shigjetat e urdhrit Tënd dhe ata që të janë besnikë Ty t’u bëjnë ballë shpatave të armiqve të Tu në shtegun Tënd, të shkruash për mua me Pendën Tënde më të lartësuar atë që Ti ke shkruar për të besuarit e Tu e për të zgjedhurit e Tu. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
Të përgjërohem Ty, O Perëndia im, për Emrin Tënd, përmes të cilit Ti ke dëgjuar thirrjen e atyre që të duan Ty dhe psherëtimat e atyre që kanë mall për Ty, dhe për vajin e atyre që gëzojnë afrinë Tënde e për rënkimin e atyre që të janë besnikë Ty, me anë të të cilit Ti ke përmbushur dëshirat e atyre që i kanë mbështetur shpresat tek Ti dhe ua ke plotësuar kërkesat, përmes hirit Tënd e favoreve të Tua, dhe për Emrin Tënd përmes të cilit oqeani i ndjesës është dallgëzuar para fytyrës Sate dhe retë e bujarisë Sate kanë reshur mbi shërbëtorët e Tu, të shkruash për këdo që është kthyer ndaj Teje dhe ka zbatuar agjërimin që Ti ke urdhëruar, shpërblimin e dekretuar për ata që nuk flasin veçse me lejën Tënde dhe që kanë braktisur të gjitha ato që zotëronin në shtegun Tënd e për dashurinë për Ty.
Të përgjërohem Ty, O Zoti im, për Veten Tënde, dhe për shenjat e Tua e provat Tuaja të qarta, dhe për dritën e shkëlqyeshme të Yllit të Ditës të Bukurisë Sate, dhe për Degët e Tua, t’i fshish shkeljet e atyre që janë mbajtur fort pas ligjeve të Tua dhe kanë zbatuar atë që Ti u ke urdhëruar atyre në Librin Tënd. Ti më sheh, O Perëndia im, tek mbahem pas Emrit Tënd, Më të Shenjtit, Më të Ndritshmit, Më të Fuqishmit, Më të Madhit, Më të Lartësuarit, Më të Lavdishmit, dhe tek kapem pas cepit të rrobës, pas së cilës janë kapur të gjithë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
- Kjo Tabelë lexohet në Mauzoletë e Bahá’u’lláh-ut dhe të Báb-it. Ajo, gjithashtu, përdoret shpesh në përkujtimin e përvjetorëve të Tyre.
Lavdërimi që ka aguar nga Vetja Jote më auguste dhe lavdia që ka shkëlqyer nga Bukuria Jote më e shndritshme, qofshin mbi Ty, O Ti që je Manifestimi i Madhështisë dhe Mbreti i Përjetësisë, dhe Zoti i të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë! Unë dëshmoj se nëpërmjet Teje sovraniteti i Perëndisë dhe sundimi i tij, dhe madhështia e Perëndisë dhe madhëria e Tij, janë reveluar, dhe Yjet e Ditës të shkëlqimit të lashtë kanë hedhur ndriçimin mbi qiellin e vendimit Tënd të parevokueshëm, dhe Bukuria e të Padukshmit ka shkëlqyer mbi horizontin e krijimit. Unë dëshmoj, për më tepër, se vetëm me një lëvizje të Pendës Sate, urdhëri Yt ‘Të bëhet’ u imponua dhe Sekreti i fshehur i Perëndisë u shpall dhe të gjitha gjërat e krijuara u sollën në qenie, dhe të gjitha Revelacionet u dërguan.
Unë dëshmoj, për më tepër, se nëpërmjet Bukurisë Sate bukuria e të Adhuruarit është zbuluar, dhe nëpërmjet fytyrës Sate fytyra e të Dëshiruarit ka shkëlqyer, dhe nëpërmjet një fjale Tënden Ti ke vendosur midis të gjitha gjërave të krijuara, duke bërë që besnikët e Tu të ngjiten në majat e lavdisë dhe të pabesët të bien në humnerën më të thellë.
Unë dëshmoj se ai që të ka njohur Ty ka njohur Perëndinë, dhe ai që ka arritur praninë Tënde ka arritur praninë e Perëndisë. I madh është, pra, bekimi i atij që ka besuar tek Ti dhe te Shenjat e Tua, dhe e ka përunjur veten përpara sovranitetit Tënd, dhe është nderuar duke të takuar Ty, dhe ka arritur pëlqimin e vullnetit Tënd, dhe ka ardhur pranë Teje e ka qëndruar para fronit Tënd. Mjer ai që është fajtor ndaj Teje, dhe të ka mohuar Ty, dhe ka refuzuar shenjat e Tua, dhe i është kundërvënë sovranitetit Tënd, dhe është ngritur kundër Teje, dhe është bërë kryelartë para fytyrës Sate, dhe ka kundërshtuar dëshmitë e Tua, dhe është larguar nga sundimi Yt e nga zotërimi Yt, dhe është radhitur me të pabesët, emrat e të cilëve janë shënuar në Tabelat e Shenjta nga gishtat e urdhëruar prej Teje.
Çoji, pra, drejt meje, O Perëndia im e i Shumëdashuri im, frymëmarrjet e shenjta të favoreve të tua prej dorës së djathtë të mëshirës Sate e të dashamirësisë Sate, që ato të më largojnë nga vetvetja e nga bota dhe të më çojnë në oborret e afrisë Sate e të pranisë Sate. Ti e ke në dorë të bësh ç’të duash. Ti, me të vërtetë, ke qenë më i larti mbi të gjitha gjërat.
Kujtimi i Perëndisë e lavdërimi i Tij, dhe Lavdia e Perëndisë e shkëlqimi i Tij, qofshin mbi Ty, O Ti që je Bukuria e Tij! Unë dëshmoj se syri i krijimit nuk ka parë kurrë një të munduar si Ti. Ti u zhyte gjatë të gjitha ditëve të jetës Sate në oqeanin e fatkeqësive. Dikur Ti ishe në zinxhirë e pranga; një herë tjetër u kërcënove nga shpata e armiqve të Tu. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, Ti i këshillove të gjithë njerëzit të zbatojnë ato që qenë caktuar për Ty nga Ai që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
Shpirti im u bëftë fli për të këqijat që ke vuajtur Ti, dhe shpirti im qoftë haraç për fatkeqësitë që Ti ke pësuar. I përgjërohem Perëndisë, për Ty dhe për ata, fytyrat e të cilëve janë ndriçuar nga shkëlqimet e dritës së fytyrës Sate dhe që, për hir të dashurisë për Ty, kanë zbatuar gjithçka që u ishte urdhëruar, t’i largojë perdet që janë vendosur midis Teje e krijesave të Tua, dhe të më japë mirësitë e kësaj bote e të botës që do të vijë. Ti je, me të vërtetë, Fuqiploti, Më i Lavdëruari, Lavdiploti, Gjithmonëfalësi, Më i dhembshuri.
Bekoje, O Zot Perëndia im, Pemën Hyjnore të Lotosit dhe gjethet e saj dhe degëzat e saj, dhe degët e saj, dhe trungun e saj, dhe filizat e saj, për aq kohë sa do të jetojnë titujt e Tu më të shkëlqyer dhe do të jenë atributet e Tua më madhështore. Mbroje, pra, atë nga ligësitë e agresorit dhe nga hordhitë e tiranisë. Ti je, me të vërtetë, Fuqiploti, Më i Pushtetshmi. Bekoji, gjithashtu, O Zot Perëndia im, shërbëtorët dhe shërbëtoret e Tua, që kanë arritur tek Ti. Ti je, me të vërtetë, Bujariploti, hiri i të Cilit është i pafund. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Gjithmonëfalësit, Më Bujarit.
Lëvduar qoftë Emri Yt, O Zot, Perëndia im! Ti e sheh sesi vështrimi im është përqendruar në favoret e Tua plot përkujdesje dhe si i kam ngulur sytë te horizonti i hirit Tënd, sesi duart e mia janë shtrirë drejt qiellit të dhuratave të Tua. Ti më je dëshmitar! Çdo gjymtyrë e trupit tim të thërret Ty dhe thotë: “O Ti që je i Shumëdashuri i botëve dhe Zoti i gjithçkaje në qiell e mbi tokë, e vetmja Dëshirë e zemrave që të janë përkushtuar Ty! Unë të lutem, për Oqeanin Tënd, ku Ti ke thirrur të gjithë banorët e qiellit dhe të gjithë ata që jetojnë mbi tokë, t’i ndihmosh shërbëtorët e Tu të cilëve nuk u është lejuar të shkojnë atje dhe t’u aviten brigjeve të Tij. Bëji, pra, ata, O Perëndia im, të shkëputen nga gjithçka tjetër veç Teje, dhe jepu mundësinë të të thurin lavde Ty e të ngrenë lart virtytet e Tua. Jepu atyre, veç kësaj, O Perëndia im, Verën e zgjedhur të mëshirës Sate, që t’i bëjë ata të harrojnë cilindo qoftë veç Teje, të ngrihen e t’i shërbejnë Kauzës Sate dhe të jenë të patundur në dashurinë e tyre për Ty. Ti je, me të vërtetë, Zoti i jetëve të tyre dhe Objekti i adhurimit të tyre. Në qoftë se ata largohen prej Teje, kush do të kujdeset për ta; dhe në qoftë se ata mërgohen larg Teje, kush do të mund t’i ndihmonte t’i aviteshin Pranisë Sate? Unë betohem për fuqinë Tënde! Asnjë skutë ku të futin kokën nuk ka veç Teje, dhe asnjë strehë nuk gjendet veç strehës Sate, dhe asnjë mbrojtje veç mbrojtjes Sate. Mjer ai që ka marrë si Zot cilindo qoftë veç Teje, dhe lum ata që kanë flakur çdo lidhje me të gjithë banorët e tokës Sate e janë kapur pas cepit të bujarisë Sate. Këta! njerëzit e Bahá-it, para të gjithë atyre që ndodhen në qiell e mbi tokë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit.”
Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha botëve.
Të thuhet çdo ditë në mëngjes, në mesditë e në mbrëmje
Cilido që dëshiron të thotë këtë lutje, të lajë duart dhe duke u larë të thotë:
Forcoje dorën time, O Perëndia im, që ajo të mund të mbajë Librin Tënd me një qëndrueshmëri të tillë që ushtritë e botës të mos kenë pushtet mbi të. Ruaje, pra, atë që të mos përziehet me asgjë që s’i përket atij. Ti je, me të vërtetë, Fuqiploti, Më i Pushtetshmi.
Dhe duke larë fytyrën, të thotë: E kam kthyer fytyrën ndaj Teje, O Zoti im! Ndriçoje atë me dritën e pamjes Sate. Mbroje, pra, atë që të mos kthehet ndaj askujt veç Teje.
Pastaj të ngrihet dhe, i kthyer ndaj Kiblës (Pikës së Adhurimit, dmth. Bahxhi-së, ‘Akká), të thotë:
Perëndia dëshmon se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij. Të Tijat janë mbretëritë e Revelacionit e të krijimit. Ai, me të vërtetë, ka shfaqur Atë Që është agimi i Revelacionit, Atë që bisedoi në Sinai, Atë përmes të Cilit Horizonti Suprem është ndriçuar dhe Pema e Lotosit, tej së cilës nuk ka kalim, ka folur, Atë me anën e të Cilit të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë u është shpallur: “Ja, Gjithëzotëruesi ka ardhur. Tokë e qiell, lavdi e sundim i përkasin Perëndisë, Zotit të gjithë njerëzve, Zotëruesit të Fronit atje lart e të tokës këtu poshtë!”
Pastaj të përkulet, me duart të mbështetura mbi gjunjë, dhe të thotë:
I lartësuar je Ti mbi lëvdatat e mia e mbi lëvdatat e cilitdo tjetër veç meje, mbi përfytyrimin tim dhe mbi përfytyrimin e të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë!
Pastaj, duke qëndruar në këmbë me duart të hapura, me pëllëmbët lart në drejtim të fytyrës, të thotë:
Mos e zhgënje, O Perëndia im, atë që me gishta lutës kapet pas rrobës së mëshirës Sate e të mirësisë Sate, O Ti Që je Më i Mëshirshmi ndër ata që tregojnë mëshirë!
Pastaj të ulet e të thotë: Unë dëshmoj për unitetin Tënd e për njëshmërinë Tënde, dëshmoj se Ti je Perëndia dhe se nuk ka Perëndi tjetër veç Teje. Ti, me të vërtetë, ke reveluar Kauzën, ke përmbushur Besëlidhjen Tënde dhe ua ke hapur gjerësisht portën e mirësisë Sate të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë. Bekimi e paqja, përshëndetja e lavdia zbritshin mbi të dashurit e Tu, mbi ata që ndryshimet e rastet e botës nuk i kanë penguar ta kthejnë fytyrën ndaj Teje dhe që kanë dhënë gjithçka kishin, me shpresën për të fituar atë që është në Ty. Ti je, me të vërtetë, Gjithmonëfalësi, Bujariploti.
*(Në rast se ndonjëri, në vend të vargut të gjatë, preferon të recitojë këto fjalë: “Perëndia dëshmon se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit”, kjo do të ishte e mjaftueshme. Dhe po kështu, do të ishte e mjaftueshme që ai, ndërsa qëndron ndenjur, të recitonte këto fjalë: “Unë dëshmoj për unitetin Tënd e për njëshmërinë Tënde, dëshmoj se Ti je Perëndia dhe se nuk ka Perëndi tjetër veç Teje.”)
Novruzi, 21 mars, është dita e parë e vitit Bahá’í dhe një ditë gëzimi e mikpritjeje.
Festa e Novruzit duhet të mbahet më 21 mars para perëndimit të diellit dhe nuk ka të bëjë fare me Festën e 19 Ditëve. Festa e 19 Ditëve është administrative për nga funksioni, kurse Novruzi është Viti ynë i Ri, një Festë mikpritjeje dhe gëzimi. - Shoghi Effendi
Lëvduar qofsh Ti, O Perëndia im, që ke caktuar Novruzin si festë për ata që kanë zbatuar agjërimin nga dashuria për Ty dhe janë përmbajtur nga gjithçka që është e urrejtjshme për Ty. Bëj, O Zoti im, që zjarri i dashurisë Sate dhe nxehtësia e shkaktuar nga agjërimi i urdhëruar prej Teje t’i ndezë ata për Kauzën Tënde dhe t’i angazhojë në lavdërimin Tënd e në përmendjen Tënde.
Meqë Ti i ke stolisur ata, O Zoti im, me ornamentin e agjërimit, të porositur prej Teje, stolisi ata edhe me ornamentin e pranimit Tënd, përmes hirit e favorit Tënd bujar. Sepse bëmat e njerëzve varen të gjitha nga pëlqimi Yt dhe kushtëzohen nga kërkesa Jote. Në rast se Ti e konsideron atë që e ka prishur agjërimin si njërin që e ka zbatuar atë, një njeri i tillë do të renditet ndër ata të cilët që nga përjetësia e kanë mbajtur agjërimin.
Dhe në rast se Ti vendos se ai që e ka zbatuar agjërimin e ka prishur atë, ky njeri do të renditet me ata që e kanë njollosur me pluhur Rrobën e Revelacionit Tënd dhe që është larguar nga ujërat e kristalta të këtij Burimi të gjallë.
Ti je Ai, nëpërmjet të Cilit flamuri ku shkruhet “I lëvduar je Ti në veprat e Tua” është ngritur lart dhe flamuri “Ty të binden në urdhrin Tënd” është shpalosur. Bëjua të ditur këtë pozitë Tënden, O Perëndia im, shërbëtorëve të Tu, që ata ta dinë se përsosuria e të gjitha gjërave varet nga urdhëri Yt e nga fjala Jote, se edhe vlera e çdo veprimi kushtëzohet nga leja Jote e nga pëlqimi i vullnetit Tënd, që ata ta kuptojnë se frerët e bëmave të njerëzve janë në dorën e pranimit Tënd e të porosisë Sate. Bëjua të ditur atyre këtë, në mënyrë që asgjë të mos i largojë ata prej Bukurisë Sate në këto ditë kur Krishti thërret: “Çdo zotërim është i Yti, O Ti Lindës i Shpirtit (Jezusi)”; dhe Miku Yt (Muhameti) thërret: “Lavdia qoftë mbi Ty, O Ti Më i Dashuri, për atë që Ti ke zbuluar me Bukurinë Tënde dhe ke shkruar për të zgjedhurit e Tu, duke bërë që ata të arrijnë vendin e Revelacionit të Emrit Tënd Më të Madh, i Cili të gjithë njerëzve u ka munguar, me përjashtim të atyre që e kanë shkëputur veten nga gjithçka veç Teje dhe janë vendosur drejt Atij që është Reveluesi i Vetes Sate dhe Shfaqja e atributeve të Tua”.
Ai që është Dega Jote dhe gjithë shoqëria Jote, O Zoti im, e ka prishur këtë ditë agjërimin e tij, pasi e ka zbatuar atë brenda kufijve të oborrit Tënd në zellin e vet për të të kënaqur Ty. Urdhëro Ti për atë, dhe për ata, dhe për të gjithë njerëzit që kanë hyrë në praninë Tënde në këto ditë të gjitha të mirat që Ti ke destinuar në Librin Tënd. Jepu atyre, pra, gjithçka që do t’u sjellë përfitim, si në këtë jetë dhe në jetën e përtejme.
Ti je, me të vërtetë, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
Ti je Ai, O Perëndia im, përmes emrave të të Cilit të sëmurët shërohen dhe shëndetligjtë rimëkëmben, të eturve u jepet për të pirë dhe plagëlënduarit qetësohen, të pabindurit udhëhiqen dhe të poshtëruarit lartësohen, të varfërit pasurohen dhe të paditurit ndriçohen, të trishtuarit çelen dhe të brengosurit gëzohen, të ngrirët ngrohen dhe të rrëzuarit ngrihen. Përmes emrit Tënd, O Perëndia im, të gjitha gjërat e krijuara u gjallëruan, qiejt u hapën dhe u krijua toka, retë u ngritën dhe derdhën shiun mbi tokë. Kjo, me të vërtetë, është simbol i Hirit Tënd për të gjitha krijesat e Tua.
Unë të lutem, pra, për emrin Tënd, përmes të cilit Ti shfaqe Hyjninë Tënde dhe lartësove Kauzën Tënde mbi tërë krijimin, dhe për secilin prej titujve të Tu aq të shkëlqyer e prej atributeve më madhështore, dhe për të gjitha virtytet me të cilat Qenia Jote e përsosur e aq e lavdëruar është ngritur, të derdhësh këtë natë nga retë e mëshirës Sate shirat e shërimit Tënd mbi këtë foshnjë gjiri, të cilën Ti e ke lidhur me veten Tënde lavdiplote në mbretërinë e krijimit Tënd. Vishe, pra, atë, O Perëndia im, përmes mëshirës Sate, me rrobën e mirëqenies e të shëndetit, dhe ruaje, O i Shumëdashuri im, nga çdo hidhërim e pështjellim, dhe nga gjithçka e papëlqyeshme për Ty. Me të vërtetë, fuqia Jote është e barabartë me të gjitha gjërat. Ti, me të vërtetë, je Më i Pushtetshmi, i Vetëqenëshmi. Veç kësaj, dërgo poshtë, mbi të, O Perëndia im, të mirat e kësaj bote e të botës tjetër, dhe të mirat e brezave të kaluar e të atyre që do të vijnë. Fuqia Jote dhe urtia Jote, me të vërtetë, janë të barabarta me këtë.
Ditët e shtuara (nga 26 shkurti deri më 1 mars) duhet të jenë ditë përgatitjeje për Agjërimin, ditë mikpritjeje, bamirësie e dhuratash.
Perëndia im, Zjarri im dhe Drita ime! Ditët që Ti i ke quajtur Ayyám-i-Há* në Librin Tënd kanë filluar, O Ti që je Mbreti i emrave, dhe agjërimi, që Penda Jote më e lavdëruar ua ka urdhëruar ta zbatojnë të gjithë atyre që janë në mbretërinë e krijimit Tënd, po afrohet. Të lutem, O Zoti im, për këto ditë dhe për të gjithë ata që gjatë kësaj periudhe janë kapur pas fillit të porosive të Tua e që janë mbajtur pas dorëzës së këshillave të Tua, të bësh që çdo shpirti t’i caktohet një vend brenda kufijve të oborrit Tënd dhe një ndenjëse në revelimin e shkëlqimeve të dritës së fytyrës Sate.
Këta, O Zoti im, janë shërbëtorët e Tu, të cilët asnjë prirje e degjeneruar nuk i ka larguar nga ato që Ti ke sjellë me Librin Tënd. Ata janë përulur përpara Kauzës Sate dhe e kanë marrë Librin Tënd me një vendosmëri të tillë që e ka burimin tek Ti, dhe kanë kryer atë që u ke urdhëruar Ti, dhe kanë zgjedhur të zbatojnë atë që u ke kërkuar Ti.
Ti e shikon, O Zoti im, sesi ata kanë njohur e pranuar gjithçka që Ti ke reveluar në shkrimet e Tua. Jepu atyre të pinë, O Zoti im, nga duart e dashamirësisë Sate, ujin e përjetësisë Sate. Shkruaj, pra, për ta shpërblimin që ke caktuar për atë që është zhytur në oqeanin e pranisë Sate dhe ka shijuar verën e zgjedhur të takimit me Ty.
Të lutem Ty, O Ti Mbret i mbretërve dhe Mëshirues i të shtypurve, të caktosh për ta të mirat e kësaj bote dhe të botës që do të vijë. Shkruaj për ta, veç kësaj, atë që asnjë nga krijesat e Tua nuk e ka zbuluar dhe radhiti ata midis atyre që janë mbledhur rreth Teje dhe që lëvizin pranë fronit Tënd në çdo botë të botëve të Tua.
Ti, me të vërtetë, je Fuqiploti, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.
Lëvduar qoftë Emri Yt, O Zot Perëndia im! Unë të përgjërohem, për Emrin Tënd, përmes të cilit ka rënë Ora dhe ka ndodhur Ringjallja, dhe frika e të dridhurat kanë zënë të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë, të lëshosh nga qielli i mëshirës dhe nga retë e zemërdhembshurisë Sate plot dashuri atë që do të gëzojë zemrat e shërbëtorëve të Tu, që i kanë kthyer fytyrat ndaj Teje dhe kanë ndihmuar Kauzën Tënde.
Ruaji shërbëtorët e Tu dhe shërbëtoret e Tua, O Zoti im, nga shigjetat e fantazisë së kotë e nga imagjinatat boshe, dhe jepu atyre nga duart e hirit Tënd një rrëke të ujrave të qeta të dijes Sate.
Ti, me të vërtetë, je i Gjithëfuqishmi, Më i Lavdëruari, Gjithmonëfalësi, Bujariploti.
Të gjitha lavdërimet, O Perëndia im, qofshin mbi Ty që je burimi i çdo lavdie e madhështie, madhërie e nderimi, sovraniteti e sundimi, lartësimi e mirësie, frike e pushteti. Cilindo që Ti dëshiron e afron pranë Oqeanit Më të Madh dhe cilitdo që Ti dëshiron i jep nderin që të njohë Emrin Tënd Më të Lashtë. Nga të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë, askush nuk mund t’i qëndrojë veprimit Të Vullnetit Tënd sovran. Nga përjetësia Ti ke qeverisur gjithë krijimin dhe do të vazhdosh përgjithmonë të ushtrosh sundimin Tënd mbi të gjitha gjërat e krijuara. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëfuqishmit, Më të Lavdëruarit, të Gjithëpushtetshmit, Urtiplotit.
Ndriçoji, O Zot, fytyrat e shërbëtorëve të Tu, që ata të të shohin Ty; që duke pastruar zemrat e Tyre të hyjnë në oborrin e favoreve të Tua qiellore, dhe të njohin Atë që është Manifestimi i Vetes Sate dhe Agimi i Thelbit Tënd. Me të vërtetë, Ti je Zoti i të gjitha botëve. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Padetyruarit, Gjithënënshtruesit.
Lëvduar qofsh Ti, O Zot, Perëndia im! Bëj mirësisht që kjo foshnjë të mëkohet nga gjiri i mëshirës Sate të dhembshur dhe nga kujdesi Yt dashamirës, të ushqehet me frytet e pemëve të Tua qiellore. Mos lejo që ajo të lihet nën kujdesin e ndokujt tjetër veç Teje, sepse Ti Vetë, nëpërmjet forcës së vullnetit e të pushtetit Tënd sovran, e krijove dhe e thirre atë në jetë. Nuk ka tjetër Perëndi veç Teje, Fuqiplotit, të Gjithëdijshmit.
I lëvduar je Ti, O Më i Shumëdashuri im, përhap mbi të shijet e ëmbla të bujarisë Sate të përkryer dhe aromën e dhuratave të Tua të shenjta. Bëje, pra, atë të aftë të kërkojë strehë nën hijen e Emrit Tënd më të lartësuar, O Ti që mban në dorën Tënde mbretërinë e emrave e të atributeve. Me të vërtetë, Ti je në gjendje të bësh atë që dëshiron dhe je vërtet i Fuqishmi, i Lartësuari, Gjithmonëfalësi, i Hirshmi, Bujari, i Mëshirshmi.
*“Lutjet e detyrueshme janë të tilla, sepse çojnë në përunjësi e nënshtrim, e bëjnë njeriun ta kthejë fytyrën drejt Perëndisë e të shprehë përkushtim ndaj Tij. Përmes lutjesh të tilla njeriu mban lidhje me Perëndinë, kërkon t’i avitet pranë Atij, bisedon me të Shumëdashurin e vërtetë të zemrës së vet dhe ngrihet në pozita shpirtërore.” - ‘Abdu’l-Bahá
Të thuhet një herë në ditë, ndërmjet mesditës dhe perëndimit të diellit
Unë dëshmoj, O Perëndia im, se Ti më ke krijuar që të të njoh e të të adhuroj Ty. Unë dëshmoj në këtë çast pafuqinë time dhe fuqinë Tënde, varfërinë time dhe begatinë Tënde.
Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit.