Ridván Messages
Albanian · Universal House of Justice
Vërshimi i ngjarjeve brenda e jashtë Besimit në fillimet e Etapës së Pestë të Epokës Formuese paraqet një spektakël që të le pa fjalë. Përbrenda Kauzës, rëndësia historike e ngjarjeve Majin e kaluar që shënuan përfundimin e ndërtesave në Malin Karmel mahniti sytë, ndërkohë që ndikimi i tyre i fuqishëm u komunikua në çast anembanë planetit nëpërmjet transmetimeve satelitore dhe nga mbulimi më i gjerë i medias që i është bërë ndonjëherë një ngjarjeje Bahá'í. Ndërsa dëshmitë më të fundit në shpalosjen e dukshme të Tabelës së Karmelit u shfaqën haptazi me një shkëlqim mahnitës para syve të botës, Kauza e Bahá'u'lláh-ut hovi në një stad të ri të spikatur në daljen e saj të vazhdueshme nga mosnjohja. Kështu, një përshtypje e pashlyeshme u regjistrua në analet e Dispensacionit.
Kjo shfaqje e jashtme e vitalitetit që gjallëron Besimin tonë të pamposhtshëm pati të barasvlershmen e vet në shtytjen e proceseve të brendshme të cilat janë vënë në lëvizje që në ngjizjen Ridván-in që shkoi të Planit Pesë Vjeçar. Si rrjedhim, ne s'mund të rrimë pa i ftuar delegatët e mbledhur në kuvendet kombëtare dhe gjithë pasuesit e tjerë të Bahá'u'lláh-ut kudo në botë që të bashkohen me ne për të reflektuar mbi disa pika kulmore të fuqishme të veprimit të Planit gjatë vitit të parë të tij - kulmime që veçse gëzojnë zemrat dhe ngjallin besim në potencialet e pallogaritshme të kursit në të cilin është vendosur Plani.
Në përgjigjen e tyre të etshme ndaj kërkesave të tij, Asambletë Shpirtërore Kombëtare u angazhuan në një seri sesionesh planifikuese me Këshilltarët Kontinentalë para dhe menjëherë mbas Ridván-it. Këto sesione përcaktuan ritmin për një fillim të vrullshëm që u dallua nga hapat e marrë për të përmbushur një tipar të ri të hyrjes me trupa. Në çdo komunitet kombëtar, institucionet Bahá'í filluan detyrën e përpunimit hartografik të vendit të tyre, në bazë të një sistemi, me synimin për ta ndarë atë në tërësi qendrash të banuara, ku përbërja dhe madhësia e secilës prej tyre është në harmoni me një shkallë të administrueshme aktivitetesh për rritje dhe zhvillim. Një përpunim i tillë hartografik, siç është raportuar tashmë nga rreth 150 vende, bën të mundur realizimin e një modeli shtrirjeje dhe konsolidimi të rregullt. Kështu ai krijon njëkohësisht një perspektivë, ose vizion, rritjeje sistematike që mund të mbështetet nga një tërësi qendrash të banuara në tjetrën anembanë vendit. Me këtë perspektivë, tërësitë e qendrave të banuara që janë të virgjëra, ashtu si edhe territoret e virgjëra të identifikuara në fushatat e kaluara, bëhen objektiva për pionierë brenda vendit, ndërsa tërësitë e qendrave të banuara që janë të hapura fokusohen në zhvillimin e tyre të brendshëm të mobilizuara nga puna e ndërsjellë përforcuese e të treja pjesëve përbërëse të Planit: individit, institucioneve dhe komunitetit.
Është gjëja më inkurajuese të shohësh se progresi i kësaj pune po merr energji nëpërmjet procesit të institutit të trajnimit, i cili u forcua në mënyrë të konsiderueshme vitin që shkoi nga fushatat e ndërmarra në shumë vende për të rritur numrin e tutorëve të trajnuar. Aty ku një institut trajnimi ka hedhur mirë rrënjët dhe funksionon pandërprerë, tre aktivitete bazë - qarqet e studimit, takimet devocionale dhe klasat e fëmijëve - janë shumëfishuar relativisht lehtë. Me të vërtetë, pjesëmarrja në rritje e kërkuesve në këto aktivitete, me ftesën e miqve të tyre Bahá'í, i ka dhënë një dimension të ri përpjekjeve të tyre, duke ndikuar si rrjedhim edhe në deklarime të reja. Këtu, sigurisht, qëndron një drejtim shumë premtues për punën mësimdhënëse. Këto aktivitete bazë, të cilat që në fillim u përvijuan kryesisht për të qenë në dobi të vetë besimtarëve, po shndërrohen natyrshëm në porta për hyrjen me trupa. Duke kombinuar qarqet e studimit, takimet devocionale dhe klasat e fëmijëve brenda kornizës së tërësive të qendrave të banuara, është vënë në jetë një model koherence në linjat e veprimit që tashmë është duke dhënë rezultate të mirëpritura. Ne kemi shumë besim se zbatimi i këtij modeli në shkallë botërore mbart mundësi të pamata për progresin e Kauzës në vitet që do të vijnë.
Këto perspektiva drithëruese u bënë edhe më shëndetshme nga energjia e jashtëzakonshme që Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies investoi në pasurimin e kuptimit të komunitetit botëror rreth rritjes sistematike. Duke përfituar nga avantazhi i krijuar si rrjedhim i fillimit kohët e fundit të një periudhe të re shërbimi për anëtarët e Trupit Ndihmës, Qendra e Mësimdhënies kërkoi mbajtjen e 16 konferencave orientuese rajonale në muajt e fundit të vitit. Në secilën prej tyre ajo dërgoi dy nga anëtarët e saj. Duke i kushtuar vëmendje të madhe temës "institutet e trajnimit dhe rritja sistematike", konferencat, që u ndoqën nga pothuajse të gjithë anëtarët e Trupit kudo në botë, u siguruan pjesëmarrësve një bollëk informacioni i cili, nëpërmjet punës së palodhshme të tyre, do të mbushë krejt strukturën e komunitetit.
Një komunitet i pajisur bujarisht, kaq me përvojë, kaq i fokusuar në një plan veprimi të frymëzuar në mënyrë hyjnore, sheh përpara drejt një bote banorët e së cilës, që nga ngjarjet e Majit 2001 në Tokën e Shenjtë, janë zhytur edhe më thellë në një batak trazirash të shumëfishta. E megjithatë, Kauza është parashikuar të përparojë, dhe do të lulëzojë, pikërisht në këto kushte në dukje jomikpritëse. "Thirrjet e Zotit të Ushtrive", vëllimi i sapo dalë që përmban përkthimet në anglisht të teksteve të plota të Tabelave të Bahá'u'lláh-ut drejtuar mbretërve dhe sundimtarëve të botës, ka ardhur si një përkujtues i duhur për pasojat e tmerrshme të shpërfilljes së paralajmërimeve të Tij kundër padrejtësisë, tiranisë dhe korrupsionit. Goditjet e dhunshme që pëson ndërgjegja e njerëzve kudo, theksojnë urgjencën për ilaçin që Ai ka caktuar. Ne, grupet e shpërndara të shërbëtorëve të Tij besnikë, kemi arritur kështu përsëri në një kohë mundësish të parezistueshme - mundësi për të mësuar Kauzën e Tij, për të ngritur Sistemin e Tij të mrekullueshëm, për të siguruar me sakrificë mjetet materiale që nevojiten urgjentisht e mbi të cilat varet pashmangshëm progresi dhe zbatimi i aktiviteteve shpirtërore.
Detyra jonë e pashmangshme është të shfrytëzojmë trazirën e tanishme, pa frikë apo ngurrim, me qëllimin për të përhapur dhe treguar virtytin transformues të Mesazhit të vetëm që mund të sigurojë paqen e botës. A nuk na ka fuqizuar dhe siguruar neve Bukuria e Bekuar me fjalë të fuqishme? "Ato që ndodhin në botë mos t'ju hidhërojnë" është këshilla e Tij e dashur. "Betohem për Perëndi," vazhdon Ai; "Deti i gëzimit ka mall të arrijë praninë tuaj, sepse çdo gjë e mirë është krijuar për ju dhe, sipas nevojave të kohës, do t'ju revelohet juve".
Atëherë, të çlirët nga çdolloj dyshimi, të shpenguar nga çdolloj pengese, ecni përpara pandalshëm me Planin në dorë.
Me gëzim të madh në zemrat tona dhe shpresa të shumta, ne vijmë në këtë stinë Ridváni në një ndryshim në kohë, kur një gjendje e re e mendjes është e dukshme midis të gjithëve ne. Kudo në komunitetin tonë botëror ekziston një vetëdije e shtuar rreth vlerës së procesit, domosdoshmërisë së planifikimit dhe dobisë së veprimit sistematik në nxitjen e rritjes dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore nëpërmjet të cilave mund të mbështetet shtrirja dhe të sigurohet konsolidimi. Koherenca për t'i kuptuar këto kërkesa të domosdoshme të progresit nuk mund të mbiçmohet, ashtu siç nuk mund të mbivlerësohet rëndësia e vazhdimit të pandërprerë të tyre nëpërmjet trajnimit të rregullt. Dhe ja pra, mbërritja e komunitetit tonë në një moment të tillë ndërgjegjësimi është një ngjarje e shënuar për ne. Ne i jemi thellësisht mirënjohës Bukurisë së Bekuar që jemi në gjendje ta njohim dhe ta brohorasim atë që në fillimin e sipërmarrjes globale e cila do të nisë gjatë këtyre ditëve festive.
Fuqia e vullnetit që u gjenerua nga ky ndërgjegjësim karakterizoi konferencën e Këshilltarëve Kontinentalë dhe të anëtarëve të Trupave të tyre Ndihmës që u mblodhën Janarin që shkoi në Tokën e Shenjtë. Ngjarja nxorri në pah një përjetim kaq ndriçues saqë sinjalizoi hyrjen e Besimit në një etapë të re, të pestën e Epokës së tij Formuese. Një freski e tillë vitaliteti si ajo që u shfaq në këtë tubim historik u kuptua si një manifestim i cilësisë në rritje të veprimit kudo në komunitet. Ndjekja gjatë vitit të kaluar e anëve thelbësore për avancimin e procesit të hyrjes me trupa e konfirmoi këtë vëzhgim. Kështu që u hap rruga për Planin Pesë Vjeçar, i pari projekt që po marrim përsipër në Etapën e Pestë.
Duke shtuar përpjekjet madhore të Planit të mëparshëm Katër Vjeçar, i cili nxorri në dritë më shumë se 300 institute trajnimi, Plani Dymbëdhjetë Mujor ia arriti qëllimit. Ai mori kuptim nëpërmjet përgjigjes së shquar të institucioneve dhe individëve ndaj thirrjes për një përqendrim më të madh në edukimin shpirtëror të fëmijëve dhe në përfshirjen e paratërinjve në jetën e komunitetit Bahá'í. Trajnimi i mësuesve të klasave të fëmijëve dhe përfshirja e paratërinjve në procesin e institutit janë bërë pjesë e rregullt e aktiviteteve Bahá'í në një numër vendesh. Pavarësisht nga koha e tij e shkurtër, Plani Dymbëdhjetë Mujor pati një rëndësi përtej objektivave të caktuara specifikisht. Plani ishte një lidhje dinamike midis një etape të mbushur me ngjarje në historinë Bahá'í dhe perspektivave jashtëzakonisht premtuese të një etape të re, për të cilat arritjet e tij e kanë përgatitur kaq mirë komunitetin. Gjithashtu, ai është skalitur në analet tona për efektet e pashlyeshme të aktiviteteve të Besimit në fundin e shekullit të njëzetë - një shekull që e meriton të reflektohet mbi të nga ana e çdo Bahá'í i cili dëshiron të kuptojë forcat e stuhishme që kanë influencuar jetën e planetit dhe proceset e vetë Kauzës në një kohë vendimtare për evolucionin social dhe shpirtëror të njerëzimit. Si një ndihmë ndaj një përpjekjeje kaq me vlerë, Shekulli i Dritës, një raport mbi shekullin e njëzetë, u përgatit me kërkesën dhe nën mbikqyrjen tonë.
Në shumë raste gjatë kësaj përpjekjeje njëvjeçare, aktivitetet e marrëdhënieve me jashtë të Besimit ishin veçanërisht të spikatura. Për shembull, kini parasysh se sa herë përfaqësuesit Bahá'í kanë marrë pjesë në plan të parë në ngjarjet me rastin e mijëvjeçarit që u zhvilluan në Maj, Gusht dhe Shtator me nxitjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Implikimet e një përfshirjeje kaq të ngushtë e të spikatur të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í me proceset e Paqes më të Vogël do të kërkojnë kohë që të kuptohen siç duhet. Midis pikave të tjera kulmore ishte edhe bashkëbisedimi kontinental i organizuar në Indi nga Instituti i Studimeve për Prosperitetin Global, një agjenci e re që vepron nën kujdesin e Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í. Duke adoptuar temën e "shkencës, fesë dhe zhvillimit", në konferencë u paraqitën me pjesëmarrjen e tyre organizata kryesuese jo-qeveritare nga India, si dhe institucione me emër si UNESCO, UNICEF, WHO dhe Banka Botërore. Në Tetor filloi nga puna në internet Shërbimi Botëror i Lajmeve Bahá'í (BWNS), me qëllim për të informuar publikun Bahá'í dhe jo-Bahá'í me lajme rreth zhvillimeve në botën Bahá'í.
Aktivitetet intensive në Qendrën Botërore Bahá'í gjatë vitit të fundit në pjesën më të madhe ju bënë të njohura miqve nëpërmjet raporteve të mëparshme që përfshijnë referime ndaj arritjeve të tilla si zënia nga Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies të selisë së saj të përhershme mbi Malin Karmel; Konferenca e Këshilltarëve Kontinentalë dhe e anëtarëve të Trupave të tyre Ndihmës e mbajtur në Tokën e Shenjtë Janarin që shkoi; dhe përfundimi i projekteve të Malit Karmel të cilave tani po u jepet dora e fundit në përgatitje të ngjarjeve festive në Maj. Tetorin që shkoi, për herë të parë, pelegrinët dhe vizitorët u pritën në Qendrën e re të Pritjes në Haifa, e cila u fut në funksionim në mënyrë të plotë. Në Bahxhi zbukurimi i truallit të shenjtë nëpërmjet zhvillimit të kopshteve të tij ka proceduar pa ndërprerje; sidoqoftë, ritmi i punimeve ka marrë një shtytje nga projekti i ri i filluar vitin e kaluar për të ndërtuar një Qendër Vizitorësh drejt skajit verior të pronës përtej Portës Kollins. E planifikuar për t'u përfunduar në muajt që do të vijnë, struktura thuajse është përfunduar dhe puna po vazhdon në të gjitha drejtimet duke përfshirë punimet e brendshme dhe zbukurimin e truallit përreth. Ambienti i ri do të përmirësojë aftësinë e Qendrës Botërore për të pritur numra gjithnjë e më të mëdhenj pelegrinësh, vizitorësh afatshkurtër Bahá'í dhe miqsh të veçantë.
Për të konkluduar këtë përmbledhje të vitit, ne gëzohemi pamasë duke ju informuar se mbas një peridhe kohe prej tre dekadash, Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Indonezisë u rimëkëmb në Kuvendin Kombëtar të mbajtur në Xhakarta Ridvánin që shkoi. Ndalimi me ligj i aktiviteteve Bahá'í i imponuar në Gusht të vitit 1962 kufizoi në mënyrë të skajshme veprimet e Bahá'í-ve indonezianë për gjithë këtë kohë, por ata qëndruan të patundur dhe të mençur në shumëvuajtjen e tyre, derisa ndryshimi i rrethanave në atë vend rezultoi në heqjen e këtij ndalimi. Atëherë, a nuk mund të mos shpresojmë ne se një raportim i gëzueshëm i ngjashëm me këtë, në lidhje me bashkëbesimtarët tanë të shumëvuajtur në Iran, Egjipt dhe vende të tjera nuk do të jetë shumë i largët?
Të dashur Miq: mbas dy dekadash bota Bahá'í do të festojë njëqind vjetorin e zanafillës së Epokës Formuese. Ne hedhim vështrimin mbrapa në agimet e Epokës nga pozita e favorshme e arritjeve të tashme që zor se mund të ishin përfytyruar në fillim. Para nesh shtrihen horizonte që i bëjnë thirrje urgjente komunitetit për arritje edhe më të mëdha në këtë periudhë kohore të shkurtër që e ndan atë nga ai qindvjetor. Këto lartësi mund dhe duhen arritur. Plani Pesë Vjeçar, ndaj të cilit ne kërkojmë vëmendjen urgjente dhe të mbështetshme të miqve kudo në botë, ka për qëllim të përballë këtë sfidë. Ai përbën të parin e një serie fushatash që do të ndiqen gjatë këtyre njëzet vjetëve. Plani shënon fazën tjetër në qëllimin për të përmbushur një avancim të dukshëm në procesin e hyrjes me trupa. Ai kërkon një përshpejtim të këtij procesi jetësor, dhe për më tepër këmbëngul për vazhdimësi në përpjekjet sistematike nga ana e tre pjesëmarrësve që e përbëjnë atë: individin, institucionet dhe komunitetin.
Nuk është e nevojshme të shtjellojmë kërkesat e Planit, pasi ato u shpalosën në mesazhin tonë drejtuar Këshilltarëve të mbledhur në Tokën e Shenjtë dhe, si rrjedhim, janë bërë të ditura për të gjitha Asambletë Shpirtërore Kombëtare. Shumë shpejt mbas konferencës së tyre, Këshilltarët filluan konsultimin me Asambletë Kombëtare rreth ekzekutimit të planit në juridiksionet e tyre respektive. Drejtimi i Planit, si rrjedhim, është i njohur për miqtë kudo që janë, pasi përgatitjet rajonale dhe lokale për arritjen e synimit kryesor të tij janë në udhë e sipër. Tani ekziston një vetëdije e përgjithshme që do të bëhen përpjekje për të shkaktuar një depërtim më të thellë të Besimit në sa më shumë rajone brenda vendeve. Për shembull, aty ku e lejojnë rrethanat, komunitete lokale që ndodhen mjaft afër njëri-tjetrit do të mobilizohen të marrin pjesë në programe intensive rritjeje. Rrugë të tjera do të kërkojnë hapje metodike të zonave të reja për të cilat pionierë brenda vendit duhet të ngrihen me të njëjtin shpirt të konsakruar që i nxiti edhe ata të cilët u përhapën jashtë vendeve të tyre vite më parë për të hapur territore të virgjëra nëpër kontinente e dete. Mjafton të themi se procesi që gjallëron këtë sipërmarrje të vënë hyjnisht në lëvizje do të zgjerohet eventualisht, ndërkohë që tiparet që lidhen me të do të prezantohen gradualisht dhe do të integrohen në mënyrë sistematike në veprimin e tij.
Një tipar i Etapës së Pestë do të jetë pasurimi i jetës devocionale të komunitetit nëpërmjet ngritjes së Shtëpive kombëtare të Adhurimit, në varësi të rrethanave të çdo komuniteti kombëtar. Planifikimi i këtyre projekteve do të përcaktohet nga Shtëpia Universale e Drejtësisë në lidhje me avancimin e procesit të hyrjes me trupa brenda vendeve. Ky zhvillim do të shpaloset gjatë gjithë fazave të njëpasnjëshme të Planit Hyjnor të 'Abdu'l-Bahá-it. Mbas përfundimit të Tempullit Mëmë të Perëndimit, Ruajtësi filloi një program për ndërtimin e tempujve kontinentalë. Të parët midis tyre ishin Mashriqu'l-Adhkár-ët në Kampala, Sidnej dhe Frankfurt, që u ndërtuan në përgjigje të objektivave të Planit Dhjetë Vjeçar. Shtëpia Universale e Drejtësisë vazhdoi përgjatë këtyre linjave me ndërtimin e Tempujve në qytetin e Panamasë, Apia dhe Nju Delhi. Por kjo fazë kontinentale ende nuk është përfunduar: mbetet për t'u ngritur edhe një ndërtesë. Me gëzim dhe falenderim të thellë ne ju shpallim në këtë moment kaq të spikatur vendimin për të proceduar me këtë projekt të fundit. Gjatë Planit Pesë Vjeçar, do të fillojë ndërtimi i Tempullit Mëmë të Amerikës së Jugut në Santiago të Kilit, dhe kështu do të përmbushet një dëshirë e shprehur qartë nga Shoghi Effendiu. Ndërkohë, koha është e përshtatshme që hapa të mëtejshëm të ndërmerren në Qendrën Botërore për të zhvilluar funksionet e institucioneve që zënë ndërtesat e reja mbi Hark. Ndërkohë që Qendra Ndërkombëtare ka avancuar dukshëm në punën e saj, vëmendje do t'i kushtohet në veçanti organizimit të punës në Qendrën e Studimit të Teksteve. Pasurimi i përkthimeve në anglisht nga Tekstet e Shenjta do të jetë një objekt i veçantë i kësaj vëmendjeje. Qëllimi i institucionit është të mbështesë Shtëpinë Universale të Drejtësisë në konsultimin e Shkrimeve të Shenjta dhe të përgatisë përkthime dhe kumtesa mbi tekste me autoritet të Besimit. Përveç kësaj, në Tokën e Shenjtë, një përpjekje e vazhdueshme do t'i kushtohet hartimit të masave për të bërë të mundur një shtim të mëtejshëm të numrit të pelegrinëve dhe vizitorëve në Qendrën Botërore Bahá'í.
Në mesazhin tonë të Ridvánit pesë vjet më parë ne bëmë të ditur mbajtjen e një ngjarjeje madhore në Qendrën Botërore për të shënuar përfundimin e projekteve mbi Malin Karmel dhe hapjen e Tarracave të Mauzoleut të Báb-it ndaj publikut. Ky çast tashmë ka ardhur dhe ne gëzohemi jashtë mase t'u urojmë që tani mirëseardhjen miqve, që do të bujtin nga thuajse të gjitha vendet, në programet që do të zgjasin një periudhë pesë ditore, 21-25 Maj. Gjithashtu, ne jemi të lumtur të themi se po ndërmerren hapa për të lidhur botën Bahá'í me këto ngjarje nëpërmjet transmetimeve të drejtpërdrejta në WWW dhe nëpërmjet satelitit, gjë për të cilën po japim edhe informacion. Ndërkohë që Qendra Botërore fokusohet në përgatitjet, midis publikut në Haifa po shtohet gëzimi, dhe autoritetet bashkiake kanë marrë përsipër të botojnë një libër të titulluar Maouzoleu Bahá'í dhe Kopshtet mbi Malin Karmel, Haifa, Izrael: Një udhëtim pamor që do të përkojë me ngjarjen. Përveç kësaj, Autoriteti Postar i Izraelit po zbaton vendimin e tij për të emetuar në të njëjtën kohë një pullë përkujtimore postare që paraqet Tarracat. Rëndësia e kësaj ngjarjeje qëndron kryesisht në pauzën që do të na lejojë të rishikojmë distancën e jashtëzakonshme që ka përshkuar Kauza në zhvillimin e saj gjatë shekullit të njëzetë. Veç kësaj, do të jetë pikërisht rasti që të marrim parasysh implikimet e ardhshme të arritjeve fenomenale që simbolizohen nga ngritja e strukturave monumentale mbi malin e shenjtë të Perëndisë - një ngritje që shpalos para syve të botës qendrat shpirtërore dhe administrative të Besimit tonë.
Ndërkohë që komuniteti ynë ngazëllehet nga këto rrethana emocionuese, le të sjellë ndër mend çdo anëtar se nuk ka kohë për të fjetur mbi dafina. Gjendja e vështirë e tanishme e njerëzimit është kaq e pashpresë saqë nuk lejon qoftë edhe për një çast ngurrimi në ndarjen e Bukës së Jetës, që ka zbritur nga qielli në kohën tonë. Atëhere, le të mos ketë asnjë vonesë në çuarjen para të procesit, i cili i ka të gjitha gjasat për sukses që të ftojë në tryezën e banketit të Zotit të Ushtrive shpirtrat e të gjithë atyre që janë të uritur për të vërtetën.
Urojmë që Ai i Cili ruan fatin e Sistemit të Tij hyjnor t'ju udhëheqë e drejtojë, dhe të konfirmojë çdo përpjekje tuajën drejt realizimit të detyrave urgjente të shtruara para jush.
Ne përkulim kokën me mirënjohje ndaj Zotit të Ushtrive, me zemrat tona që gufojnë nga gëzimi, ndërkohë që dëshmojmë se ç'ndryshim të mrekullueshëm kanë sjellë katër vjet që nga dita e fillimit të Planit global që përfundoi në këtë Festival Shkëlqimesh. Kaq i shënuar ishte përparimi që u arrit gjatë kësaj periudhe, saqë komuniteti ynë botëror arriti lartësi të reja prej të cilave mund të shquhen qartë horizonte të reja të shkëlqyeshme për arritje të ardhshme.
Dallimi sasior rezultoi kryesisht nga një dallim më kritik cilësor. Kultura e komunitetit Bahá'í përjetoi një ndryshim. Ky ndryshim është i dukshëm në aftësinë e zgjeruar, format metodike të funksionimit dhe, si rrjedhim, thellësinë e vetëbesimit në të tre pjesëmarrësit përbërës të Planit - individin, institucionet dhe komunitetin lokal. Kjo për shkak se miqtë u angazhuan në mënyrë më të vazhdueshme në thellimin e dijes së tyre rreth Mësimeve hyjnore dhe mësuan mjaft - më sistematikisht se më parë - rreth asaj sesi t'i zbatojnë ato në përhapjen e Kauzës, në administrimin e veprimtarive të tyre individuale dhe kolektive, dhe në punën me fqinjët e tyre. Me një fjalë, ata hynë në një proces nxënieje prej të cilit u ndërmorën veprime me qëllim të caktuar. Shtytësi kryesor i këtij ndryshimi ishte sistemi i instituteve të trajnimit i ngritur kudo në botë me shpejtësi të madhe - një arritje e cila, në fushën e shtrirjes dhe konsolidimit, cilësohet si e vetmja dhuratë më e madhe e Planit Katër Vjeçar.
Në kapacitetin e shtuar të individit në mësimdhënien e Besimit, siç shihet në morinë e nismave individuale; në aftësinë e përmirësuar të Asambleve Shpirtërore, Këshillave dhe komiteteve për të prirë përpjekjet e miqve; në paraqitjen e formave të reja të mendimit e veprimit që ndikuan sjelljen e përbashkët të komuniteteve lokale - në të gjitha këto aspekte sistemi i instituteve të trajnimit demonstroi domosdoshmërinë e tij si një motorr i procesit të hyrjes me trupa. Duke shtrirë veprimin e tyre nëpërmjet qarqeve lokale të studimit, shumë institute zmadhuan kapacitetin e tyre për të mbuluar zona të gjera me programet e tyre. Mongolia, për shembull, ngriti 106 qarqe studimi dhe, si rezultat, regjistroi një rritje të ndjeshme në numrin e besimtarëve të rinj. Njëkohësisht me këto lloj zhvillimesh, anëtarët e komunitetit mbarëbotëror, gjithashtu i kushtuan më shumë vëmendje mbështetjes në fuqinë e lutjes, përsiatjes së Fjalës së shenjtë, dhe marrjes së përfitimeve shpirtërore nëpërmjet pjesëmarrjes në takimet devocionale. Është pikërisht për shkak të veprimit të këtyre elementeve të një transformimi intensiv individual dhe kolektiv, që madhësia e komunitetit po rritet. Megjithëse numri i besimtarëve të rinj deri tani veçse ka kaluar lehtazi atë të këtyre viteve të fundit, kënaqesh jashtë mase të shohësh që kjo rritje tashmë është gjeografikisht e kudogjendur, po kapton segmente gjithnjë e më të mëdha të komunitetit dhe është e suksesshme në integrimin e të deklaruarve të rinj në jetën e Kauzës.
Një gjendje kaq e shëndoshë, kaq premtuese e Besimit gjithashtu i dedikohet shumë, tej mase, ndikimit këshillues, rolit bashkëpunues dhe punës praktike të Institucionit të Këshilltarëve që u amplifikuan me formimin dhe veprimin e instituteve - një amplifikim që reflektoi stimulimin në kohë të përçuar nga një Qendër Ndërkombëtare e Mësimdhënies vibrante dhe gjithnjë syzgjuar.
Tema qendrore e Planit Katër Vjeçar - ajo e avancimit të procesit të hyrjes me trupa - prodhoi një shkallë të lartë integrimi të mendimit dhe veprimit. Ajo e përqendroi vëmendjen në një fazë kryesore të evolucionit të komunitetit Bahá'í që duhet të arrihet gjatë Periudhës Formuese; se përderisa hyrja me trupa të mos mbështetet më gjerësisht, kushtet nuk do të piqen për konvertim masiv, atë ndryshim rrënjësor të premtuar nga Shoghi Effendiu në shkrimet e tij. Fokusi tematik i Planit pati implikimet e veta për të gjitha kategoritë e veprimtarive Bahá'í; ai kërkoi një qartësi kuptimi që bëri të mundur planifikimin sistematik e strategjik si kërkesë paraprake për veprim individual dhe kolektiv. Anëtarët e komunitetit gradualisht arritën të shihnin me sytë e tyre sesi sistematizimi do të lehtësonte procesin e rritjes dhe të zhvillimit. Kjo rritje e vetëdijes ishte një hap vigan që çoi në një përmirësim dhe avancim të aktiviteteve mësimore dhe në një ndryshim në kulturën e komunitetit.
Aspektet integruese të temës ishin të dukshme në përpjekjet në planifikim, në ndërtimin e kapacitetit institucional dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Fijet që i lidhin të gjitha këto mund të ndiqen që nga fillimet e Planit deri në fundin e tij. Konferenca e Dhjetorit 1995 e Trupave Kontinentale të Këshilltarëve në Tokën e Shenjtë shënoi fillimin. Atje Këshilltarët u orientuan me tiparet e Planit. Kjo u pasua nga konsultimet e tyre me Asambletë Shpirtërore Kombëtare në sesionet kombëtare të planifikimit që më pas u çuan në nivel rajonal, duke përfshirë anëtarët e Trupit Ndihmës, Asambletë Shpirtërore Lokale dhe komitetet. Kështu, në të gjitha nivelet, elemente të adminstrimit Bahá'í u përfshinë në procesin e planifikimit dhe kaluan përtej kësaj faze në atë të zbatimit, ku duhej krijuar kapaciteti institucional për të përballuar hyrjen me trupa. Dy hapa kryesorë u ndërmorën në këtë drejtim: njëri qe ngritja e instituteve të trajnimit; tjetri qe ngritja formale dhe paraqitja e gjerë e Këshillave Rajonale Bahá'í si një tipar i administrimit midis niveleve lokale dhe kombëtare për të forcuar kapacitetin administrativ të disa komuniteteve ku ndërlikimi në rritje i çështjeve që duhet të përballin Asambletë Shpirtërore Kombëtare kërkonte këtë zhvillim. Të barazvlefshme për nga rëndësia në integrimin e anëve thelbësore të procesit ishin strategjitë e përcaktuara mirë për punën në zhvillimin social dhe ekonomik, që është një pjesë kritike e konsolidimit, dhe në marrëdhëniet me jashtë, ku është një faktor jetësor në mundësimin e Besimit të mbikqyrë pasojat e daljes së saj nga errësira. Efekti i kombinuar prodhoi rezultate rezonuese, rreshtimi i të cilave do të dilte tepër jashtë kufijve të këtyre faqeve. Megjithatë, ne e ndiejmë se duhet të citojmë disa pika kulmore që ilustrojnë fushëpamjen e arritjeve të Planit.
Në Tokën e Shenjtë, ndërtimi i Tarracave dhe ndërtesave të Harkut eci përpara me të gjitha garancitë për të përfunduar ndërtimin e tyre brenda afatit të caktuar në fund të këtij viti Gregorian. Përveç kësaj, ndërtesa në Haifa së cilës i jemi referuar në mesazhin tonë të fundit të Ridvánit në lidhje me madhësinë e në rritje të grupeve të pelegrinazhit, është gati për përdorim duke filluar nga ky Ridván. Po për këtë çështje, u miratuan planet arkitekturale për ngritjen në Bahji të ndërtesës së shumëkërkuar për pritjen e pelegrinëve dhe vizitorëve Bahá'í dhe jo-Bahá'í.
Përkthimi i Teksteve për volumin e ri që pritet të dalë të Shkrimeve të Bahá'u'lláh-ut është përfunduar dhe përgatitjet janë në udhë e sipër për botimin e tij.
Hapa në shtrirje dhe konsolidim dolën në pah në mënyra të ndryshme nga ato që u përmendën tashmë: në shkuarjen pionierë, shpalljen e Besimit, botimin e literaturës, përdorimin e arteve, formimin e Asambleve Shpirtërore dhe përparimin e shoqatave të studimeve Bahá'í. Rreth 3.300 besimtarë u vendosën si pionierë ndërkombëtarë afatmesëm ose afatgjatë. Fakti që shumë vende që zakonisht presin pionierë, dërguan të tillë jashtë vendit të tyre qe një tregues i mëtejshëm i pjekjes së komuniteteve kombëtare. Besnikë ndaj mandatit caktuar anëtarëve të tyre, komunitetet e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara tejkaluan në numrin e pionerëve që lanë brigjet e tyre dhe në numrin edhe më të madh të mësuesve udhëtues, përfshi këtu një përfaqësim të rëndësishëm të rinjsh. Veçanërisht për t'u vënë në dukje ishte përgjigjja inkurajuese e besimtarëve me prejardhje Afrikane në Shtetet e Bashkuara ndaj thirrjes që mësuesit Bahá'í të udhëtojnë në Afrikë.
Shpallja e Kauzës përfshiu një larmi veprimtarish që përfshinë sponsorizimin e një brezi të gjerë ngjarjesh - përvjetorësh, datash përkujtimore, grupesh diskutimi, ekspozitash, e të tjera si këto - që bënë të mundur për numra të mëdha njerëzish të njihen me mësimet e Besimit. Shtëpitë e Adhurimit ishin qendra magnetike për vizitorët që hynë në dyert e tyre në numra të shtuar, veçanërisht në Indi, ku rreth pesë milionë njerëz u pritën gjatë vitit të kaluar. Krahas këtyre aktiviteteve ishin përdorimet e shumëfishta të medias për të përçuar mesazhin Bahá'í. Në Shtetet e Bashkuara rreth 60.000 veta iu përgjigjën një fushate në media të hartuar nga Komiteti Kombëtar i Mësimdhënies. Në shkallë botërore, dija për Besimin u përhap nëpërmjet daljes, më shpesh sesa përpara, të artikujve të pavarur e dashamirës në median e shtypur. Një zgjerim i ngjashëm i ekspozimit nëpërmjet gadishmërisë nga ana e stacioneve të radios dhe televizionit për të përfshirë programe të rregullta Bahá'í; kjo u pa në vende të tilla si Republika Demokratike e Kongos dhe Liberia. Këto zhvillime fatmira u kurorëzuan nga zgjedhja e pavarur e mediave ndërkombëtare për të përdorur Mauzoleun e Bab-it dhe Tarracat si vendin për teletransmetimin e segmentit të Tokës së Shenjtë të programit botëror të medias për festimin e ardhjes së vitit 2000.
Përdorimi i artit u bë një tipar i rëndësishëm në shpalljen, mësimdhënien, thellimin dhe aktivitetet devocionale të komunitetit mbarëbotëror. Arti tërhoqi të rinjtë, të cilët i zbatuan ato në aktivitetet e tyre të mësimdhënies dhe thellimit kryesisht nëpërmjet grupeve të shumta teatrale dhe të vallëzimit, që ishin aktive në shumë pjesë të botës. Por dinamika e artit shkoi shumë më tej sesa të kënduarit dhe të vallëzuarit duke përfshirë një mori aktivitetesh plot imagjinatë që i sqaruan mirë njerëzit për Kauzën. Atje ku u përdor arti folklorik, veçanërisht në Afrikë, puna mësimdhënëse u përmirësua ndjeshëm. Për shembull, Gana dhe Liberia secila ndërmorën nga një projekt të quajtur Drita e Unitetit për të mbështetur përdorimin e artit në mësimdhënie. Në Indi, Grupi Harmonia e Përbashkët pati një qëllim të ngjashëm.
Kryesisht me nxitjen e Këshilltarëve dhe me mbështetjen e Fondit Kontinental, iu dha një shtytje përkthimeve dhe botimeve të literaturës Bahá'í, veçanërisht në Afrikë e në Azi. Përveç kësaj, Kitab-i-Aqdas doli në qarkullim me një botim të plotë në Arabisht si dhe në gjuhë të tjera.
Ndërsa kufizimi i formimit të Asambleve Shpirtërore Lokale në ditën e parë të Ridvánit, i cili u vu në zbatim në 1997, solli pakësimin e pritur në numrin e këtyre insituscioneve, rënia nuk qe drastike. Që nga ajo kohë numri i tyre i ka ruajtur pozitat dhe një proces i shëndoshë konsolidimi është në zbatim e sipër. Tetë shtylla të reja të Shtëpisë Universale të Drejtësisë u ngritën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të Asambleve Shpirtërore Kombëtare në 181.
Veçanërisht kënaqës, gjatë këtyre katër viteve, ka qenë vrulli që sa vjen e shtohet i aktiviteteve shkollare Bahá'í, të cilat çanë përpara me detyrën jetësore për forcimin e themeleve intelektuale të punëve të Besimit. Dy rezultate të paçmuara kanë qenë pasurimi mbresëlënës i literaturës Bahá'í dhe prodhimi i një trupi disertacionesh që shqyrtojnë probleme të ndryshme bashkëkohore në dritën e parimeve Bahá'í. Rrjeti i Shoqatave të Studimeve Bahá'í, që festoi këtë vit përvjetorin e njëzetepestë të saj, u uroi mirëseardhjen pesë filialeve të reja gjatë Planit. Pasqyrë e larmisë dhe krijimtarisë që po tërheq kjo fushë e shërbimit qenë mbajtja e konferencës së parë të studimeve Bahá'í në Papua Guinea e Re dhe fokusimi i Shoqatës Japoneze mbi origjinën shpirtërore të dijes tradicionale japoneze.
Përparimi në fushën e zhvillimit social dhe ekonomik ishte padyshim cilësor, megjithëse edhe shifrat që tregonin një rritje të projekteve ishin gjithashtu mbresëlënëse. Aktivitete të raportuara vjetore u shtuan nga rreth 1.350 në fillim të Planit në më shumë se 1.800 afër fundit të tij. Lëvizja drejt një proçedimi më sistematik mbeti karakteristika dominuese e punës gjatë kësaj periudhe. Për t'i dhënë shtysë konsultimit dhe veprimit në parimet e zhvillimit social dhe ekonomik, Zyra e Zhvillimit Social dhe Ekonomik në Qendrën Botërore Bahá'í sponsorizoi 13 seminare rajonale në të cilat morën pjesë përafërsisht rreth 700 përfaqësues nga 60 vende. Kjo Zyrë gjithashtu mori pjesë në hartimin e materialeve dhe projekteve pilote të përshtatshme për ndërmarrjen e fushatave të organizuara për të ndihmuar aftësimin e të rinjve dhe shkrim e këndimin, trainim të punonjësve të shëndetit për komunitetin, përparimin e grave dhe edukimin moral. Një shembull ishte programi në Guajana që trajnoi më shumë se 1.500 tutorë për shkrim e këndim; një tjetër ishte përfundimi në Malajzi i 8 moduleve për përparimin e gruas, që u bë baza për sesione trajnimi në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. Një plan për të integruar radiostacionet Bahá'í me punën e instituteve të trajnimit filloi në rajonin Guajami të Panamasë. Meqë institutet kanë potencialin për të siguruar trajnimin për zhvillimin social dhe ekonomik, një lëvizje në atë drejtim përfshiu një dyzinë institutesh, të cilët në kohën që flasim po eksperimentojnë me përpjekje të tilla në fusha që përfshijnë shkrim e këndimin, trajnimin e punonjësve shëndetësorë të komunitetit dhe trajnim profesional. Një numër agjencish të sponsorizuara dhe të frymëzuara Bahá'í i kanë kushtuar energjitë e tyre në projekte si ai që përfshiu bashkëpunimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë në luftimin e verbërisë së lumit në Kamerun; më shumë se 30.000 individë kanë marrë mjekimin e duhur nëpërmjet këtij projekti Bahá'í. Një rast tjetër është universiteti privat në Etiopi, Kolegji Uniteti, trupi studentor i të cilit ështe rritur në 8.000. Një tjetër është Akademia Landegg në Zvicër e cila, ndërkohë që zgjeronte dhe konsolidonte programin e saj akamedik, ofroi asistencë shumë të vlefshme në përpjekjen e vazhdueshme për një ndreqje ndaj pasojave të tmerrshme sociale në konfliktin në Ballkan. Përsëri një tjetër është Universiteti Nur në Bolivi, i cili, në një projekt bashkëpunues me Ekuadorin, ofroi trajnim për më shumë se 1.000 mësues shkollash në programin e tij të udhëheqjes morale. Në këtë fushë të zhvillimit social dhe ekonomik, të tilla evidenca të ndërtimit të kapacitetit ishin një përfitim i madh për synimet e Planit.
Të udhëhequr nga strategjia e marrëdhënieve me jashtë komunikuar Asambleve Shpirtërore Kombëtare në 1994, kapaciteti i komunitetit nëfushat e informacionit diplomatik e publik u shtri po ashtu me një ritëm të paparë, duke e vënë komunitetin Bahá'í në një marrëdhënie dinamike me Kombet e Bashkuara, qeveritë, organizatat jo-qeveritare (OJQ-të) dhe median.
Strategjia i fokusoi aktivitetet në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar në dy objektiva kryesore: të ndikonte proceset drejt paqes botërore dhe të mbronte Besimin.. Nëpërmjet masave të adoptuara për mbrojtjen e bashkëbesimtarëve tanë të shumëdashur në Iran, Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í fitoi një masë të re respekti dhe mbështetjeje që krijoi mundësi për ndjekjen e qëllimeve të tjera të strategjisë. Për t'i bërë ballë sfidës së situatës kokëfortë në Iran, institucionet tona dhe agjencitë e marrëdhënieve me jashtë hartuan proçedime të reja në aktivizimin e instrumentave të disponueshëm të qeverive dhe të Kombeve të Bashkuara. Rasti i persekutimeve në Iran pushtoi vëmendjen e autoriteteve më të larta të planetit. Vërtet, lajmi që një gjykatë iraniane kishte miratuar rishtazi dënimin me vdekje për dy nga miqtë dhe kishte dhënë një verdikt të ngjashëm për një të tretë, ngjalli një reagim të ashpër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili i bëri një paralajmërim të qartë Iranit. Si pasojë e ndërhyrjeve të udhëheqësve botërorë dhe të Kombeve të Bashkuara, u ndalua pothuajse krejtësisht ekzekutimi i Bahá'í-ve iranianë dhe u reduktua në mënyrë drastike numri i të dënuarve me burgim afatgjatë.
Ndërkohë qe i kemi mirëpritur ndërhyrje të tilla, ne brohorasim shpirtin e vetësakrificës, qëndrueshmërinë dhe besimin e pathyeshëm të vëllezërve e motrave tona në Iran që i kanë dhënë fuqi këtyre përpjekjeve. Këto cilësi të dukshme të shpirtit i hutojnë bashkatdhetarët e tyre, ashtu si dhe qëndresa me të cilën ata përballojnë sulmet që kaq egërsisht dhe pamëshirshëm lëshohen kundër tyre. Si mund ta shpjegojë ndryshe dikush faktin që një pakicë e tillë ka qenë në gjendje t'i bëjë ballë për kaq gjatë një shumice të tillë? Në ç'mënyrë mund të tërhiqnin ata preokupimin aktiv të botës kur qoftë edhe njëri prej tyre përballet me kërcënimin e vdekjes? Tragjedia e Iranit qëndron në faktin që sulmuesit deri tani kanë dështuar të shohin që parimet hyjnore për të cilat këta të persekutuar kanë sakrifikuar pronat e tyre e madje edhe jetët e tyre, përmbajnë vetë ato zgjidhje që do të kënaqnin mallin e një popullate në orën e saj të pakënaqësisë. Megjithatë, nuk ka pikë dyshimi që tirania sistematike së cilës i janë nënshtruar kaq mizorisht miqtë tanë iranianë, në fund të fundit do të bëjë që Fuqia e të Gjithëfuqishmit t'i udhëheqë zhvillimet e mistershme drejt fatit të tyre të sigurtë me gjithë lavdinë e premtuar.
Përsa i përket objektivit tjetër të strategjisë së marrëdhënieve me jashtë, vijat e veprimit u udhëhoqën nga katër tema - të drejtat e njeriut, statusi i gruas, prosperiteti global dhe zhvillimi moral. Analet tona dëshmojnë për një hap gjigand përpara në punën e të drejtave të njeriut dhe statusit të gruas. Përsa i përket të parës, Zyra e Kombeve të Bashkuara ndoqi një program krijues për edukimin e të drejtave njerëzore i cili, deri tani, ka shërbyer si një mjet për rritjen e kapacitetit në punën diplomatike të jo më pak se 99 Asambleve Shpirtërore Kombëtare. Përsa i përket statusit të gruas, ekzistenca e 52 zyrave kombëtare për përparimin e gruas, kontributet e grave dhe burrave të shumtë Bahá'í në konferenca dhe seminare në të gjitha nivelet, zgjedhja e përfaqësuesve Bahá'í në pozita vendimtare në komitete kyçe OJQ-ësh, përfshi këtu edhe atë që i shërben Fondit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, tregojnë sesi pasuesit e Bahá'u'lláh-ut mbështesin pa u lodhur parimin e Tij për barazinë e burrit me gruan.
Në të njëjtën kohë një sëri iniciativash po përhapin informacion rreth Besimit Bahá'í për publikun e gjerë. Këto përfshijnë sipërmarrje të tilla novatore si hapjen e faqeve informative në internet me emrin "Bota Bahá'í", e cila që tani po arrin mesatarisht 25.000 vizita në muaj; botimi i një shpalljeje të titulluar "Kush po e shkruan të ardhmen?", që po i ndihmon kudo miqtë të flasin për problemet bashkëkohore; lëshimi që Nëntorin e kaluar në internet të "Payam-e-Doost", radioprogramit në gjuhën persiane që transmeton një orë çdo javë në Uashington D.C., zona metropolitane - një program i cili tashmë mund të dëgjohet në çdo kohë kudo në botë nëpërmjet internetit; dhe realizimin e një programi televiziv tejet origjinal, zbatimi i parimeve morale në problemet e përditëshme, i cili ka fituar përkrahjen e ngrohtë të autoriteteve qeveritare në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Hungari, Rumani, Sloveni dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Një dukuri që ka mbledhur forcë ndërsa shekulli i afrohet fundit është se njerëzit e botës janë çuar për të shprehur aspiratat e tyre nëpërmjet atyre që janë bërë të njohura si "organizatat e shoqërisë civile". Duhet të jetë një burim kënaqësie të madhe për çdo Bahá'í kudo që është që Komuniteti Ndërkombëtar Bahá'í si një OJQ që përfaqëson një ndërthurje të njerëzimit ka fituar një mirëbesim të tillë si një agjent unifikues në diskutime madhore që i japin formë të ardhmes së njerëzimit. Përfaqësuesi ynë kryesor në Kombet e Bashkuara u emërua të bashkë-kryesojë Komitetin e Organizatave Jo-Qeveritare, i cili u themelua nga Këshilli Ekonomik dhe Social - një pozitë që i jep Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í një rol udhëheqës në organizimin e Forumit të Mijëvjeçarit. Ky tubim, i thirrur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan dhe i programuar për t'u mbajtur në Maj, do t'u japë organizatave të shoqërisë civile një mundësi për të formuluar pikëpamje e rekomandime rreth çështjeve globale që do të shqyrtohen në Samitin e mëpasshëm të Mijëvjeçarit në shtator të këtij viti, ku do të marrin pjesë edhe krerët e shteteve dhe qeverive.
Zgjimi i njerëzimit ndaj përmasave shpirtërore të ndryshimeve që po ndodhin në botë ka një kuptim të veçantë për Bahá'í-të. Dialogu ndërfetar është intensifikuar. Gjatë Planit Katër Vjeçar ai përfshiu gjithnjë e më shumë Besimin si një pjesëmarrës të njohur. Parlamenti i Feve Botërore i mbajtur në Kejptaun dhjetorin e kaluar mblodhi bashkë rreth 6.000 pjesëmarrës, midis të cilëve ishte edhe një delegacion i plotë Bahá'í. Bahá'í-të shërbyen si në Trupin Drejtues Afrikanojugor, ashtu edhe në atë Ndërkombëtar që planifikoi këtë ngjarje. Për Bahá'í-të, interesi për ngjarjen erdhi veçanërisht prej faktit që përmendja e parë e Emrit të Bahá'u'lláh-ut në një tubim publik në Perëndim kishte ndodhur në Parlamentin e mbajtur në Çikago në vitin 1893. Dy ngjarje ndërfetare të mbajtura në Jordani nëntorin e kaluar përfshinë edhe Bahá'í-të si pjesëmarrës: një konferencë rreth konfliktit dhe fesë në Lindjen e Mesme, dhe takimi vjetor i Konferencës Botërore mbi Fenë dhe Paqen. Përfaqësuesit Bahá'í morën pjesë në ngjarje në Vatikan dhe Nju Delhi të sponsorizuara nga Kisha Katolike Romane; në takimin e fundit, në prani të Papa Gjon Palit II, Këshilltarja Zena Sorabjee ishte një nga përfaqësueset e feve që iu drejtua tubimit. Në Mbretërinë e Bashkuar, Besimi u vendos në arenën publike kur përfaqësuesit Bahá'í u bashkuan me anëtarët e tetë feve të tjera kryesore për një festim ndërfetar të mijëvjeçarit të ri në Galerinë Mbretërore të Pallatit të Uestminsterit ku, në prani të Familjes Mbretërore, Kryeministrit, Kryepeshkopit të Kanterbërit dhe personave të tjerë të shquar, iu referua takimit të "nëntë feve kryesore të Mbretërisë së Bashkuar". Në Gjermani, për herë të parë Bahá'í-të u përfshinë në një dialog ndërfetar. Kjo përmbysi një qëndrim shumëvjeçar të urdhrave fetare të Krishtera që i ishin shmangur kontaktit me Besimin për shkak të një libri të shkruar nga një shkelës i Besëlidhjes dhe të shpallur nga një shtëpi botuese Luterane në 1981. Kura u gjet me një kundërargument të mirëfilltë 600 faqësh të shkruar nga tre Bahá'í dhe të botuar në 1995 nga një firmë kryesore jo-Bahá'í vitin e kaluar, duke përfaqësuar një fitore të shënuar për komunitetin Gjerman Bahá'í. Një përkthim në anglisht u botua vitin e fundit të Planit. Dialogu ndërfetar mori një formë të pazakontë kur në 1998, në pallatin Lambeth, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të nëntë feve kryesore mbajtën një takim që çoi në formimin e Dialogut e Zhvillimit të Feve Botërore. Qëllimi i shpallur i Dialogut është të përpiqen të kapërcejnë hendekun midis komuniteteve fetare dhe Bankës Botërore me qëllim që t'i mundësojë ato të punojnë së bashku në mënyrë më efektive për të kapërcyer varfërinë botërore. Shpeshtësia dhe përqafimi i gjerë i takimeve ndërfetare përfaqëson një dukuri të re në lidhjet midis feve. Është e dukshme që komunitetet e ndryshme fetare po përpiqen me të gjitha forcat të arrijnë midis tyre atë shpirt miqësie dhe shoqërimi që Bahá'u'lláh-u i nxiste pasuesit e Tij të tregonin ndaj pasuesve të feve të tjera.
Përpjekjet e përqendruara të komunitetit Bahá'í në këto katër vite ndodhën në një kohë kur mbarë shoqëria përpiqej të kapërcente një rrëke interesash konfliktuese. Në këtë periudhë të shkurtër por intensivisht dinamike, forcat në veprim në komunitetin Bahá'í dhe kudo në botë, përparuan me përshpejtim këmbëngulës. Pas gjurmëve të tyre doli në pah më spikatur se më parë fenomeni social për të cilin aludonte Shoghi Effendiu. Më shumë se gjashtë dekada më parë, ai kishte tërhequr vëmendjen ndaj "proceseve të njëkohshme të ngritjes dhe rënies, të integrimit dhe disintegrimit, të rendit dhe kaosit, me ndërveprimet e vazhdueshme e reciproke të tyre ndaj njëri-tjetrit." Këto procese binjake nuk vazhduan të izoluara prej atyre specifike në komunitetin Bahá'í, por ndonjëherë rrodhën në një mënyrë të tillë sa të ftonin, ashtu siç është dëshmuar tashmë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të Besimit. Ato dukeshin sikur ecnin në drejtime të kundërta në të njëjtin korridor kohor. Nga njëra anë, luftëra të nxitura nga konflikte fetare, politike, raciale ose fisnore bënë kërdinë në rreth 40 vende; shkatërrim i menjëhershëm, total i rendit civil paralizoi një numër vendesh; terrorizmi si armë politike u bë epidemik; një valë rrjetesh ndërkombëtare kriminale shtuan alarmin. E megjithatë nga ana tjetër u bënë përpjekje serioze për zbatimin dhe shtjellimin e metodave të sigurisë kolektive, duke të sjellë ndërmend një nga porositë e Bahá'u'lláh-ut për ruajtjen e paqes; një thirrje u ngrit për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krimet, një veprim tjetër që përputhet me pritjet Bahá'í; për ta përqendruar vëmendjen në nevojën imperative për një sistem adekuat për të përballuar çështjet globale, udhëheqësit botërorë kanë rënë dakord të takohen në një Samit Mijëvjeçari; metoda të reja komunikimi kanë hapur rrugën për çdo njeri të komunikojë me këdo në planet. Disintegrimi ekonomik i Azisë kërcënoi të destabilizonte ekonominë botërore, por nxiti përpjekje për ndreqjen e situatës për momentin si dhe gjetjen e rrugëve për të sjellë një ndjenjë drejtësie në tregtinë dhe financat botërore. Këto janë veçse disa shembuj të dy tendencave kontrastuese, por edhe ndërvepruese, që veprojnë në këtë kohë, që konfirmojnë mbledhjen e frymëzuar të Shoghi Effendiut të forcave vepruese në planin më të madh të Perëndisë, "objektivat përfundimtare të të cilave janë uniteti i racës njerëzore dhe paqja e gjithë njerëzimit."
Në përfundimin e këtyre katër viteve të mbushur me ngjarje, ne kemi arritur në një konvergjencë të jashtëzakonshme të fundeve dhe fillimeve sipas kohës Gregoriane dhe asaj Bahá'í. Nga njëra anë, kjo konvergjencë bën të domosdoshme mbylljen e shekullit të njëzetë dhe, nga ana tjetër, hap një fazë të re në shpalosjen e Epokës Formuese. Perspektiva nga këto dy kuadro të kohës na shtyn të reflektojmë ndaj një vizioni prirjesh botë-formuese që kanë sinkronizuar, dhe ta bëjmë këtë gjë në kontekstin e asaj mprehtësie shpirtërore të projektuar në mënyrë kaq grafike nga Shoghi Effendiu në fillimin e Harkut që ai konceptoi. Gjatë rrjedhës së planit, ky vizion mori qartësi brilante ndërkohë që përparuan projektet ndërtuese në Malin Karmel, ndërsa udhëheqësit botërorë ndërmorën hapa të guximshëm drejt ndërtimit të strukturave të një paqeje politike globale, dhe ndërkohë që institucionet lokale dhe kombëtare Bahá'í arritën në nivele të reja në evolimin e tyre. Ne bartim me vete një kujtim të shenjtë e të përhershëm të shekullit të njëzetë që trazon energjitë tona ndërsa cakton rrugën tonë: është ai moment në historinë e njerëzimit kur Qendra e Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut, gjatë një shërbimi të pashembullt, skicoi arkitekturën e një Rendi të Ri Botëror dhe, kur më pas, gjatë disa nga viteve më shkatërruese, Ruajtësi i Besimit i kushtoi plotësisht energjitë e tij ngritjes së strukturave të një Sistemi Administrativ që, në fundin e shekullit, qëndron para vështrimit të botës në tërësinë e formës së tij thelbësore. Pra ne vijmë në një urë midis kohërave. Kapacitetet e zhvilluara gjatë një shekulli përpjekjesh e sakrificash nga një grusht dashuruesish të dehur të Bahá'u'lláh-ut tani duhet të zbatohet ndaj detyrave të pashmangshme që mbeten në Epokën Formuese, ku periudhat e saj të shumta të një pune të parreshtur do të çojnë në atë Epokë të Artë të Besimit tonë kur Paqja Më e Madhe do të mbështjellë tokën.
Ne fillojmë në këtë Ridván me një Plan Dymbëdhjetë Mujor. Megjithëse është i shkurtër, duhet dhe do të jetë i mjaftueshëm për të përmbushur disa detyra jetësore dhe të shtrojë udhën për shtytjen e mëpasshme njëzet vjeçare në Planin Hyjnor të Mjeshtrit. Ajo që filloi me kaq kujdes katër vjet më parë - fitimi sistematik i dijes, cilësive dhe aftësive për shërbim - duhet të shtohet. Kudo që ato ekzistojnë, institutet kombëtare dhe lokale duhet të aktivizojnë plotësisht programet dhe sistemet që kanë përshtatur. Atje ku janë identifikuar nevoja të tilla, institute të reja duhen krijuar. Hapa më të mëdhenj duhen ndërmarrë për të sistematizuar punën mësimdhënëse të ndërmarrë nëpërmjet iniciativës individuale dhe sponsorizimit institucional. Pjesërisht për këtë qëllim është fakti që në disa zona të çdo kontinenti Këshilltarët dhe Asambletë Shpirtërore kanë krijuar "Programe Rritjeje Zone". Rezultatet do të sigurojnë një trup eksperience për përfitimin e Planeve të ardhshëm. Individi, institucionet dhe komuniteti lokal nxiten të përqendrojnë vëmendjen e tyre në këto detyra thelbësore, me qëllim që të jemi plotësisht të përgatitur për sipërmarrjen pesë vjeçare që fillon në Ridván 2001 - një sipërmarrje që do ta çojë botën Bahá'í në fazën tjetër në avancimin e procesit të hyrjes me trupa.
Por përtej faktit që u duhet kushtuar vëmendje këtyre detyrave, ndodhet një sfidë presuese që nuk pret. Fëmijët tanë duhet të ushqehen shpirtërisht dhe të integrohen në jetën e Kauzës. Ata nuk duhen lënë të rrëshqasin në një botë kaq të mbushur me rreziqe morale. Në gjendjen aktuale në të cilën ndodhet shoqëria, fëmijët përballen me një fat mizor. Miliona e miliona në vend pas vendi janë shoqërisht të zhvendosur. Fëmijët e gjejnë vetveten të jetërsuar me prindërit dhe të rriturit e tjerë, pavarësisht se jetojnë në kushte pasurie apo varfërie. Ky jetërsim i ka rrënjët në egoizmin e lindur nga një materializëm që është në thelb të afetarisë që ka mbërthyer kudo zemrat e njerëzve. Zhvendosja shoqërore e fëmijëve në kohën tonë është një shenjë e sigurt e një shoqërie në perëndim; megjithatë, kjo gjendje nuk është e kufizuar vetëm në ndonjë racë, klasë, komb apo gjendje ekonomike - i prek ato të gjitha. Zemrat tona pikëllohen kur shohim që në kaq shumë pjesë të botës fëmijët merren ushtarë, shfrytëzohen si punëtorë, shiten pothuaj si skllevër, detyrohen të bëjnë prostitucion, bëhen objekte të pornografisë, braktisen nga prindër që mendojnë vetëm për dëshirat e tyre, dhe u nënshtrohen formave të tjera viktimizuese që janë shumë për t'u përmendur. Shumë nga këto tmerre shkaktohen nga vetë prindërit mbi fëmijët e tyre. Dëmi shpirtëror e psikologjik nuk mund të përllogaritet. Komuniteti ynë mbarëbotëror nuk mund t'i shmanget pasojave të këtyre gjendjeve. Ky fakt duhet të na shtyjë të gjithëve në përpjekje urgjente dhe të vazhdueshme për të mirën e fëmijëve dhe të së ardhmes.
Megjithëse aktivitetet për fëmijë kanë qenë pjesë e Planeve të shkuara, këto kanë lënë për të dëshiruar. Edukimi shpirtëror i fëmijëve dhe paratërinjve është i një rëndësie madhore për përparimin e mëtejshëm të komunitetit. Si rrjedhim është e dorës së parë që të ndreqet kjo e metë. Institutet duhet të sigurojnë që të përfshijnë në programet e tyre trajnimin e mësuesve të klasave të fëmijëve, të cilët të mund të ofrojnë shërbimet e tyre komuniteteve lokale. Por, megjithëse sigurimi i edukimit shpirtëror e akademik të fëmijëve është thelbësor, ai përfaqëson vetëm një pjesë të asaj që duhet për zhvillimin e karakterit dhe formimit të personalitetit të tyre. Gjithashtu ekziston nevoja që individët dhe institucionet në të gjitha nivelet, dmth. komuniteti si një i tërë, të mbajë qëndrimin e duhur ndaj fëmijëve dhe të interesohet për mirëqenien e tyre. Një qëndrim i tillë duhet të qëndrojë shumë larg atij të një rendi që po perëndon me shpejtësi.
Fëmijët janë thesari më i çmuar që mund të zotërojë një komunitet, pasi në ta është premtimi dhe garantimi i së ardhmes. Ata bartin farat e karakterit të shoqërisë së ardhshme e cila formohet në shkallë të madhe nga ajo çka të rriturit që përbëjnë komunitetin bëjnë ose dështojnë të bëjnë me fëmijët. Ata janë një përgjegjësi që asnjë komunitet nuk mund ta shpërfillë pa ndëshkim. Dashuria gjithëpërfshirëse për fëmijët, mënyra e trajtimit të tyre, cilësia e vëmendjes që u tregohet, shpirti i sjelljes prej të rrituri ndaj tyre - të gjitha këto janë ndërmjet aspekteve jetësore të një qëndrimi të domosdoshëm. Dashuria kërkon disiplinë, kurajon për t'i mësuar fëmijët me vuajtjen, jo t'u plotësojmë tekat apo t'i lemë ata krejtësisht të bëjnë si t'u thotë mendja. Duhet krijuar e mbajtur një atmosferë në të cilën fëmijët ta ndiejnë që i përkasin komunitetit dhe kanë pjesën e tyre në qëllimin e tij. Në mënyrë të dashur, por këmbëngulëse, ata duhen udhëzuar të jetojnë sipas standardeve Bahá'í, të studiojnë dhe mësojnë Kauzën në mënyra që u përshtaten rrethanave të tyre.
Midis të rinjve në komunitet janë edhe ata që njihen si paratërinj, mosha e të cilëve lëviz, të themi, nga 12 në 15 vjeç. Ata përfaqësojnë një grup të veçantë me nevoja të veçanta, pasi në njëfarë mënyre ata janë diku midis fëmijërisë dhe rinisë, kur mjaft ndryshime po ndodhin brenda tyre. Vëmendje krijuese duhet t'i kushtohet përfshirjes së tyre në programe aktivitetesh që do të angazhojnë interesimin e tyre, të formojnë kapacitetet e tyre për mësimdhënie e shërbim, dhe t'i përfshijnë ata në ndërveprim social me të rinjtë më të mëdhenj në moshë. Përdorimi i artit në forma të ndryshme mund të ketë vlerë të madhe në aktivitete të tilla.
Dhe tani dëshirojmë t'u drejtohemi me disa fjalë prindërve të cilët kanë përgjegjësinë parësore për rritjen e fëmijëve të tyre. U bëjmë apel atyre që t'i kushtojnë vëmendje konstante edukimit shpirtëror të fëmijëve të tyre. Disa prindër, mesa duket, mendojnë se kjo është përgjegjësi ekskluzive e komunitetit; të tjerë besojnë se me qëllim që të ruajnë pavarësinë e fëmijëve të tyre për të hetuar të vërtetën, nuk u duhet mësuar Besimi. Ka edhe të tjerë që e ndiejnë veten të paaftë të marrin përsipër këtë detyrë. Asnjë nga këto nuk është e drejtë. Mjeshtri i shumëdashur ka thënë që "nënës dhe babait i kërkohet, si detyrë, të përpiqen me mish e me shpirt për ta edukuar e përgatitur vajzën dhe djalin," duke shtuar që "në qoftë se ata e shpërfillin këtë çështje, ata do të cilësohen si përgjegjës dhe të denjë për t'u qortuar në praninë e Zotit të rreptë." Pavarësisht nga niveli i tyre i shkollimit, prindërit kanë një pozicion kritik për formimin e zhvillimit shpirtëror të fëmijëve të tyre Ata kurrë nuk duhet të nënvlerësojnë kapacitetin që kanë për t'i dhënë formë karakterit moral të fëmijëve të tyre. Pasi ata ushtrojnë ndikim të pashmangshëm nëpërmjet mjedisit shtëpiak që ata në mënyrë të ndërgjegjshme e krijojnë me dashurinë e tyre për Perëndinë, përpjekjeve të tyre për t'iu përmbajtur ligjeve të Tij, shpirtit të tyre të shërbimit ndaj Kauzës së tij, mungesës së fanatizmit, dhe lirisë nga efektet gërryese të përgojosjes. Çdo prind që është besimtar i Bukurisë së Bekuar ka përgjegjësinë të sillet në një mënyrë të tillë sa të arrijë të fitojë atë bindje spontane ndaj prindërve së cilës Mësimet i veshin një vlerë kaq të lartë. Natyrisht, përveç përpjekjeve të bëra në shtëpi, prindërit duhet të mbështesin klasat e fëmijëve Bahá'í që ofrohen nga komuniteti. Përveç kësaj, duhet patur gjithmonë parasysh që fëmijët jetojnë në një botë që i informon ata për realitetin e vrazhdë nëpërmjet përjetimit të drejtpërdrejtë të tmerreve të sapo përmendura, ose nëpërmjet derdhjes së pashmangshme të masmedias. Shumë prej tyre, pra, janë të detyruar të piqen para kohe, dhe midis tyre janë ata që kërkojnë standarde dhe disiplinë me anë të të cilave të udhëheqin jetët e tyre. Në kontrast me këtë skenë të vrenjtur të një shoqërie dekadente, fëmijët Bahá'í duhet të shkëlqejnë si emblemat e një të ardhmeje më të mirë.
Pritja jonë është e mbushur plot me mendimin që Këshilltarët Kontinentalë do të mblidhen në Tokën e Shenjtë në Janar 2001 në një ngjarje që do të festojë zënien e selisë së përhershme nga ana e Qendrës Ndërkombëtare të Mësimdhënies në Kodrën e Perëndisë. Anëtarët e Trupit Ndihmës nga e gjithë bota do të marrin pjesë së bashku me ta në një takim që padyshim do të jetë një ngjarjet historike të Epokës Formuese. Mbledhja së bashku e një konstelacioni të tillë oficerësh Bahá'í nga vetë natyra e tij duhet të prodhojë përfitime të panumërta për një komunitet i cili përsëri do të jetë afër fundit të një Plani dhe fillimit të një tjetri. Ndërsa sodisim implikimet, ne i kthejmë zemrat me mirënjohje ndaj shumë të dashurve Duar të Kauzës së Përëndisë 'Ali-Akbar-Furutan dhe 'Ali Muhammad Varqa, të cilët me qëndrimin e tyre në Tokën e Shenjtë mbajtën lart pishtarin e shërbimit që Ruajtësi i shumëdashur ndezi në zemrat e tyre.
Me këtë Plan Dymbëdhjetë Mujor ne kalojmë një urë në të cilën nuk do të kthehemi kurrë. Ne e fillojmë këtë Plan në mungesën tokësore të Amatu'l-Bahá Ruhiyyih Khanum. Ajo qëndroi me ne deri afër fundit të shekullit të njëzetë si një rreze drite që ndriçoi gjatë asaj periudhe të pashoqe të historisë së racës njerëzore. Në Tabelat e Planit Hyjnor, Mjeshtri u qa për paaftësinë e Tij për të udhëtuar anëkënd botës për të ngritur thirrjen Hyjnore, dhe në intensitetin e zhgënjimit të Tij Ai shkroi shpresën: "Të lutem Perëndi! Ju të mund ta arrini atë." Amatu'l Bahá u përgjigj me energji të pashtershme, duke shkelur hapësira të gjera të tokës në 185 vendet që patën privilegjin të merrnin dhuratat e saj të përsosura. Shembulli i saj, që do të ruajë përgjithmonë shkëlqimin e tij, ndriçon zemrat e mijëra e mijëra vetëve anekënd planetit. Kundrejt pamjaftueshmërisë sonë për të bërë ndonjë veprim tjetër, a nuk duhet që ne të gjithë t'i përkushtojmë përpjekjet tona të përulura gjatë këtij Plani në kujtim të asaj për të cilën mësimdhënia ishte qëllimi parësor, gëzimi i përsosur i jetës?
Stina shkëlqyese e Riḍván është pranë dhe, nga lartësitë ku ka arritur bashkësia e Emrit më të Madh, perspektiva të ndritshme duken në horizont. Është përshkruar një truall i gjerë: janë shfaqur programe të reja rritjeje dhe, ndërsa duhet të shfaqen ende qindra të tjera në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, tashmë kanë nisur përpjekjet për të vënë në lëvizje rendin e nevojshëm të veprimtarisë në pothuajse çdonjërën prej zonave të nevojshme për të arritur 5.000·të e kërkuara nga Plani Pesëvjeçar. Programet ekzistuese po rriten në forcë, shumë prej tyre duke treguar më qartë se çfarë do të thotë për Kauzën e Perëndisë të depërtojë më tej në peizazhin shoqëror përmes një zone dhe përbrenda një fqinjësie ose fshati. Shtigjet që çojnë në përhapje dhe përforcim të qëndrueshëm në shkallë të gjerë po ndiqen me hapa më të fortë, me ritmin e vendosur shpesh nga të rinj të guximshëm. Po bëhen të dukshme mënyrat me të cilat, në rrethana të larmishme, mund të gjejë lirim fuqia shoqëri-ndërtuese e Besimit dhe, dalëngadalë, po bëhen më të dallueshme ato tipare përcaktuese që duhet të vijnë të shënojnë shpalosjen e mëtejshme të procesit të rritjes në një zonë.
Thirrja për ta kryer dhe për ta mbështetur këtë punë i drejtohet çdo pasuesi të Bahá’u’lláh dhe do të ndjellë një reagim në çdo zemër që vuan gjendjen e mjeruar të botës, prej rrethanave të vajtueshme të të cilave kaq shumë njerëz janë të paaftë të fitojnë lehtësim. Sepse, në fund të fundit, është të vepruarit me rend, të vendosur dhe vetëmohues i ndërmarrë në përqafimin e gjerë të strukturës së Planit, që është kundërveprimi më dobiprurës i çdo besimtari të shqetësuar ndaj sëmundjeve që shumëfishohen të një shoqërie të çrregulluar. Përgjatë vitit të kaluar, është bërë edhe më e qartë që, në kombe të ndryshme në mënyra të ndryshme, bashkëpëlqeimi shoqëror rreth idealeve që tradicionalisht kanë bashkuar dhe lidhur së bashku një popull po brehet dhe prishet gjithnjë e më shumë. Ai nuk mundet të ofrojë më një mbrojtje të besueshme kundrejt një shumëllojshmërie ideologjish vetë-shërbyese, moslëshuese dhe helmuese që ushqehen me pakënaqësi dhe fyerje. Në një botë të acaruar që duket çdo ditë më pak e sigurtë në vetvete, ithtarët e këtyre mësimeve shkatërruese bëhen më të guximshëm dhe të pacipë. Kujtojmë vendimin e qartë të Pendës më të Lartë: “Ata nxitojnë përpara drejt Zjarrit të Ferrit dhe e ngatërrojnë atë me dritën.” Udhëheqës kombesh me qëllime të mira dhe njerëz dashamirës lihen duke luftuar për të ndrequr çarjet e dukshme në shoqëri dhe janë të pafuqishëm për ta parandaluar përhapjen e tyre. Ndikimet e gjithë kësaj nuk shihen vetëm në përleshje të dukshme ose një rrëzim të rendit. Në mosbesimin që vë të ndeshet fqinji me fqinjin dhe ndan lidhjet familjare, në armiqësinë e kaq shumë prej gjërave që merren për bisedë shoqërore, në shkujdesjen me të cilën joshjet ndaj nxitjeve të pandershme njerëzore përdoren për të fituar fuqi dhe për të grumbulluar pasuri – në të gjitha këto gjenden shenja të pagabueshme që forca morale që mbështet shoqërinë është shteruar rëndë.
Megjithatë, gjendet qetësim në dijen që, midis shpërbërjes, po merr formë një lloj i ri jete të përbashkët, e cila u jep shprehësi praktike të gjitha gjërave që janë hyjnore në qeniet njerëzore. Kemi vënë re sesi, sidomos në ato vende ku është mbajtur intensiteti i mësimdhënies dhe i veprimtarive bashkësi-ndërtuese, miqtë kanë qenë të aftë ta ruajnë veten nga forcat e materializmit, që rrezikojnë t’i dobësojnë fuqitë e tyre të çmuara. Jo vetëm kaq, por duke menaxhuar kërkesat e tjera të ndryshme ndaj kohës së tyre, ata kurrë nuk i lënë në harresë detyrat e shenjta dhe të ngutshme përpara tyre. Një vëmendje e tillë kundrejt nevojave të Besimit dhe dobive më të mira të njerëzimit kërkohet në çdo bashkësi. Aty ku është ngritur një program rritjeje në një zonë të pahapur më parë, ne shohim se si rrjedhin shenjat e para të veprimtarisë prej dashurisë së Bahá’u’lláh të mbajtur në zemrën e një besimtari të devotshëm. Pavarësisht rendeve të ndërlikimit që duhet të përshtaten ndërsa bashkësia rritet në madhësi, gjithë veprimtaria fillon me këtë fije të thjeshtë dashurie. Është fija jetësore nga e cila thuret një rend përpjekjeje të duruar e të përqendruar, cikël pas cikli, për të njohur fëmijë, të rinj dhe të rritur me ide shpirtërore; për të ushqyer një ndjenjë adhurimi përmes takimeve të lutjeve dhe të devotshmërisë; për të nxitur biseda që e ndriçojnë të kuptuarit; për të futur numra gjithnjë në rritje në një jetë studimi të Fjalës Krijuese dhe përkthimit të saj në vepra; për të zhvilluar, përkrah të tjerëve, aftësi për shërbim; dhe për ta përcjellë njëri- tjetrin në ushtrimin e asaj çfarë është mësuar. Të dashur miq, të dashuruar të Bukurisë Abhá: Ne lutemi për ju me zell në çdo rast që e paraqesim veten tonë para Pragut të Tij të Shenjtë, që dashuria juaj për Të të mund t’ju japë forcën për t’ia kushtuar jetët tuaja Kauzës së Tij.
Rrokjet e pasura që dalin nga zona dhe nga qendra veprimtarie të përqendruara përbrenda tyre, ku dinamikat e jetës së bashkësisë kanë përqafuar numra të mëdhenj njerëzish, meritojnë përmendje të veçantë. Jemi mirënjohës teksa shohim se si një kulturë mbështetjeje të ndërsjelltë, e themeluar në miqësi dhe shërbim të përunjur, është krijuar kaq natyrshëm në lagje të tilla, duke aftësuar gjithnjë e më shumë shpirtra të sillen me rend në kuadrin e veprimtarive të bashkësisë. Me të vërtetë, në një numër në rritje rrethanash, lëvizja e një popullate drejt vizionit të Bahá’u’lláh për një shoqëri të re nuk duket më thjesht si një perspektivë magjepsëse, por si një realitet në zhvillim. Ne dëshirojmë t’u drejtojmë disa fjalë të tjera atyre prej jush përreth të cilëve duhet ende të ndodhë një përparim i dukshëm dhe të cilët digjen për këtë ndryshim. Kini shpresë. Nuk do të jetë gjithnjë kështu. A nuk është historia e Besimit e mbushur me tregime të fillimeve jopremtuese, por e përfundimeve të mrekullueshme? Sa herë ia kanë dalë, në atmosfera në dukje jomiqësore, disa besimtarë – të rinj apo të vjetër – ose një familje e vetme, madje edhe një shpirt i vetëm, kur janë përforcuar nga fuqia e ndihmës hyjnore, të kultivojnë bashkësi plot gjallëri? Mos mendoni se rasti juve vetë ka ndonjë ndryshim të qenësishëm. Ndryshimi në një zonë, qoftë i shpejtë ose i fituar me vështirësi, nuk rrjedh as nga ndonjë qasje formulare, as nga veprimtaria e rastësishme, por buron nga ritmi i veprimit, reflektimit dhe konsultimit dhe shtyhet nga plane që janë fryt i përvojës. Përtej kësaj dhe çfarëdo qofshin ndikimet e menjëhershme, shërbimi ndaj të Dashurit është, në vetvete, një burim lumturie të qëndrueshëm për shpirtin. Merrni zemër, gjithashtu, nga shembulli i të afërmve tuaj shpirtëror në Djepin e Besimit, sesi botëkuptimi i tyre dobiprurës, qëndresa e tyre si bashkësi dhe qëndrueshmëria në përhapjen e Fjalës Hyjnore po sjellin ndryshime në shoqërinë e tyre në nivelin e të menduarit dhe të vepruarit. Perëndia është me ju, me secilin prej jush. Në dymbëdhjetë muajt që mbeten nga Plani, le të përparojë çdo bashkësi nga vendndodhja e saj e tanishme në një më të fortë.
Puna kaq e rëndësishme e përhapjes dhe e përforcimit vendos një themel të fortë për përpjekjet që është thirrur të ndërmarrë bota Bahá’í në sfera të tjera të shumta. Në Qendrën Botërore Bahá’í përpjekjet po përqendrohen për të përfshirë në katalog dhe për të pajisur me tregues në mënyrë të rregullt përmbajtjen e mijëra Tabelave, që përbëjnë atë trashëgimi pafundësisht të vlefshme, Tekstet e Shenjta të Besimit tonë, të mbajtura në mirëbesim për të mirën e gjithë njerëzimit – kjo, për të përshpejtuar botimin e vëllimeve të Shkrimeve, si në gjuhët e tyre zanafillore, ashtu dhe përkthimet e tyre në anglisht. Përpjekjet për të ndërtuar tetë Mashriqu’l-Adhkár, Tempuj të shenjtë të ngritur për lavdinë e Perëndisë, vazhdojnë me shpejtësi. Puna për çështjet e jashtme në nivel kombëtar është rritur dukshëm në efikasitet dhe është bërë gjithnjë e më me rend, e nxitur më tej nga lëshimi i një dokumenti, dërguar të gjitha Asambleve Shpirtërore
Kombëtare gjashtë muaj më parë, i cili bazohet në përvojën e shumtë të fituar përgjatë dy dhjetëvjetorëve të fundit dhe ofron një kuadër për t’i zhvilluar këto përpjekje në të ardhmen. Ndërkohë, dy Zyra të reja të Bashkësisë Ndërkombëtare Bahá’í, motra të Zyrave të saj të Kombeve të Bashkuara të ndodhura në New York e Gjenevë dhe të Zyrës së saj në Bruksel, janë hapur në Addis Ababa dhe Jakarta, duke zgjeruar mundësitë për perspektivën e Kauzës, për t’u ofruar në nivel ndërkombëtar në Afrikë dhe në Azinë Juglindore. Nxitur shpesh nga kërkesat e rritjes, një sërë Asamblesh Kombëtare po ngrenë aftësitë e tyre administrative, të dukshme në kujdestarinë e tyre të kujdesshme të burimeve në dispozicionin e tyre, në përpjekjet për t’u njohur nga afër me kushtet e bashkësive të tyre dhe në kujdesin për të arritur që funksionimi i Zyrave të tyre kombëtare të rritet gjithnjë e më shumë; nevoja për të renditur masën mbresëlënëse të dijes së mbledhur në këtë fushë ka çuar në krijimin e Zyrës për Zhvillimin e Rendeve Administrative në Qendrën Botërore. Nismat për veprimtari të shumëllojshme shoqërore vazhdojnë të shumëfishohen në shumë vende, duke bërë të mundur për të mësuar shumë rreth mënyrës se si mund të zbatohet urtësia e sanksionuar në Mësimet për të përmirësuar rrethanat shoqërore dhe ekonomike; kaq premtuese është kjo fushë, saqë në Zyrën e Zhvillimit Shoqëror dhe Ekonomik ne kemi themeluar një Bord Ndërkombëtar Këshillues prej shtatë anëtarësh, duke paraqitur fazën tjetër të evoluimit të kësaj Zyre. Tre anëtarë të Bordit do të shërbejnë gjithashtu si ekipi koordinues i Zyrës dhe do të banojnë në Tokën e Shenjtë.
Në këtë Riḍván, pra, ndërsa shohim shumë për t’u bërë, ne shohim shumë të gatshëm për ta kryer atë. Në mijëra zona, fqinjësi dhe fshatra po derdhen radhazi burime të freskëta besimi e sigurie, duke lumturuar shpirtrat e atyre që preken nga ujërat e tyre gjallëruese. Në disa vende rrjedha është një përrua, në disa, tashmë një lumë. Tani nuk është koha për asnjë shpirt që të qëndrojë gjatë në breg – le t’ia japim veten plotësisht dallgës që shkon përpara.
Kanë kaluar tre vjet të plota që nga fillimi i fazës aktuale të shpalosjes së Planit Hyjnor, një ndërmarrje që lidh së bashku ndjekësit e Bahá’u’lláh·ut në një përpjekje të bashkuar shpirtërore. Vetëm dy vjet i ndajnë miqtë e Perëndisë nga përfundimi i tij. Të dy lëvizjet themelore të cilat vazhdojnë ta shtyjnë përpara procesin e rritjes – rrjedha e qëndrueshme e pjesëmarrësve përgjatë serisë së kurseve të institutit të trajnimit dhe lëvizja e zonave përgjatë një vazhdimësie zhvillimi – janë përforcuar pafundësisht me shpërthimin e energjisë së lëshuar në konferencat rinore të mbajtura vitin e kaluar. Kapaciteti i zgjeruar që ka fituar bota Bahá’í për të mobilizuar një numër të madh të rinjsh në fushën e shërbimit, tanimë mund të japë fryte të mëtejshme. Për kohën që mbetet, bëhen urgjente detyrat vendimtare të forcimit të programeve ekzistuese të rritjes dhe për të filluar programe të reja. Komuniteti i Emrit Më të Madh është pozicionuar mirë, para përfundimit të kësaj periudhe, për t’u shtuar zonave ku janë ngritur tashmë programe të tilla, dy mijët që i mbeten synimit
Sa të lumtur jemi tek shohim që kjo përpjekje është duke përparuar energjikisht në të gjitha rajonet e largëta të globit dhe në një larmi rrethanash e mjedisesh, në zona që tashmë numërohen në rreth tre mijë. Shumë zona janë në një pikë ku vrulli është duke u gjeneruar nëpërmjet zbatimit të disa linjave të thjeshta të veprimit. Në të tjera, pas cikleve të njëpasnjëshme të aktiviteteve, është rritur numri i individëve që ndërmarrin iniciativa në kuadër të Planit dhe është intensifikuar ritmi i aktiviteteve; sikurse, përmes eksperiencës, është rritur cilësia e procesit të edukimit shpirtëror dhe shpirtrat janë tërhequr më lehtë që të përfshihen në të. Herë pas here, mund ketë një përgjumje të aktiviteteve apo një pengesë përpara; duke kërkuar konsultime mbi arsyet e bllokimit, kombinuar me durim, kurajo e këmbëngulje, bëhet e mundur që vrulli të rifitohet. Në gjithnjë e më shumë zona, programi i zhvillimit po rritet në shtrirje dhe kompleksitet, proporcionalisht me kapacitetin në rritje të tre protagonistëve të Planit – individit, komunitetit dhe institucioneve të Besimit – për të krijuar një ambient reciprokisht mbështetës. Dhe ne jemi të gëzuar që, ashtu siç ishte parashikuar, ka një numër në rritje zonash ku tani njëqind apo më shumë individë po lehtësojnë angazhimin e një mijë apo më shumë të tjerëve në thurjen e modelit të një jete shpirtërore, dinamike, transformuese. Në themel të procesit, madje që në fillim është, sigurisht, një lëvizje kolektive drejt vizionit të prosperitetit material e shpirtëror përcaktuar nga Ai Që është Jetëdhënësi i Botës. Por, kur janë të përfshirë numra të tillë kaq të mëdhenj, lëvizja e një popullsie të tërë bëhet e dukshme
Kjo lëvizje është veçanërisht e dukshme në ato zona ku pritet të ngrihet një Mashrikul Azkar lokal. Një gjë e tillë, për shembull, është në Vanuatu. Miqtë që banojnë në ishullin Tanna kanë bërë një përpjekje supreme për të rritur vetëdijësimin për Shtëpinë e Adhurimit që është planifikuar të ngrihet dhe, në një mënyrë a një tjetër, kanë përfshirë tashmë jo më pak se një të tretën e 30.000 banorëve të ishullit në një bashkëbisedim të ngritur rreth domethënies së saj, në një larmi mënyrash. Aftësia për të mbajtur një bisedë të ngritur në mesin e kaq shumë njerëzve është mprehur përgjatë viteve të përvojës në ndarjen e mësimeve të Bahá’u’lláh·ut dhe në zgjerimin e shtrirjes së një instituti të gjallë trajnimi. Grupet e paratërinjve në ishull janë veçanërisht të lulëzuar, të nxitur edhe nga mbështetja e kryetarëve të fshatrave, të cilët e shohin se si pjesëmarrësit janë fuqizuar shpirtërisht. Të inkurajuar nga uniteti dhe përkushtimi që ekziston midis tyre, këta të rinj kanë larguar jo vetëm plogështinë e pasivitetin nga vetja e tyre, por, nëpërmjet projekteve të ndryshme praktike, kanë gjetur mjete për të punuar për të mirën e komunitetit të tyre, dhe, si rezultat, nga të gjitha moshat, e jo më pak prindërit e tyre, janë nxitur në veprime të dobishme. Në mesin e besimtarëve dhe të shoqërisë më të gjerë po njihet dhe vlerësohet fakti që mund t’i drejtohen një Asambleje Shpirtërore Lokale për udhëheqje dhe për zgjidhjen e situatave të vështira; nga ana tjetër, vendimet e Asambleve Shpirtërore po karakterizohen gjithnjë e më shumë nga dituria dhe ndjeshmëria. Këtu ka shumë për të treguar që, kur elementet e kornizës për veprim të Planit janë kombinuar për të formuar një tërësi koherente, ndikimi në popullsi mund të jetë i thellë. Dhe në sfondin e përhapjes dhe konsolidimit të vazhdueshëm – ka dalë në përfundimin cikli i tridhjetë i programit intensiv të rritjes kohët e fundit – që miqtë janë duke e eksploruar aktivisht, me pjesën tjetër të banorëve të ishullit, se çfarë do të thotë që një Mashrikul Azkar, një “qendër kolektike për shpirtrat e njerëzve”, të ngrihet në mesin e tyre. Me mbështetjen aktive të udhëheqësve tradicionalë, banorët e ishullit Tanna kanë ofruar jo më pak se njëqind projekt-ide për Tempullin, duke demonstruar për shkallën në të cilën Shtëpia e Adhurimit ka kapur imagjinatën dhe për perspektivat magjepsëse që janë hapur në ndikimin që është caktuar të ushtrojë në jetët e atyre që do të jetojnë nën hijen e Ky imazh inkurajues ka të ngjashmit e vet në shumë zona të avancuara, ku implikimet e mësimeve të Bahá’u’lláh·ut po barten në mënyrën e të jetuarit në lagje dhe fshatra. Në secilën prej tyre, një popullsi gjithnjë e më e vetëdijshme për Personin e Bahá’u’lláh·ut, është duke mësuar, përmes reflektimit mbi përvojën, konsultimit dhe studimit, se si të veprojë në përputhje me të vërtetat e mishëruara në Revelacionin e Tij, duke arritur që rrethi në zgjerim i farefisnisë shpirtërore të bëhet gjithnjë e më i afërt, i bashkuar fort me lidhjet e adhurimit dhe shërbimit kolektiv
Në shumë mënyra, komunitetet që kanë bërë progres të mëtejshëm po lënë gjurmë në një shteg ftues për të tjerët që t’i ndjekin. Megjithatë, pavarësisht nga niveli i aktiviteteve në zonë, përparimin në udhën e zhvillimit e nxit kapaciteti në mesin e miqve lokalë për të mësuar brenda një kornize të përbashkët. Gjithkush ka pjesë në këtë ndërmarrje; kontributi i secilit shërben për ta pasuruar të tërën. Zonat më dinamike janë ato në të cilat, pavarësisht nga burimet që zotëron komuniteti apo nga numri i aktiviteteve të ndërmarra, miqtë vlerësojnë se detyra e tyre është për të identifikuar se çfarë është e nevojshme të bëhet që të ndodhë përparimi – kapaciteti i sapolindur që duhet ushqyer, zotësia e re që duhet fituar, nismëtarët e një përpjekjeje të re që duhen shoqëruar, hapësira për reflektim që duhet kultivuar, përpjekja kolektive që duhet koordinuar – dhe pastaj të gjejnë mënyra kreative me anë të të cilave mund të vihen në dispozicion koha dhe burimet e nevojshme për ta arritur atë. Vetë fakti që çdo grup rrethanash paraqet sfidat e veta, po i mundëson çdo komuniteti që, jo vetëm të përfitojë nga dija e mbledhur në pjesën tjetër të botës Bahá’í, por të kontribuojë edhe në shtimin e asaj mase dijesh. Vetëdijësimi mbi këtë realitet e çliron çdo komunitet prej kërkimit të pafrytshëm për një formulë të ngurtë veprimi, ndërkohë që i lejon njohuritë e grumbulluara në mjedise të ndryshme ta informojnë procesin e rritjes, ndërsa ai merr formë të veçantë në rrethanat e tij konkrete. E tërë kjo qasje është plotësisht në kundërshtim me konceptet e ngushta të “suksesit” dhe “dështimit”, që ngjallin entuziazëm të tepruar ose paralizojnë vullnetin. Shkëputja është e nevojshme. Kur përpjekjet bëhen tërësisht për hir të Perëndisë, atëherë të gjitha që ndodhin i takojnë Atij dhe çdo fitore e korrur në Emër të Tij është një rast për ta falenderuar Atë
Në Shkrimet e Besimit tonë flitet kaq shumë për marrëdhëniet në mes përpjekjeve të ushtruara dhe ndihmës qiellore të dhuruar në përgjigje: “Në qoftë se ju vetëm ushtroni përpjekje”, na siguron Mjeshtri në njërën prej Tabelave të Tij, “është e sigurtë që këto shkëlqime do të rrezatojnë, këto re të mëshirës do të reshin shiun e tyre, këto erëra jetëdhënëse do të ngrihen e do të fryjnë, ky myshk erëmirë do të shpërndahet gjithandej.” Në vizitat tona të shpeshta në Mauzoletë e Shenjtë, ne i lutemi me zell Fuqiplotit në emrin tuaj, që Ai t’ju mbështesë e t’ju forcojë, që t’i bekojë përpjekjet tuaja për të arritur deri tek ata që nuk janë njohur ende me mësimet hyjnore e t’i konfirmojë në rrugën e Tij, dhe që besimi juaj në favoret e Tij të pafundme të jetë i palëkundshëm. Ju nuk mungoni kurrë në lutjet tona, dhe ne kurrë nuk do të pushojmë së kujtuari në lutjet tona aktet tuaja të shenjta të besnikërisë. Ndërsa sjellim parasysh detyrat e ngutshme që shtrihen para pasuesve të Bukurisë së Bekuar përgjatë dy viteve të ardhshme, thirrja e thekshme e Mjeshtrit për të vepruar është një nxitje për shpirtin: “Grisni perdet, hiqni pengesat, ofroni ujërat jetëdhënës, dhe nxirrni në pah rrugën e shpëtimit.”
Me të tilla fjalë të gëzueshme e përshkruan Pena Supreme ardhjen e ditës së bashkimit dhe mbledhjes së toku. Bahá’u’lláh vijon: “Vijini veshin, O miq të Perëndisë, zërit të Atij Që bota e ka keqtrajtuar dhe përmbajuni fort çfarëdo gjëje që do të lartësojë Kauzën e Tij.” Ai më tej i nxit pasuesit e tij: “Me miqësinë më të madhe dhe me frymën e vëllazërisë së përkryer këshillohuni së bashku, dhe kushtojani ditët e çmuara të jetës suaj përmirësimit të botës dhe përkrahjes së Kauzës së Atij Që është Zoti i Lashtë e Sovran i gjithçkaje.”
Të dashur bashkëpunëtorë: Kjo shpallje energjike vjen në mendje e pakërkuar, kur shohim përpjekjet tuaja të shenjta përreth botës në përgjigje të thirrjes së Bahá’u’lláh-ut. Përgjigjja e shkëlqyer kundrejt thirrjes së Tij mund të dëshmohet në çdo anë. Për ata të cilët ndalen për të reflektuar mbi shpalosjen e Planit Hyjnor, bëhet e pamundur të shpërfillin se si fuqia e zotëruar nga Fjala e Perëndisë po sundon në zemrat e grave dhe burrave, fëmijëve dhe të rinjve, në shtet pas shteti, në zonë pas zone.<p>Një komunitet mbarëbotëror po përmirëson aftësinë e tij për të lexuar realitetin e tij të tanishëm, për të analizuar mundësitë e tij dhe për të zbatuar mençurisht metodat dhe instrumentet e Planit Pesëvjeçar. Siç pritej, përvoja po grumbullohet tepër shpejt në zona ku kufijtë e të nxënit po përparohen ndërgjegjësisht. Në vende të këtilla, njihen mirë mjetet për të mundësuar një numër gjithnjë në rritje individësh për të fuqizuar kapacitetin e tyre për të shërbyer. Një institut trajnimi i gjallë vepron si shtylla për përpjekjet e komunitetit për ta përparuar Planin dhe, sa më herët të jetë e mundur, zotësitë dhe aftësitë e zhvilluara përmes pjesëmarrjes në kurset e institutit përdoren në terren. Disa, përmes bashkëveprimeve të tyre të përditshme, ndeshin shpirtra të cilët janë të hapur për të eksploruar çështje shpirtërore, kryer në një larmi mjedisesh; disa janë në gjendje që t’i përgjigjen receptivitetit në një fshat ose lagje, ndoshta duke u zhvendosur te zona. Numra në rritje ngrihen për të marrë përsipër përgjegjësitë, duke zgjeruar radhët e atyre që shërbejnë si tutorë, animatorë dhe mësues të fëmijëve; të cilët administrojnë dhe bashkërendojnë; ose të cilët përpiqen në një mënyrë tjetër në mbështetje të punës. Zotimi i miqve për të nxënë shprehet përmes qëndrueshmërisë në përpjekjet e vetë atyre dhe një dëshire për të shoqëruar të tjerë në të tyren. Për më tepër, ata janë të aftë t’i mbajnë vendosmërisht para tyre dy pikëpamje plotësuese mbi modelin e veprimit që po zhvillohet në zonën: një, cikli tri-mujor i veprimit – pulsi ritmik i programit të rritjes – dhe tjetra, fazat e ndryshme të një procesi edukimor për fëmijë, për paratërinj dhe për të rinj e të rritur. Ndërsa kuptojnë qartësisht marrëdhënien që i lidh këto tri faza, miqtë janë të vetëdijshëm që secila ka dinamikat e veta, kërkesat e veta dhe meritën e vet të qenësishme. Mbi të gjitha, ata janë të vetëdijshëm rreth veprimit të forcave të fuqishme shpirtërore, ndikimet e të cilave mund të dallohen po aq në të dhënat sasiore, të cilat pasqyrojnë zhvillimin e komunitetit, sa edhe në vargun e historive që tregojnë arritjet e tij. Çfarë është sidomos premtuese është që kaq shumë prej këtyre tipareve dalluese e të spikatura, të cilat karakterizojnë zonat e përparuara në shkallë më të larta, janë gjithashtu të dukshme në komunitete në pika shumë më të hershme në zhvillimin e tyre.
Ndërsa përvoja e miqve është thelluar, është rritur kapaciteti për të nxitur në një zonë një model jete të pasur e të ndërlikuar, duke përqafuar qindra ose madje mijëra njerëz. Sa të kënaqur jemi të vërejmë kuptimet e shumta që besimtarët po fitojnë nga përpjekjet e tyre. Ata vlerësojnë, për shembull, që shpalosja shkallë-shkallë e Planit në nivelin e zonës është një proces dinamik, një i cili medoemos është kompleks dhe nuk ia lejon vetes të thjeshtësohet lehtësisht. Ata shohin se si ecën përpara ndërsa rrisin aftësinë e tyre, si për të ngritur burime të reja njerëzore, ashtu edhe për të bashkërenduar e për të organizuar mirë veprimet e atyre që ngrihen. Miqtë kuptojnë që ndërsa këto kapacitete rriten, bëhet e mundur të integrohen një numër më i gjerë nismash. Po ashtu, tashmë kanë kuptuar që kur paraqitet një tipar i ri, kërkon vëmendje të veçantë për ca kohë, por që në asnjë mënyrë nuk pakëson domethënien e aspekteve të tjera të përpjekjeve për ndërtimin e komunitetit. Sepse ata kuptojnë që nëse të nxënit do të jetë mënyra e veprimit të tyre, ata duhet të jenë syçelët për potencialin e ofruar nga çfarëdo mjeti i Planit që dëshmon të jetë veçanërisht i përshtatshëm për një çast në kohë dhe, kur të kërkohet, të shpenzojnë më shumë energji në zhvillimin e tij; nuk do të thotë, megjithatë, që çdo njeri duhet të jetë i zënë me të njëjtin aspekt të Planit. Miqtë kanë mësuar gjithashtu që nuk është e nevojshme që fokusi kryesor i fazës së përhapjes të çdo cikli të një programi rritjeje të drejtohet drejt të njëjtit synim. Kushtet mund të kërkojnë që në një cikël të caktuar, për shembull, vëmendja të drejtohet kryesisht në ftimin e shpirtrave për ta përqafuar Besimin përmes përpjekjeve për mësimdhënie të përqendruara, të ndërmarra nga individë ose në mënyrë kolektive; në një tjetër cikël, fokusi mund të përqëndrohet në shumëfishimin e një veprimtarie bazë të veçantë.
Për më tepër, miqtë janë të vetëdijshëm që puna e Kauzës ecën me shpejtësi të ndryshme në vende të ndryshme dhe për arsye të mira – ajo është, në fund të fundit, një dukuri organike – dhe marrin gëzim e kurajo nga çdo shembull progresi që shohin. Me të vërtetë, ata kuptojnë që dobia që mblidhet nga kontributi i çdo individi për zhvillimin e së tërës dhe rrjedhimisht shërbimi i kryer nga secili, në përputhje me mundësitë e krijuara nga rrethanat e një personi, mirëpritet nga të gjithë. Takimet për reflektim shihen gjithnjë e më shumë si raste ku përpjekjet e komunitetit, në tërësinë e tyre, janë tema e diskutimeve të sinqerta e frymëzuese. Pjesëmarrësit mësojnë çka është arritur në përgjithësi, kuptojnë përpjekjet e veta në atë dritë dhe shtojnë dijen e tyre rreth procesit të rritjes, duke thithur këshillat e institucioneve dhe duke marrë nga përvoja e bashkëbesimtarëve të tyre. Një përvojë e tillë po ndahet gjitashtu në hapësira të tjera të shumta që po shfaqen për konsultimin midis miqve që janë të përfshirë në mënyrë të përqëndruar në përpjekje të veçanta, qoftë duke ndjekur një linjë veprimi të përbashkët ose duke shërbyer në një pjesë të veçantë të zonës. Të gjitha këto kuptime janë të vendosura në një vlerësim më të gjerë, që progresi arrihet më lehtë në një mjedis të mbushur me dashuri – një në të cilin të metave nuk u kushtohet vëmendje e shihen me vetëpërmbajtje, pengesat kalohen me durim dhe qasjet e vërtetuara përqafohen me entuziazëm. Dhe kështu ndodh që, përmes drejtimit të urtë të institucioneve dhe agjencive të Besimit që veprojnë në çdo nivel, përpjekjet e miqve, sado të thjeshta individualisht, bashkohen në një përpjekje të përbashkët për të siguruar që receptiviteti ndaj thirrjes së Bukurisë së Bekuar dallohet shpejt dhe ushqehet në mënyrë të dobishme. Një zonë në këto kushte është qartësisht një e tillë ku marrëdhëniet midis individëve, institucioneve dhe komunitetit – tri personazhet kryesore të Planit – janë duke u zhvilluar në mënyrë të shëndetshme.
Nga ky peizazh veprimtarie në lulëzim, një pamje meriton përmendje të veçantë. Në mesazhin që ju drejtuam tri vite më parë, ne shprehëm shpresën që, në zona me një program intensiv të rritjes në veprim, miqtë do të përpiqeshin të mësonin më shumë rreth mënyrave të ndërtimit të komuniteteve duke zhvilluar qendra veprimtarie të përqendruar në fqinjësi dhe fshatra. Shpresat tona janë tejkaluar, sepse edhe në zona ku programi i rritjes ende nuk ka arritur intensitet, përpjekjet nga disa për të filluar aktivitete bazë midis banorëve të zonave të vogla, shpeshherë kanë treguar efikasitetin e tyre. Në thelb, kjo qasje përqendrohet mbi përgjigen ndaj mësimeve të Bahá’u’lláh-ut nga ana e popullsive të cilat janë të gatshme për shndërrimin shpirtëror që ushqen Revelacioni i Tij. Përmes pjesëmarrjes në procesin edukimor përkrahur nga instituti i trajnimit, ata nxiten që ta flakin plogështinë dhe indiferencën e ngulitur nga forcat e shoqërisë dhe të ndjekin, në vend të kësaj, modelet e veprimit që dëshmojnë të jenë jetë-shndërruese. Aty ku kjo qasje ka përparuar për disa vite në një fqinjësi ose fshat dhe miqtë e kanë mbajtur përqendrimin e tyre, rezultate të shquara po bëhen gradualisht por pagabueshmërisht të dukshme. Të rinjtë fuqizohen për të marrë përgjegjësi për zhvilllimin e atyre rreth tyre të cilët janë më të rinj se vetë ata. Brezat më të moshuar e mirëpresin kontributin e të rinjve për diskutime kuptimplota rreth çështjeve të mbarë komunitetit. Për të rinj e të moshuar njësoj, disiplina e kultivuar përmes procesit edukimor të komunitetit ngren kapacitetin për konsultim dhe shfaqen hapësira të reja për bashkëbisedim kuptimplotë. Sidoqoftë, ndryshimi nuk është i kufizuar vetëm për Bahá’í-të dhe ata të cilët janë të përfshirë në aktivitetet bazë të kërkuara nga Plani, të cilët mund të priten në mënyrë të arsyeshme të përvetësojnë mënyra të reja të të menduarit me kalimin e kohës. Vetë shpirti i vendit ndikohet. Një qëndrim devocional merr formë në një pjesë të gjerë të shoqërisë. Shprehje të barazisë midis burrave dhe grave bëhen më të theksuara. Edukimi i fëmijëve, si djem ashtu edhe vajza, kërkon vëmendje më të madhe. Karakteri i marrëdhënieve përbrenda familjeve – i farkëtuar nga supozime shekullore – ndryshon dukshëm. Një ndjesi detyre kundrejt komunitetit të afërt dhe mjedisit fizik të vetes bëhet mbizotërurese. Madje kamzhiku i paragjykimit, që hedh hijen e tij të dëmshme në çdo shoqëri, fillon t’i dorëzohet forcës detyruese të unitetit. Shkurtimisht, puna e ndërtimit të komuniteteve me të cilën janë përfshirë miqtë, ndikon aspektet e kulturës.
Ndërsa përhapja dhe konsolidimi kanë përparuar vazhdimit gjatë vitit të kaluar, fusha të tjera të rëndësishme veprimtarie kanë përparuar gjthashtu, shpesh në paralel të afërt. Si një shembull parësor, përparimet në nivelin e kulturës që po dëshmohen në disa fshatra dhe fqinjësi janë, në masë jo të vogël, për shak të çka po mësohet nga përfshirja Bahá’í në veprimin shoqëror. Zyra e Zhvillimit Shoqëror dhe Ekonomik e jonë, së fundi përgatiti një dokument që nxjerr tridhjetë vjetë përvoje që është grumbulluar në këtë fushë që kur ajo Zyrë u themelua në Qendrën Botërore Bahá’í. Ndër vëzhgimet që bën është që përpjekjeve për t’u përfshirë në veprim shoqëror u jepet një shtysë jetësore nga instituti i trajnimit. Kjo nuk është thjesht përmes rritjes në burimet njerëzore që ai ushqen. Kuptimet shpirtëore, cilësitë dhe aftësitë që kultivohen nga procesi i institutit kanë dëshmuar të jenë aq vendimtare për pjesëmarrjen në veprim shoqëror sa janë për kontribuimin në procesin e rritjes. Për më tepër, shpjegohet se si sferat e ndryshme të përpjekjes së komunitetit Bahá’í drejtohen nga një kornizë konceptuale, e përbashkët dhe në zhvillim, e përbërë nga elemente që përforcojnë njëri-tjetrin, megjithëse këto shprehen në mënyra të larmishme në fusha të ndryshme veprimi. Dokumenti që kemi përshkruar u nda kohët e fundit me Asambletë Shpirtërore Kombëtare dhe ne i ftojmë ata, në konsultim me Këshilltarët, të marrin parasysh se si konceptet që shqyrton mund të ndihmojnë për të përmirësuar përpjekjet ekzistuese të veprimit shoqëror të ndjekura nën mbikëqyrjen e tyre dhe të ngjallin vetëdije rreth kësaj fushe të përpjekjes Bahá’í. Kjo nuk duhet të interpretohet si një thirrje e përgjithshme për veprimtari të përhapur në këtë fushë – shfaqja e veprimit shoqëror ndodh në mënyrë të natyrshme, kur një komunitet në rritje grumbullon fuqi – por ka ardhur koha që miqtë të reflektojnë më thellësisht mbi domethëniet e përpjekjeve të tyre për shndërrimin e shoqërisë. Vala e madhe e nxënies që po ndodh në këtë fushë vendos kërkesa më të mëdha mbi Zyrën e Zhvillimit Shoqëror dhe Ekonomik dhe po merren hapa për të siguruar që funksionimi i saj zhvillohet në përpjesëtim.
Një tipar veçanërisht i dallueshëm i dymbëdhjetë muajve të fundit ka qenë shpeshtësia me të cilën komunitetit Bahá’í po njëjtësohet, në një shumëllojshmëri të gjerë kontekstesh, me përpjekje që sjellin përmirësimin e shoqërisë në bashkëpunim me njerëz të të njëjtit mendim. Nga fusha ndërkombëtare deri në themelet e jetës së fshatit, udhëheqësit e mendimeve në lloje të larmishme rrethanash kanë shprehur vetëdijen e tyre që Bahá’í-të jo vetëm e mbajnë mirëqenien e njerëzimit në zemër, por ata zotërojnë një kuptim bindës të çka nevojitet të arrihet dhe mjete efikase për realizimin e aspiratave të tyre. Këto shprehje të vlerësimit dhe mbështetjes vijnë edhe nga disa drejtime më parë të papritura. Për shembull, edhe në Djepin e Besimit, pavarësisht pengesave të frikshme të vendosura nga shtypësit në shtegun e tyre, Bahá’í-të po njihen gjithnjë e më shumë për domethëniet e thella që mbart mesazhi i tyre për gjendjen e kombit të tyre dhe po respektohen për vendosmërinë e papërkulshme për të kontribuar drejt zhvillimit të atdheut të tyre.
Vuajtjet e përballuara nga besnikët në Iran, veçanërisht në dekadat pasi filloi vala më e fundit e persekutimeve, i kanë nxitur vëllezërit dhe motrat e tyre në vende të tjera për të ardhur në mbrojtje të tyre. Ndër dhurimet e paçmuara të cilat, si pasojë e asaj qëndrese, në mbarë botën Komuniteti Bahá'í ka fituar, po përmendim një në lidhje me këtë: një rrjet mbresëlënës agjencish të specializuara në nivel kombëtar që ka dëshmuar të jetë i aftë të zhvillojë sistematikisht marrëdhëniet me qeveritë dhe organizatat e shoqërisë civile. Paralelisht me këtë, proceset e Planeve të njëpasnjëshme kanë rafinuar aftësinë e komunitetit për të marrë pjesë në diskutimet bizotëruese në çdo hapësirë ku ato ndodhin – nga bisedat personale e deri në forumet ndërkombëtare. Në rrënjët e komunitet, përfshirja në këtë lloj përpjekjeje ndërtohet natyrshëm, nëpërmjet qasjes së njëjtë organike që karakterizon rritjen e qëndrueshme të angazhimit të miqve në veprim shoqëror, dhe nuk ka nevojë për ndonjë përpjekje të veçantë për ta stimuluar. Në nivel kombëtar, megjithatë, ajo është më shpesh duke u bërë fokusi i vëmendjes së po këtyre agjencive të përkushtuara, që funksionojnë tashmë në dhjetra komunitete kombëtare dhe ajo po ecën sipas modelit të njohur e frytdhënës të veprimit, reflektimit, konsultimit dhe studimit. Për të rritur përpjekjet e tilla, për të lehtësuar nxënien në këtë fushë dhe për të siguruar se hapat e marra janë koherente me përpjekjet e tjera të komunitetit Bahá'í, kohët e fundit në Qendrën Botërore Bahá'í kemi krijuar Zyrën e Diskutimit Publik. Ne do t'i kërkojmë asaj t’i ndihmojë Asambletë Shpirtërore Kombëtare në këtë fushë, duke nxitur e bashkërenduar aktivitetet dhe duke sistematizuar përvojën gradualisht.
Progres inkurajues po ndodh në fusha të tjera gjithashtu. Në Santiago, Kili, ku po ngrihet Tempulli Mëmë i Amerikës së Jugut, puna ndërtuese vazhdon me intensitet. Konstruksioni i betonizuar i themeleve, dyshemesë dhe tunelit të shërbimeve ka përfunduar, siç janë edhe shtyllat që do të mbajnë superstrukturën. Pritja e ethshme e lidhur me këtë projekt është në rritje, dhe një ndjenjë e ngjashme pritjeje po drithëron në shtatë vendet ku do të ngrihen Mashriku’l-Adhkár-ët kombëtarë e lokalë. Në secilin prej tyre, përgatitjet kanë filluar dhe kontributet që besimtarët janë duke bërë për Fondin e tempujve kanë filluar të përdoren; megjithatë, konsideratat praktike, të tilla si vendndodhja, projektimi dhe burimet, paraqesin vetëm një aspekt të punës së ndërmarrë nga miqtë. Thelbësisht, kjo e tyrja është një përpjekje shpirtërore, një në të cilën merr pjesë i gjithë komuniteti. Mjeshtri i referohet Mashriku’l-Adhkár-it si "magneti i konfirmimeve hyjnore", "themeli i fuqishëm i Zotit", dhe "shtylla e palëkundshme e Besimit të Perëndisë". Kudo që ajo ngrihet, ajo natyrisht do të jetë një pjesë integrale e procesit të ndërtimit të komunitetit që e rrethon atë. Tashmë, në ato vende ku do të ngrihet një Shtëpi Adhurimi, vetëdija për këtë realitet po thellohet ndër rangjet e rradhët e besimtarëve, të cilët kuptojnë se jeta e tyre kolektive duhet të reflektojë gjithnjë e më shumë atë bashkim adhurimi e shërbimi që Mashriqu'l-Adhkár-i mishëron.
Në çdo front, pra, ne e shohim komunitetin Bahá’í duke lëvizur vazhdimisht përpara, duke përparuar në të kuptuarit, të etur për të fituar kuptime nga përvoja, të gatshëm për të marrë përsipër detyra të reja kur burimet e mundësojnë, të shkathët në përgjigjen e tij ndaj domosdoshmërive të reja, të vetëdijshëm për nevojën për të siguruar përputhje midis fushave të gjithfarshme të veprimtarisë në të cilat është përfshirë, tërësisht i përkushtuar ndaj përmbushjes së misionit të tij. Entuziazmi dhe devotshmëria i tij janë të dukshëm në nxehtësinë e pamasë të krijuar nga shpallja, rreth dy muaj më parë, e thirrjes së 95 konferencave për të rinj përreth botës. Jemi të kënaqur jo vetëm nga përgjigjja e të rinjve vetë, por edhe nga shprehjet e mbështetjes të treguara nga bashkëbesimtarët e tyre, të cilët e vlerësojnë se si pasuesit më të rinj të Bahá’u’lláh-ut veprojnë si një shtysë jetësore për trupin e tërë të Kauzës.
Jemi të mbushur me shpresë nga dëshmitë e njëpasnjëshme që shohim të përhapjes së mesazhit të Bahá’u’lláh-ut, shtrirjes së ndikimit të tij dhe të vetëdijes në rritje për idealet që ai mbart. Në këtë stinë përvjetorësh, sjellim ndërmend atë “Ditë të lumturisë supreme”, të ndarë nga ky Riḍván nga një shekull e gjysmë, kur Bukuria Abhá ua shpalli së pari Misionin e Tij shoqëruesve të Tij në Kopshtin Najíbíyyih. Nga ai vend i shenjtëruar, Fjala e Perëndisë është përhapur në çdo qytet dhe çdo breg, duke e thirrur njerëzimin për një takim me Zotin e tij. Dhe nga ajo shpurë fillestare dashuruesish të dehur pas Perëndisë, ka lulëzuar një komunitet i larmishëm me qëllim, lule të larmishme në kopshtin që Ai ka krijuar. Me çdo ditë që kalon, numra në rritje shpirtrash të zgjuar rishtas kthehen në përgjërim drejt Mauzoleut të Tij, vendi ku ne, në nder të asaj Dite të bekur dhe në mirënjohje për çdo bekim të dhuruar komunitetit të Emrit më të Madh, përkulim kryet tona në lutje në Pragun e Shenjtë.
Në mesin e pasdites së ditës së njëmbëdhjetë të festivalit të Riḍván njëqind vite më parë, ‘Abdu’l-Bahá, duke qëndruar para disa qindra njerëzve të pranishëm, ngriti sëpatën e një punëtori dhe shpoi plisin që mbulonte tokën e Tempullit në Grosse Pointe, në veri të Çikagos. Të ftuarit për të hapur themelet së bashku me Të në atë ditë pranvere vinin nga prejardhje të ndryshme – norvegjezë, indianë, francezë, japonezë, persianë, amerikanë indigjenë – sa për të përmendur disa prej tyre. Ishte sikur Shtëpia e Adhurimit, ende e pandërtuar, po përmbushte dëshirat e Mjeshtrit, të shprehura në prag të ceremonisë, për çdo ndërtesë të tillë: “që njerëzimi të mund të gjejë një vend për t’u takuar” dhe “që shpallja e njëshmërisë së njerëzimit do të dalë nga oborret e tij të hapura të shenjtërisë”.
Dëgjuesit e Tij në atë rast dhe të gjithë ata që e dëgjuan Atë gjatë udhëtimeve të Tij në Egjipt dhe në perëndim, duhet t’i kenë kuptuar vetëm vagëllimthi nënkuptimet e fjalëve të Tij me ndikim të gjerë për shoqërinë, për vlerat dhe shqetësimet e saj. Ende sot, a mundet ndokush të pretendojë që të ketë parë vetëtimthi asgjë veçse një shenje, të largët e të paqartë, të shoqërisë së ardhme të cilën Revelacioni i Bahá’u’lláh është i caktuar të ngrejë? Sepse le të mos supozojë asnjë se qytetërimi drejt të cilit mësimet hyjnore e shtyjnë njerëzimin do të vijojë vetëm pas ndreqjeve të rendit të tanishëm. Aspak. Në një bisedë të mbajtur disa ditë pasi Ai vendosi gurin e themelit të Tempullit Mëmë të Perëndimit, ‘Abdu’l-Bahá shpalli se “midis rezultateve të manifestimeve të forcave shpirtërore do të jetë që bota njerëzore do të përshtatet me një formë të re shoqërore”, se “drejtësia e Perëndisë do të manifestohet anembanë çështjeve njerëzore”. Këto dhe shprehje të tjera të panumërta të Mjeshtrit të cilave komuniteti Bahá’í po u kthehet herë pas here në këtë periudhë njëqindvjeçare, rrisin ndërgjegjësimin për distancën që e ndan shoqërinë siç është tashmë caktuar, nga vizioni i jashtëzakonshëm që i Ati i Tij i dhuroi botës.
Héu, pavarësisht përpjekjeve të lavdërueshme, në çdo vend, të individëve me qëllim të mirë që po punojnë për të pëmirësuar kushtet e shoqërisë, pengesat që e ndalojnë realizimin e një vizioni të tillë duken të pakapërcyeshme për shumë. Shpresat e tyre rrëzohen nga supozime të gabuara rreth natyrës njerëzore, të cilat depërtojnë strukturat dhe traditat e shumë prej jetesës së përditshme si të kenë arritur statusin e faktit të vendosur. Këto supozime duket sikur nuk lejojnë vend për rezervuarin e jashtëzakonshëm të potencialit shpirtëror në dispozicion të çdo shpirti të ndriçuar që e përdor atë; e në vend të tij, ata mbështeten për justifikim në dështimet e njerëzimit, shembuj të të cilave përditë fuqizojnë një ndjenjë të përbashkët dëshpërimi. Një vello e shtresëzuar e kushteve të rreme errëson kështu një të vërtetë thelbësore: gjendja e botës reflekton një shtrembërim të shpirtit njerëzor, jo të natyrës së tij themelore. Qëllimi i çdo Manifestimi të Perëndisë është të shkaktojë një transformim si në jetën e brendshme, ashtu dhe në kushtet e jashtme të njerëzimit. Dhe ky transformim ndodh në mënyrë të natyrshme kur një trupë në rritje njerëzish, e bashkuar prej rregullave hyjnore, kërkon së bashku të zhvillojë kapacitete shpirtërore për të kontribuar në një proces të ndryshimit shoqëror. Në ngjashmëri me tokën e fortë të goditur nga Mjeshtri një shekull më parë, teoritë mbizotëruese të epokës mundet, së pari, të duken të pandikueshme nga ndryshimi, por padyshim ato do të veniten dhe nëpërmjet “shirave pranverore të bujarisë së Perëndisë”, “lulet e kuptimit të vërtetë” do të lulëzojnë të freskëta e të bukura.
Ne e falënderojmë Perëndinë që, nëpërmjet fuqisë së Fjalës së Tij, ju - komuniteti i Emrit të Tij Më të Madh – po kultivoni mjedise ku të kuptuarit e vërtetë mund të lulëzojë. Edhe ata që po vuajnë burgimin për Besimin, përmes sakrificave të tyre të pathëna dhe vendosmërisë, janë duke mundësuar që “zymbylat e dijes dhe të urtisë” të lulëzojnë në zemrat dashamirëse. Përmes globit, shpirtra të etur po përfshihen në punën e ndërtimit të një bote të re nëpërmjet zbatimit sistematik të dispozitave të Planit Pesë Vjeçar. Aq mirë janë rrokur karakteristikat e tij sa ne nuk e ndiejmë nevojën për të komentuar më tej mbi to këtu. Përgjërimet tona, të ofruara në Pragun e një Provanie Bujariplotë, janë që ndihma e Tubimit Suprem t’i dhurohet çdo njërit prej jush për të kontribuar në zhvillimin e Planit. Dëshira jonë e zjarrtë, e përforcuar duke dëshmuar përpjekjet tuaja të përkushtuara gjatë vitit të kaluar, është se ju do të intensifikoni zbatimin e pagabueshëm të dijes që ju jeni duke fituar nëpërmjet përvojës. Tani nuk është koha të frenoheni; tepër shumë mbeten të paditur rreth agimit të ri. Kush përveç jush mund ta përcjellë mesazhin hyjnor? “Për Perëndinë”, Bahá’u’lláh, duke iu referuar Kauzës, pohon,“kjo është arena e intuitës dhe shkëputjes, e vizionit dhe lartësimit, ku askush nuk mund t’i nxisë kuajt e tyre përveç kalorësve guximtarë të të Mëshirshmit, të cilët kanë shkëputur çdo lidhje me botën e qenies.”
Të vëzhgosh botën Bahá’í në punë është të shohësh një pamje të ndritshme me të vërtetë. Në jetën e besimtarit individual që dëshiron, mbi të gjitha, t’i ftojë të tjerët në lidhje shpirtërore me Krijuesin dhe për t’i kryer shërbime njerëzimit mund të gjenden shenja të transformimit shpirtëror të paramenduar për çdo shpirt nga Zoti i Kohës. Në frymën që gjallëron veprimtaritë e çfarëdo komuniteti Bahá’í dedikuar rritjes së kapaciteteve të anëtarëve të tij të rinj dhe të vjetër si dhe të miqve dhe të bashkëpunëtorëve të vet për t’i shërbyer mirëqenies së përbashkët mund të perceptohet një tregues i mënyrës se si mund të zhvillohet një shoqëri e themeluar mbi mësimet hyjnore. Dhe në ato zona të përparuara ku aktiviteti i udhëhequr nga struktura e Planit është me bollëk dhe kërkesat për të siguruar koherencën midis linjave të veprimit janë më të ngutshme, strukturat administrative në zhvillim ofrojnë vagëllime, sado të zbehta, të mënyrës se si institucionet e Besimit do të marrin gjithnjë e më shumë përsipër një gamë më të plotë të përgjegjësive të tyre për të përkrahur mirëqenien dhe zhvillimin njerëzor. Qartas, atëherë, zhvillimi i individit, i komunitetit dhe institucioneve mban premtim të pamasë. Por përtej kësaj, ne vërejmë me gëzim të veçantë se si marrëdhëniet që i lidhin këta të tre janë të shënuara me kaq dashuri të ëmbël dhe përkrahje të ndërsjelltë.
Kundërvënë kësaj, marrëdhëniet midis tre aktorëve përgjegjës në botë në përgjithësi - qytetari, trupi politik dhe institucionet e shoqërisë - pasqyrojnë mosmarrëveshjen që karakterizon fazën e trazuar të tranzicionit të njerëzimit. Mosdashës për të vepruar si pjesë të ndërvarura të një tërësie organike, ata janë mbërthyer në një luftë për pushtet, e cila në fund të fundit dëshmon të jetë e kotë. Sa shumë e ndryshme është shoqëria të cilën ‘Abdu’l-Bahá e përshkruan në Tabela dhe biseda të panumërta – ku ndërveprimet e përditshme, po aq sa edhe marrëdhëniet e shteteve, farkëtohen nga vetëdija e njëshmërisë së njerëzimit. Marrëdhëniet e mbrujtura me këtë vetëdije janë duke u kultivuar nga Bahá’í dhe miqtë e tyre në fshatra dhe lagje përmes botës; nga ata mund të zbulohen aromat e pastra të ndërsjelltësisë dhe të bashkëpunimit, të harmonisë dhe të dashurisë. Brenda një kornize të tillë modeste, një alternativë e dukshme për mosmarrëveshjet e njohura të shoqërisë po shfaqet. Pra, bëhet e qartë se individi që dëshiron të ushtrojë vetë-shprehje në mënyrë të përgjegjshme merr pjesë me maturi në konsultim përkushtuar të mirës së përbashkët dhe e largon tundimin për të insistuar në opinione vetiake; një institucion Bahá’í, duke vlerësuar nevojën për veprim të koordinuar të kanalizuar drejt rezultatit të frytshëm, nuk synon të kontrollojë, por të ushqejë dhe të nxisë; komuniteti që duhet të marrë përgjegjësinë e zhvillimit të tij dallon një vlerë të paçmuar në unitetin që ofrohet përmes përfshirjes me gjithë zemër në planet e hartuara nga institucionet. Nën ndikimin e Revelacionit të Bahá’u’lláh-ut, marrëdhëniet midis këtyre të treve po pajisen me ngrohtësi të re, me jetë të re; në tërësi, ato përbëjnë një mitër në të cilin një qytetërim botëror shpirtëror, që mban vulën e frymëzimit hyjnor, piqet shkallë-shkallë.
Drita e Revelacionit është e paracaktuar të ndriçojë çdo sferë të përpjekjeve; në secilën, marrëdhëniet që mbështesin shoqërinë duhet të riderdhen; në secilën, bota kërkon shembuj se si qeniet njerëzore duhet të sillen me njëri-tjetrin. Ne ofrojmë për shqyrtimin tuaj, duke pasur parasysh pjesën e saj të spikatur në gjenerimin e tharmit në të cilën kaq shumë njerëz janë përfshirë kohët e fundit, jetën ekonomike të njerëzimit, ku padrejtësia tolerohet me mospërfillje dhe përfitimi i shpërpjesëtuar konsiderohet si emblema e suksesit. Aq të rrënjosura thellë janë qëndrime të tilla të dëmshme, sa është e vështirë të pyrfytyrohet se si cilido individ i vetëm mund t’i ndryshojë standardet mbizotëruese me anë të të cilave qeverisen marrëdhëniet në këtë sferë vetëm. Megjithatë, ka sigurisht praktika që një Bahá’í do të shmangte, të tilla si pandershmëria në transaksionet e tij apo shfrytëzimi ekonomik i të tjerëve. Përkrahja besnike e këshillave hyjnore nuk kërkon të ketë asnjë kontradiktë midis sjelljes ekonomike të dikujt dhe besimeve të tij si Bahá’í. Duke zbatuar në jetën e tij ato parime të Besimit që lidhen me drejtësinë dhe paanshmërinë, një shpirt i vetëm mund të mbajë një standard shumë më lart se sa pragu i ulët me të cilin bota mat veten. Njerëzimi është i lodhur për shkak të mungesës së një modeli të jetës në të cilin të synojë; ne shikojmë te ju për të ushqyer komunitete mënyra e të cilëve do t’i japë shpresë botës.
Në mesazhin e Riḍván të 2001-shit, ne vumë në dukje se në vende ku procesi i hyrjes me trupa ishte i përparuar mjaftueshmërisht mirë dhe kushtet në komunitetet kombëtare ishin të favorshme, ne do të miratonim themelimin e Shtëpisë së Adhurimit në nivel kombëtar, shfaqja e të cilit do të bëhej një tipar i Epokës së Pestë së Periudhës Formuese së Besimit. Me gëzim të jashtëzakonshëm ne tani shpallim se Mashriqu’l-Adhkár kombëtare do të ngrihen në dy vende: në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Papa Guinenë e Re. Në këto vende, kriteret që vendosëm janë plotësuar dukshëm dhe përgjigjja e popujve të tyre ndaj mundësive të krijuara nga seria e tanishme e Planeve nuk ka qenë asgjë më pak se e shquar. Me punimet e të fundit prej tempujve kontinentalë në Santiago në vazhdim, fillimi i projekteve për ndërtimin e Shtëpive Kombëtare të Adhurimit ofron edhe një dëshmi tjetër të kënaqshme të depërtimit të Besimit të Perëndisë në tokën e shoqërisë.
Edhe një hap më shumë është i mundur. Mashriqu’l-Adhkár, i përshkruar nga ‘Abdu’l-Bahá si “një prej institucioneve më jetësore të botës”, lidh dy anë thelbësore, të pandashme të jetës Bahá’í: adhurimin dhe shërbimin. Bashkimi i këtyre të dyjave pasqyrohet gjithashtu në koherencën që ekziston midis tipareve komunitet-ndërtuese të Planit, veçanërisht shpërthimi i një fryme devocionale që gjen shprehje në mbledhje për lutje dhe një procesi arsimor që ndërton aftësi për t’i shërbyer njerëzimit. Bashkëlidhja midis adhurimit dhe shërbimit është e theksuar sidomos në ato zona të botës ku komunitete Bahá’í janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në madhësi e gjallëri dhe ku angazhimi në veprime shoqërore është i dukshëm. Disa prej këtyre janë caktuar si vende për përhapjen e nxënies në mënyrë që të ushqejnë aftësinë e miqve për të çuar përpara programin e para-të rinjve në rajonet e bashkëshoqëruara. Aftësia për të mbështetur këtë program, siç e kemi vënë në dukje kohët e fundit, gjithashtu nozullon zhvillimin e qarqeve të studimit dhe të klasave të fëmijëve. Kështu, përtej qëllimit parësor të tij, vendi i nxënies përforcon skemën e tërë të zgjerimit dhe konsolidimit. Është brenda këtyre zonave që, në vitet e ardhshme, shfaqja e një Mashriqu’l-Adhkár lokal mund të parashikohet. Me zemrat tona citosur me falënderim ndaj Bukurisë së Lashtë, ne me gëzim ju njoftojmë se ne po hyjmë në konsultime me Asambletë Shpirtërore Kombëtare përkatëse në lidhje me ngritjen e Shtëpisë së parë lokale të Adhurimit në secilën prej zonave në vijim: Battambang, Kamboxhi; Bihar Sharif, Indi; Matunda Soy, Kenia; Norte del Cauca, Kolombi dhe Tanna, Vanuatu.
Për të mbështetur ndërtimin e dy Mashriqu’l-Adhkár kombëtare dhe pesë lokale, ne kemi vendosur të krijojmë një Fond për Tempujt në Qendrën Botërore Bahá’í për përfitimin e të gjitha projekteve të tilla. Miqtë kudo janë të ftuar të kontribuojnë në të me sakrifica siç ua lejojnë mundësitë e tyre.
Të dashur bashkëpunëtorë: Themeli i hapur nga dora e ‘Abdu’l-Bahá njëqind vjet më parë do të hapet përsëri në shtatë vende të tjera, ky duke qenë veç fillimi për ditën kur në çdo qytet dhe fshat, në bindje ndaj urdhëresave të Bahá’u’lláh, një ndërtesë të ngrihet për adhurimin e Zotit. Nga këto Pika-Agimi të Kujtimit të Perëndisë do të ndriçojnë rrezet e dritës së Tij dhe do të kumbojnë himnet e lavdërimit të Tij.
Në hapjen e kësaj stine të lavdishme sytë tanë ndriçohen tek shikojmë shkëlqimin e zbuluar rishtas të kupolës së praruar që kurorëzon Mauzoleun e lartësuar të Báb-it. Rikthyer në shkëlqimin hyjnor caktuar për të nga Shoghi Effendi-u, ajo ndërtesë madhështore shkëlqen sërish drejt tokës, detit dhe qiellit, ditë e natë, duke dëshmuar madhërinë dhe shenjtërinë e Atij, eshtrat e shenjta të Të Cilit ruhen brenda saj.
Ky çast lumturie përputhet me mbylljen e një kapitulli të mbarë në shpalosjen e Planit Hyjnor. Veç një dhjetëvjeçar i vetëm mbetet nga shekulli i parë i Periudhёs Formuese, njëqind vitet e para tё sё cilёs do të jenë kaluar nën hijen dashamirëse të Vullnetit dhe Testamentit të ‘Abdu’l-Bahá-it. Plani Pesëvjeçar që tani po mbaron ndiqet nga një tjetër, tiparet e të cilit tashmë janë bërë qëllimi i studimit të përqendruar anembanё botës Bahá’í. Me të vërtetë, ne nuk mund të ishim më të kënaqur me përgjigjen ndaj mesazhit drejtuar Konferencës së Bordeve Kontinentale të Këshilltarëve dhe mesazhit të Riḍván-it të dymbëdhjetë muajve më parë. Të pakënaqur me një rrokje të copëzuar të përmbajtjes së tyre, miqtë po u kthehen këtyre mesazheve vazhdimisht, veçmas dhe në grupe, në takime zyrtare dhe në mbledhje të vetvetishme. Të kuptuarit e tyre pasurohet përmes pjesëmarrjes aktive dhe të informuar në programet e rritjes që po ushqehen në zonat e tyre. Rrjedhimisht, komuniteti Bahá’í botëror ka përthithur në disa muaj çfarë i nevojitet për ta shtyrë në një fillim të sigurt në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Përgjatë së njëjtës kohë, raste nё shtim turbullirash politike dhe trazirash ekonomike në kontinente të ndryshme kanë lëkundur qeveri dhe popuj. Shoqëritё janë sjellë në prag kryengritjeje dhe në raste të shquara përtej cakut. Udhëheqësit po e shohin që as armë as pasuri nuk garantojnë siguri. Kudo qё aspiratat e njerëzve kanë mbetur të papërmbushura, është grumbulluar një rezervuar zemërimi. Ne kujtojmë se sa qartë Bahá’u’lláh-u i paralajmëroi sundimtarët e botës: “Njerëzit tuaj janë thesaret tuaja. Kujdes se mos sundimi juaj dhunon porositë e Perëndisë dhe ju ua dorëzoni ata që ju janë besuar juve duarve të grabitësve.” Një fjalë kujdesi: Pavarësisht nga sa joshëse mund të jetë pamja e zellit të njerëzve për ndryshim, duhet të mbahet mend se ka interesa që manipulojnë rrjedhën e ngjarjeve. Dhe, sa kohë që mjekimi i caktuar nga Mjeku Hyjnor nuk jepet, vuajtjet e kësaj periudhe do të vazhdojnë dhe do të thellohen. Një vëzhgues i vëmendshëm i kohëve do të njohë me gatishmëri shpërbërjen e përshpejtuar, të çrregullt, por të pandërprerë, të një rendi botёror vajtueshmërisht difektoz.
Megjithatё, i dallueshëm gjithashtu është paraleli i tij, procesi ndёrtues që Ruajtësi e lidhi me “Besimin e Bahá’u’lláh-ut në rritje e sipër” dhe e përshkroi si “lajmëtari i Rendit të Ri Botëror që ai Besim duhet të ngrejë së shpejti.” Ndikimet e tij jo të drejtpërdrejta mund të shihen në vërshimin e ndjenjёs, veçanërisht prej të rinjve, që buron nga një ashk për të kontribuar në zhvillimin shoqëror. Është një bujari e dhënë pasuesve të Bukurisë së Bekuar që ky ashk, i cili buron në mënyrë të paepur nga shpirti njerëzor në çdo vend, është i aftë të gjejë shprehje kaq rrjedhshëm në punën që komuniteti Bahá’í po kryen për të ngritur kapacitetin për veprim të efektshëm midis popullsive të shumëllojshme të planetit. A mund të krahasohet ndonjë privilegj me këtë?
Për kuptim tё thellё në këtë punë çdo besimtar le të shohë ‘Abdu’l-Bahá-in, njëqindvjeçari i “udhëtimeve historike” të Të Cilit drejt Egjiptit dhe perëndimit po shënohet në këtë kohë. Pa u lodhur, Ai i parashtroi mësimet në çdo hapësirë shoqërore: në shtëpi dhe në salla misionesh, kisha dhe sinagoga, parqe dhe sheshe publike, vagona hekurudhorё dhe anije transoqeanike, rrethe dhe shoqata, shkolla dhe universitete. I palёkundur në mbrojtje të së vërtetës, megjithatë pafundësisht fisnik në sjellje, Ai i solli parimet hyjnore universale për të ndikuar mbi nevojat e kohës. Të gjithëve pa dallim – zyrtarëve, shkencëtarëve, punëtorëve, fëmijëve, prindërve, mërgimtarëve, veprimtarëve, klerikëve, skeptikёve – Ai u tregoi dashuri, urtësi, ngushëllim, çfarëdo tё ishte nevoja e veçantë. Ndërkohë që i lartësonte shpirtrat e tyre, ai i sfidonte hamendёsimet e tyre, riorientonte perspektivat e tyre, zgjeronte ndërgjegjet e tyre dhe përqendronte energjitë e tyre. Ai vërtetoi me fjalë dhe me vepra dhembshuri dhe bujari të tilla, sa zemrat u shndërruan tërësisht. Askush nuk u dëbua. Shpresa jonë e madhe është që kujtimi i shpeshtë, përgjatë kësaj periudhe njëqindvjeçare, i tregimeve të pashoqe të udhëtimeve të Mjeshtrit do të frymëzojë dhe fuqizojë admiruesit e Tij të sinqertë. Vendoseni shembullin e Tij para syve tuaj dhe nguliteni vështrimin tuaj mbi të; le të jetë udhëheqja juaj e vetvetishme në ndjekjen tuaj të synimit të Planit.
Në zanafillën e Planit të parë botëror të komunitetit Bahá’í, Shoghi Effendi-u përshkroi në gjuhë bindëse fazat e njëpasnjëshme përmes së cilave ishte ndezur drita hyjnore në Síyáh-Chál, ishte veshur në llambën e revelacionit në Baghdád, ishte përhapur në shtete në Azi dhe Afrikë ndërkohë që ndriçonte me shkëlqim të shtuar në Adrianopojë dhe më vonë në ‘Akká, ishte përçuar përtej deteve në kontinentet e mbetura, përmes së cilave do të shpërhapej në mënyrë progresive mbi shtetet dhe territoret e varura të botës. Pjesën e fundit të këtij procesi ai e karakterizoi si “depërtimin e asaj drite ... në të gjitha territoret e tjera të globit”, duke iu referuar si “faza në të cilën drita e Besimit ngadhënjyes të Perëndisë, duke shndritur në gjithë fuqinë dhe lavdinë e saj, do të ketë mbuluar dhe përfshirë të gjithë planetin”. Megjithëse ai synim është larg nga të qenurit i përmbushur, drita tashmë flakëron fort në shumë rajone. Në disa vende shkëlqen në çdo zonë. Në tokën ku ajo dritë e pashueshme u ndez së pari, digjet shndritshëm pavarësisht atyre që duan ta shuajnë. Në kombe të shumëllojshme ajo arrin një shkëlqim të njëtrajtshëm përmes lagjesh dhe fshatrash të tëra, teksa qiri pas qiriu, në zemër pas zemre, ndizet nga Dora e Provanisë; ajo ndriçon biseda të thella në çdo rrafsh të ndërveprimit njerëzor; ajo hedh rrezet e saj përmbi nisma të panumërta, tё ndёrmarra për të përkrahur mirëqenien e një populli. Dhe në çdo rast ajo rrezaton nga një besimtar besnik, një komunitet i gjallërishëm, një Asamble Shpirtërore e dashur – secili një pishtar drite kundrejt errësirës.
Ne lutemi me zell në Pragun e Shenjtë që secili prej jush, mbartës të flakës së pavdekshme, të rrethohet nga konfirmimet e fuqishme tё Bahá’u’lláh-ut teksa u përçoni të tjerëve shkëndijën e besimit.
Me zemrat e mbushura me admirim për pasuesit e Bahá’u'lláh-ut, jemi të kënaqur të shpallim që, ndërsa kjo stinë më e gëzuar e Riḍván-it nis, në çdo kontinent të globit ka filluar një numër i ri programesh intensive të rritjes, duke e rritur numrin e përgjithshëm mbarëbotëror mbi cakun e 1’500 dhe duke e mbyllur mirë synimin e Planit Pesëvjeçar, një vit përpara përfundimit të tij. Ne përkulim kokat tona në mirënjohje ndaj Perëndisë për këtë arritje mahnitëse, këtë fitore tё shёnuar. Të gjithë që kanë punuar në fushë do ta çmojnë bujarinë që Ai i ka dhuruar komunitetit të Tij, duke i dhënë atij një vit të plotë për ta përforcuar modelin e përhapjes dhe konsolidimit tashmё gjithkund të ngritur, në përgatitje të detyrave që do t’i kërkohet të ndërmarrë në sipërmarrjen e ardhshme botërore – një plan prej një zgjatjeje pesëvjeçare, i pesti në një seri me synimin e qartë të përparimit të procesit të hyrjes me trupa.
(2) Ndihemi të prekur, ndërsa ndalemi në këtë rast të gëzueshëm, të qartësojmë që ajo që ndjell një ndjenjë kaq të thellë krenarie dhe mirënjohjeje në zemrat tona nuk është aq bëma numërore që ju keni arritur, megjithëse është mbresёlёnёse, por një ndërthurje zhvillimesh në nivelin më të thellë të kulturës, të cilën kjo arritje dëshmon. Kryesor midis tyre është rritja që ne kemi vëzhguar në aftësinë e miqve për të biseduar me të tjerët mbi çështje shpirtërore dhe për të folur me lehtësi rreth Vetë Bahá'u'lláh-ut dhe Revelacionit të Tij. Ata kanë kuptuar mirë që mësimdhënia është një nevojë themelore e një jete bujare nё tё dhënё.
(3) Në mesazhe të kohëve të fundit ne kemi shprehur lumturi në të dëshmuarit e shtimit të vazhdueshëm të tempit të mësimdhënies anembanë globit. Kryerja e këtij detyrimi shpirtëror themelor nga besimtari individual ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë një tipar i domosdoshёm i jetës Bahá’í. Atё qё ngritja e 1’500 programeve të rritjes ka bërë të dukshme ёshtё se sa guximtare dhe e matur është bërë tërësia e besimtarëve në daljen nga rrethi i ngushtë i familjes dhe i miqve të tyre, të gatshëm për t’u udhëhequr nga Dora udhёrrёfyese e të Gjithëmëshirshmit drejt shpirtrave receptivë në çfarëdo lagjeje që ata të jetojnë. Madje, edhe llogaritjet më të thjeshta sugjerojnë se tani ka me dhjetëra mijëra që marrin pjesë në fushata periodike për të vendosur lidhje miqësie, mbështetur mbi kuptim të përbashkët, me ata qё konsideroheshin më parë si të huaj.
(4) Në përpjekjet e tyre për ta paraqitur thelbin e Besimit thjesht dhe qartë, besimtarët kanë përfituar shumë nga shembulli ilustrues në Librin 6 të Institutit Ruhi. Aty ku logjika që ndodhet nën atë parashtrim vlerësohet dhe shtysa për ta shndërruar në një formulë kapërcehet, ajo bëhet shtysë për një bashkëbisedim midis dy shpirtrave – një bashkëbisedim që shquhet nga thellësia e kuptimit të arritur dhe natyra e marrëdhënies së vendosur. Në masën që bashkëbisedimi vazhdon përtej takimit fillestar dhe ndërtohen miqësi të vërteta, një përpjekje mësimdhënieje të drejtpërdrejtë e këtij lloji mund të bëhet një katalizator për një proces të qëndrueshëm shndërrimi shpirtëror. Nëse kontakti i parë me këta miq të gjetur rishtas nxit një ftesë që ata të anëtarësohen në komunitetin Bahá’í, ose të marrin pjesë në një prej aktiviteteve të tij, nuk është një shqetësim i pakalueshëm. Më e rëndësishme është që çdo shpirt të ndihet i mirëpritur të bashkohet me komunitetin për të kontribuar në përmirësimin e shoqërisë, duke nisur një shteg shërbimi për njerëzimin gjatë të cilit, në fillim ose më vonë, mund të ndodhë anëtarësimi zyrtar.
(5) Domethënia e këtij zhvillimi nuk duhet të nënvlerësohet. Në çdo zonë, sapo një model i qëndrueshëm veprimi vendoset, vëmendja i duhet kushtuar për ta shtrirë atë më gjerësisht përmes një rrjeti bashkëpunëtorësh dhe të njohurish, ndërkohë që energjitë, në të njëjtën kohë, përqendrohen në segmente më të vogla të popullatёs, secili prej të cilave duhet të bëhet një qendër veprimtarie intensive. Në një zonë urbane, një qendër e tillë veprimtarie mund të përkufizohet më mirë nga kufijtë e një lagjeje; në një zonë që është kryesisht rurale në karakter, një fshat i vogël do të ofronte një hapësirë të përshtatshme shoqërore për këtë qëllim. Ata që shërbejnë në këto rrethana, si banorë vendas ashtu edhe mësues vizitues, do ta shihnin me tё drejtё punën e tyre si ndërtim komuniteti. Përcaktimi i përpjekjeve tё tyre të mësimdhënies me etiketime të tilla si “derë më derë”, megjithëse kontakti i parë mund të përfshijë takimin e banorëve të një shtëpie pa njoftim të mëparshëm, nuk do të tregojë drejtësi kundrejt një procesi që kërkon të ngrejë kapacitet në një popullatё për të marrë përsipër zhvillimin e vet shpirtëror, shoqëror dhe mendor. Veprimtaritë që e shtyjnë këtë proces dhe në të cilat miq të gjetur rishtas ftohen të marrin pjesë – takime të cilat kalitin karakterin devocional të komunitetit; klasa të cilat ushqejnё zemrat dhe mendjet e buta të fëmijëve; grupe të cilat drejtojnë energjitë vërshuese të paratërinjve; qarqe studimi, të hapura për të gjithë, që aftësojnë njerëz nga prejardhje të larmishme të përparojnë me hap të barabartё dhe të eksplorojnё zbatimin e mësimeve në jetët e tyre vetjake dhe kolektive – ka shumë mundësi të nevojitet të mirëmbahen me ndihmë nga jashtë popullatёs vendase për një kohë. Duhet pritur, sidoqoftë, që shumëfishimi i këtyre aktiviteteve bazë do të mbështetet shpejt nga burime njerëzore vendase të vetë lagjes apo fshatit – nga burra dhe gra të etur për t’i përmirësuar kushtet materiale dhe shpirtërore në mjediset e tyre. Një ritëm jete komunitare duhet të shfaqet shkallë-shkallë, atëherë, në përputhje me aftësinë e një bërthame në rritje individësh të përkushtuar ndaj vizionit të Bahá'u'lláh-ut për një Rend të ri Botëror.
(6) Në këtë kontekst, receptiviteti shfaqet në një gatishmëri për të marrë pjesë në procesin e ndërtimit të komunitetit të vënë në lëvizje nga aktivitetet bazë. Zonë pas zone ku një program intensiv i rritjes është tani në veprim, detyra para miqve këtë vit të ardhshëm është të bëjnë mësimdhënie në një ose më shumë popullata receptive, duke përdorur një metodë të drejtpërdrejtë në parashtrimin e thelbit të Besimit të tyre dhe të gjejnë ata shpirtra që kanë dëshirë të madhe të shkundin përgjumjen e ngarkuar mbi ta nga shoqëria dhe tё punojnё pranё njëri-tjetrit në lagjet dhe fshatrat e tyre, për të filluar një proces shndërrimi kolektiv. Nëse miqtë këmbëngulin në përpjekjet e tyre për të mësuar mënyrat dhe metodat për ndërtimin e komunitetit në mjedise të vogla në këtë mënyrë, synimi i ushqyer gjatë i pjesëmarrjes universale në punët e Besimit do të lëvizë, ne jemi të sigurt, me disa rende madhësie që mund të arrihen.
(7) Për ta kapёrcyer këtë sfidë, besimtarët dhe institucionet që u shërbejnë atyre do të duhet ta fuqizojnё procesin e institutit në zonë, duke rritur në sasi të konsiderueshme brenda kufjve të saj numrin e atyre që janë të aftë të shërbejnë si lehtësues qarqesh studimi; sepse duhet kuptuar që mundësia e hapur tani për miqtë që të ushqejnë një jetë komunitare të gjallë në lagje dhe fshatra, e karakterizuar nga një ndjenjë kaq e zellshme qëllimi, u bë e mundur vetëm nga zhvillime të rëndësishme që ndodhën gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar në atë aspekt të kulturës Bahá’í që i përket thellimit.
(8) Kur në dhjetor 1995 ne kërkuam ngritjen e instituteve të trajnimit në botën mbarë, modeli më i përhapur në komunitetin Bahá’í për t’i ndihmuar besimtarët individualë të thellonin njohuritë e tyre në Besim përbëhej kryesisht nga kurse dhe klasa të rastёsishme me kohëzgjatje të ndryshme, kushtuar një shumëllojshmërie temash. Ai model i kishte plotësuar mirë nevojat e një komuniteti Bahá’í të përbotshëm në zhvillim, relativisht ende të pakët në numër dhe të përqendruar kryesisht te përhapja e tij gjeografike në të gjithë globin. Ne e bëmë të qartë në atë kohë, megjithatë, se një qasje tjetër drejt studimit të shkrimeve duhet të merrte formë, një që do të nxiste numra të mëdhenj në fushën e veprimit, nëse procesi i hyrjes me trupa do të përshpejtohej dukshëm. Në lidhje me këtë, ne kërkuam që institutet e trajnimit të mbështesnin kontigjente gjithnjë në rritje të besimtarëve për t'i shërbyer Kauzës përmes ofrimit të kurseve që do të jepnin njohuritë, kuptimet e brendshme dhe aftësitë e nevojshme për të kryer detyrat e shumta që lidhen me përhapjen dhe konsolidimin e përshpejtuar.
(9) Leximi i shkrimeve tё Besimit dhe orvatja për të fituar një kuptim më të përshtatshëm mbi domethёnien e Revelacionit mahnitës të Bahá’u’lláh-ut janë detyrime të caktuara për çdonjërin prej pasuesve të Tij. Të gjithë janë të urdhëruar të kёrkojnё në oqeanin e Revelacionit të Tij dhe të marrin, në përputhje me aftësitë dhe prirjet e tyre, nga perlat e urtisё që gjenden në të. Në këtë këndvështrim, klasat lokale të thellimit, shkollat dimërore e verore dhe takimet e organizuara posaçërisht, në të cilat besimtarë individualë me njohuri të thella në shkrimet mundnin të ndanin me të tjerët kuptime të brendshme të temave të veçanta, u shfaqën natyrshëm si tipare me rëndësi të jetës Bahá’í. Ashtu siç zakoni i leximit të përditshëm do të mbetet një pjesë integrale e identitetit Bahá’í, kështu edhe këto forma studimi do të vazhdojnë të zënë vend në jetën kolektive të komunitetit. Por të kuptuarit e rrjedhojave të Revelacionit, si në aspektin e rritjes individuale, edhe nё atë të përparimit shoqёror, rritet shumëfish kur studimi dhe shërbimi bashkohen dhe kryhen njëkohësisht. Atje, në fushën e shërbimit, njohuritë vihen në provë, lindin pyetje nga praktika dhe arrihen nivele të reja të të kuptuarit. Në sistemin e edukimit në distancë, që tani është ngritur vend pas vendi – elementet kryesore të të cilit përfshijnë qarkun e studimit, lehtësuesin dhe programin mësimor të Institutit Ruhi – komuniteti mbarëbotëror Bahá’í ka fituar aftësinë për të mundësuar mijëra, madje miliona, të studiojnë shkrimet në grupe të vogla, me qëllimin e qartë të kthimit të mësimeve Bahá’í në realitet, duke e çuar punën e Besimit përpara në stadin e mëtejshёm: përhapje dhe konsolidim në shkallë të gjerë të qëndrueshëm.
(10) Le të mos dështojë askush për t’i vlerësuar mundësitë e krijuara nё kёtё mёnyrё. Pasiviteti ushqehet nga forcat e shoqërisë së sotme. Një dëshirë për t’u argëtuar ushqehet që nga fëmijëria, me efikasitet në rritje, duke kultivuar breza të gatshëm për t’u udhëhequr prej kujtdo që dëshmon të jetë i aftë në tërheqjen drejt emocioneve sipërfaqësore. Madje në shumë sisteme arsimore nxënësit trajtohen si të ishin enё të projektuara për t’u mbushur me informacion. Që bota Bahá’í ia ka dalë mbanë në zhvillimin e një kulture e cila përkrah një mënyrë të menduari, të studiuari dhe të vepruari, në të cilën të gjithë e konsiderojnë veten sikur ecin në shtegun e përbashkët të shërbimit – duke mbështetur njëri-tjetrin dhe duke përparuar së bashku, plot respekt për njohuritë që secili prej tyre zotëron në cilindo moment të dhënë dhe duke shmangur prirjen për t’i ndarë besimtarët në kategori, si për shembull të thelluar dhe të paditur – është një arritje me përmasa të stërmëdha. Dhe aty qëndrojnë forcat shtytëse të një lëvizjeje të papërmbajtshme.
(11) Çfarë është e domosdoshme është që cilësia e procesit mësimor të ushqyer në nivelin e qarkut të studimit të rritet ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që tё arrihet potenciali i popullatave lokale për të krijuar forca lëvizëse të tilla. Pjesa mё e madhe do të bjerë mbi ata që shërbejnë si lehtësues në këtë drejtim. E tyrja do të jetë sfida për të siguruar mjedisin që përfytyrohet në kurset e institutit, një mjedis i përshtatshëm qё çon nё fuqizimin shpirtëror të individëve, të cilët do ta shohin veten si faktorë aktivë në të mësuarit e vetes së tyre, si protagonistë të një përpjekjeje të vazhdueshme për të vënë në zbatim njohuritë për të ndikuar në shndërrimin individual e kolektiv. Në rast se kjo nuk ndodh, pavarësisht se sa shumë qarqe studimi qofshin formuar në një zonë, forca e nevojshme për të vënë në lëvizje ndryshimin nuk do të krijohet.
(12) Në qoftë se puna e lehtësuesit është që të arrijë shkallë gjithnjë e më të larta të përsosmërisë, duhet të mbahet mend se përgjegjësia kryesore për zhvillimin e burimeve njerëzore në një rajon apo vend qëndron mbi institutin e trajnimit. Ndërsa përpiqet të rrisë numrin e pjesëmarrësve të tij, instituti si një strukturë – nga bordi, te koordinatorët në nivele të ndryshme, te lehtësuesit në bazë – duhet të vërë të njëjtin theks mbi efektshmërinë e sistemit në tërësi, sepse, në analizën përfundimtare, pёrfitimet sasiore të qëndrueshme do të varen nga zhvillimi cilësor. Në nivelin zonal, koordinatori duhet të sjellë si përvojë praktike, ashtu edhe gjallëri në përpjekjet e tij ose të saj për t’i shoqëruar ata që shërbejnë si lehtësues. Ai ose ajo duhet të organizojnë takime të herëpashershme që ata të reflektojnë mbi përpjekjet e tyre. Rastet e organizuara për të përsëritur studimin e pjesëve të zgjedhura nga materiali i institutit mund të jenë të dobishme herë pas here, me kusht që të mos rrënjosin nevojën për trajnim të vazhdueshëm. Aftësitë e lehtësuesit zhvillohen vazhdimisht kur individi hyn në fushën e veprimit dhe ndihmon të tjerë për të kontribuar në qëllimin e serisё aktuale të Planeve botërore, përmes studimit të sekuencёs së kurseve dhe zbatimit të elementit të tyre praktik. Dhe ndërsa burra dhe gra të moshave të ndryshme kalojnë përgjatë sekuencёs dhe përfundojnë studimin e tyre të çdo kursi me ndihmën e lehtësuesve, të tjerë duhet të qëndrojnë të gatshëm për t’i shoqëruar ata në aktet e shërbimit ndërmarrë në përputhje me fuqitë dhe interesat e tyre – veçanërisht koordinatorët përgjegjës për klasat e fëmijëve, për grupet e paratërinjve dhe qarqet e studimit, vepra shërbimi vendimtare për vazhdimin e vetë sistemit. Të sigurohet që masa e duhur e gjallërisë po vërshon pёrmes kёtij sistemi duhet të vazhdojë të jetë synimi i nxënies intensive në çdo vend përgjatë rrjedhës së dymbëdhjetë muajve të ardhshëm.
(13) Interesimi për edukimin shpirtëror të fëmijëve ka qenë prej kohësh një element i kulturës së komunitetit Bahá’í, një interesim ky që rezultoi në dy realitetete bashkekzistuese. Njëri, hyrja në garë me arritjet e Bahá’í-ve të Iranit, u karakterizua nga aftësia për të ofruar klasa të rregullta, nivel pas niveli, për fëmijë nga familje Bahá’í, në përgjithësi me synim dhënien e njohurive bazë për historinë dhe mësimet e Besimit për brezat në rritje. Në pjesën më të madhe të botës, numri i cili përfitoi nga klasa të tilla ka qenë relativisht i vogël. Realiteti tjetër u shfaq në zonat ku ndodhën anëtarësime në shkallë të gjerë, si nё ato rurale, ashtu dhe në ato urbane. Një qëndrim më përfshirës e mbizotëroi atë përvojë. Megjithatë, ndërsa fëmijë nga familje të të gjitha llojeve ishin njëkohësisht të etur dhe u mirëpritën që të merrnin pjesë në klasat Bahá’í, faktorë të ndryshëm i penguan mësimet të zbatoheshin me shkallën e nevojshme të rregullsisë, vit pas viti. Sa të kënaqur jemi ne të shikojmë këtë dualizëm, pasojë e rrethanave historike, tek fillon të gremiset, ndërsa miqtë e trajnuar nga institutet kudo përpiqen të ofrojnë klasa, të hapura për të gjithë, në një bazë sistematike.
(14) Fillime të tilla premtuese tani duhet të ndiqen me zell. Në çdo zonë me një program intensiv të rritjes në veprim duhet të bëhen përpjekje për ta bërë më sistematik ofrimin e edukimit shpirtëror pёr një numёr në rritje fëmijësh, nga familje me prejardhje të shumta – një kërkesë e procesit të ndërtimit të komuniteteve qё po merr vrull në lagjet dhe fshatrat. Kjo do të jetë një detyrë kërkuese, që kërkon durim dhe bashkëpunim, si nga ana e prindërve, ashtu dhe e institucioneve. Është kërkuar tashmë nga Instituti Ruhi t’i përshpejtojë planet, për të kompletuar kurset për trajnimin e mësuesve të klasave të fëmijëve në nivele të ndryshme, duke përfshirë mësimet përkatëse, duke filluar nga më të vegjëlit, mosha 5 ose 6 vjeç dhe duke vazhduar me moshën 10 ose 11 vjeç, në mënyrë që të mbyllet edhe hapësira boshe midis mësimeve ekzistuese dhe librave për paratërinjtë, të tilla si “Shpirti i Besimit” dhe libri në dalje “Fuqia e Shpirtit të Shenjtë”, të cilat sigurojnë një përbërës Bahá’í të dallueshëm në programin pёr kёtё grupmoshё. Në momentin që këto kurse dhe mësime shtesë do të ofrohen, institutet në çdo vend do të jenë të afta të përgatisin mësues dhe koordinatorë, të cilët do të zhvillojnë, vit pas viti, bazën e programit për edukimin shpirtëror të fëmijëve, përreth të cilit mund të organizohen edhe elemente dytësore. Ndërkohë, institutet duhet të bëjnë më të mirën për t’u ofruar mësuesve materiale të përshtatshme, ndër ato që ekzistojnë, për përdorim në klasat e fëmijëve të moshave të ndryshme, sipas nevojës.
(15) Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies ka fituar mirënjohjen tonë të pёrhershme për nxitjen jetësore që u dha përpjekjeve, për të siguruar në këtë mënyrë përmbushjen në kohë të synimit të Planit Pesëvjeçar. Të shihje shkallën e energjisë që solli në këtë sipёrmarrje mbarëbotërore, duke ndjekur me këmbëngulje progresin në çdo kontinent dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Këshilltarët Kontinentalë, qe të kapje një shikim të shpejtë të fuqisë së pamasë e të qenësishme në Rendin Administrativ. Ndërsa Qendra e Mësimdhënies e kthen tani vëmendjen e saj me të njëjtën energji, drejt pyetjeve lidhur me efikasitetin e aktiviteteve në nivel zone, ajo do t’i japë pa dyshim konsideratë të veçantë zbatimit tё klasave Bahá’í për fëmijët. Ne kemi besim që analiza e Qendrës së Mësimdhënies mbi pёrvojёn e fituar në disa zona të përzgjedhura këtë vit të ardhshëm, përfaqësuese të realiteteve të ndryshme sociale, do të hedhё dritë mbi çështjet praktike, të cilat do ta bëjnë të mundur ngritjen e klasave të rregullta, për fëmijët e çdo moshe, në lagje dhe fshatra.
(16) Përhapja e shpejtë e programit për fuqizimin shpirtëror të paratërinjve është një tjetër shprehje e përparimit kulturor në Komunitetin Bahá’í. Ndërkohë që prirjet botërore shfaqin një imazh të kësaj grupmoshe si problematike, e humbur në grahmat e ndryshimeve fizike dhe emocionale të trazuara, të papërgjegjshëm dhe të vetëkonsumuar, komuniteti Bahá’í – në gjuhën e përdorur dhe përqasjet që përvetësojnë – është duke lëvizur vendosmërisht në drejtimin e kundërt, duke parë te paratërinjtë altruizmin, një ndjenjë të mprehtë drejtësie, zell për të mësuar mbi universin dhe dëshirë për të kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë. Histori pas historie, në të cilat paratërinjtë nga vende nё të gjithë planetin shprehin mendimet e tyre si pjesëmarrës në program, dëshmojnë për vlefshmërinë e këtij vizioni. Ekziston çdo tregues që programi përfshin ndërgjegjësimin e tyre të gjerë në eksplorimin e realitetit, që i ndihmon ata të analizojnë forcat ndërtuese dhe shkatërruese të shoqërisë dhe të pranojnë ndikimin që këto forca ushtrojnё në mendimet dhe veprimet e tyre, duke ua mprehur perceptimin shpirtëror, duke ua shtuar forcën e të shprehurit dhe duke ua forcuar strukturat morale, që do t’u shërbejnë gjatë gjithë jetës. Në një moshë kur janë duke zhvilluar me shpejtësi fuqitë intelektuale, shpirtërore dhe fizike, atyre u ofrohen instrumentet e nevojshme për të mposhtur forcat që do të rrëmbenin identitetin e tyre të vërtetë si qenie fisnike dhe për të punuar për të mirën e përbashkët.
(17) Fakti që komponenti kryesor i programit i trajton temat nga një këndvështrim Bahá’í, por jo në mënyrën e udhëzimeve fetare, ka hapur udhën për shtrirjen e tij te paratërinj nga një larmi mjedisesh dhe rrethanash. Në shumë prej këtyre rasteve, atëhere, ata që e zbatojnë programin, hyjnë me besim në fushën e veprimit social, duke hasur një seri pyetjesh dhe mundësish, të cilat po ndiqen dhe po organizohen në një proces global të nxënies nga Zyra e Zhvillimit Social dhe Ekonomik në Tokën e Shenjtë. Tashmë, tёrёsia e njohurive dhe pёrvojёs nё rritje ka ngritur kapacitetin në zona të ndryshme në të gjithë globin, që të mbështesë secili mbi njëmijë paratërinj në program. Për të ndihmuar të tjerët të përparojnë lehtësisht në këtë drejtim, Zyra është duke krijuar një rrjet qendrash në të gjitha kontinentet, me ndihmën e një grupi besimtarësh, qё mund tё pёrdoren pёr t’i ofruar trajnime koordinatorëve, zonё pas zone. Këto burime njerëzore vazhdojnë t’i mbështesin koordinatorët, sapo kthehen në zonat e tyre përkatëse, duke i aftësuar ata të krijojnë një mjedis shpirtërisht të mbushur, ku mund të zërë rrënjë programi i paratërinjve.
(18) Edhe pse një model veprimi është tashmë i qartë, është e sigurt që njohuri të mëtejshme do të shtohen në këtë fushë përpjekjesh. Vetëm kapaciteti i komunitetit Bahá’í e kufizon ofertën ndaj kërkesës për programin nga shkollat ose grupet e shoqёrisё civile. Brenda zonave të cilat sot janë fokusi i programit intensiv të rritjes, ekzistojnë një seri rrethanash, nga ato me disa grupe sporadike të paratërinjve e deri në një numër të mjaftueshëm për të kërkuar shërbimin e një koordinatori të përkushtuar, i cili mund të mbёshtetet vazhdimisht nga njё qendër për përhapjen e nxënies. Për t’u siguruar që kjo aftësi rritet kudo në të gjithë spektrin e këtyre zonave, ne kemi bërë thirrje për 32 qendra nxënieje, secila duke u shërbyer rreth 20 zonave me koordinatorë me kohë të plotë, për të qenë funksionale deri në fund të Planit të tanishëm. Në të gjitha zonat e tjera tё tilla këtë vit duhet t’i jepet përparësi krijimit të kapacitetit për të ofruar programin, duke shumëfishuar në mënyrë sistematike numrin e grupeve.
*
(19) Zhvillimet që kemi përmendur deri tani – ngritja e kapacitetit për ta mësuar Besimin drejtpërdrejt dhe hyrja në diskutime të qëllimshme mbi tema me përmbajtje shpirtërore me njerëz nga të gjitha shtresat e jetës, lulëzimi i një qasjeje studimi të shkrimeve që ecёn krah pёr krah me veprimin, ripёrtёritja e përkushtimit për t’u ofruar edukim shpirtëror në mënyrë sistematike të rinjve në lagje dhe fshatra dhe përhapja e programit me qëllim që të rrënjosë te paratërinjtë sensin e qëllimit moral të dyfishtë: për të zhvilluar potencialet e tyre të qenësishme dhe për të kontribuar në transformimin e shoqërisë – janë të gjitha të përforcuara, jo në masa të vogla, nga njё tjetёr përparim në nivelin e kulturës, ndikimet e të cilave arrijnë, me të vërtetë, shumë larg. Ky evolucion në ndërgjegjësimin kolektiv është i dallueshëm në shpeshtësinë në rritje me të cilën fjala ‘shoqërim’ shfaqet në bisedat midis miqve, një fjalë e cila është veshur me një kuptim të ri, ndërsa integrohet në fjalorin e përbashkët të komunitetit Bahá’í. Kjo sinjalizon forcimin domethënës të një kulture, në të cilën nxënia është mënyra e veprimit, një mënyrë e cila nxit pjesëmarrjen e informuar të shumë e më shumë njerëzve, në përpjekje të bashkuar për t’i zbatuar mësimet e Bahá’u’lláh-ut për ndërtimin e qytetërimit hyjnor, për të cilin Ruajtësi pohon se është misioni parësor i Besimit. Një qasje e tillë ofron një kontrast goditës ndaj mënyrave shpirtёrisht tё falimentuara e në prag të vdekjes të një rendi të vjetër shoqëror, që shpesh kërkon të shfrytëzojë energjinë njerëzore nëpërmjet dominimit, lakmisë, fajit ose manipulimit.
(20) Pra, nё marrёdhёnie me miqtё, ky zhvillim nё kulturё gjen shprehje nё cilёsinё e ndёrveprimeve tё tyre. Nxёnia si mёnyrё veprimi kёrkon qё tё gjithё tё marrin njё qёndrim pёrunjёsie, njё gjendje nё tё cilёn secili e lё nё harresё veten, duke e vёnё besimin e plotё te Perёndia, të sigurt në fuqinë e Tij gjithёmbёshtetёse dhe me besim nё ndihmёn e Tij tё pashtershme, duke ditur qё Ai, dhe vetёm Ai, mund ta shndёrrojё mizёn nё shqiponjё, pikёn e ujit nё një det tё pamatë. Dhe nё njё gjendje tё tillё shpirtrat punojnё bashkё papushim, duke mos iu gёzuar shumё arritjeve tё veta, por përparimit dhe shёrbimeve tё tё tjerёve. Në këtë mënyrë, mendimet e tyre pёrqendrohen nё çdo kohё nё ndihmёn ndaj njёri-tjetrit pёr t’iu ngjitur lartёsive tё shёrbimit nё Kauzёn e Tij dhe pёr tё fluturuar nё qiellin e dijes sё Tij. Kjo ёshtё ajo qё shohim nё modelin e tanishёm tё veprimtarisё qё shpaloset nё tё gjithё globin, e pёrhapur nga tё rinjtё e tё moshuarit, nga veteranёt e tё sapodeklaruarit, tek punojnё krah pёr krah.
(21) Jo vetёm qё ky pёrparim nё kulturё i ndikon marrёdhёniet mes individёve, por ndikimet e tij mund tё ndihen gjithashtu nё drejtimin e çёshtjeve administrative tё Besimit. Ndёrsa nxёnia ёshtё bёrё tipar dallues i mёnyrёs sё veprimit tё komunitetit, aspekte tё caktuara tё vendim-marrjes, qё lidhen me pёrhapjen dhe konsolidimin, u janё caktuar trupёs sё besimtarёve, duke i mundësuar që planifikimi dhe zbatimi tё bёhen mё reagues ndaj rrethanave nё terren. Veçanërisht, ёshtё krijuar njё hapёsirё, nё agjencinё e takimit tё reflektimit, pёr ata qё janё angazhuar nё aktivite nё nivel zone, pёr t’u mbledhur herё pas here, me qёllim qё tё arrijnё konsensus mbi statusin aktual tё situatёs sё tyre, nёn dritёn e pёrvojёs dhe udhёheqjes prej institucioneve dhe qё tё pёrcaktojnё hapat e menjёhershёm përpara. Njё hapёsirё e ngjashme krijohet edhe prej institutit, i cili merr masa pёr ata qё shёrbejnё si tutorё, mёsues pёr klasat e fёmijёve dhe animatorё tё grupeve tё paratёrinjve nё njё zonё, pёr t’u takuar veçmas e pёr t’u konsultuar mbi pёrvojёn e tyre. Tё lidhura ngushtё me kёtё proces konsultativ nё terren janё agjencitё e Institutit tё trajnimit dhe Komiteti i Mёsimdhёnies pёr Zonёn, bashkё me anёtarёt e Trupës Ndihmёse, ndёrveprimet e pёrbashkёta tё tё cilёve sigurojnё njё tjetёr hapёsirё, nё tё cilёn merren vendime qё lidhen me rritjen dhe, nё kёtё rast, me njё shkallё mё tё lartё formaliteti. Veprimet e kёtij sistemi nё nivel zone, tё lindura nga nevojat, tregojnё pёr njё karakteristikё tё rёndёsishme tё administratёs Bahá’í: Ashtu si një organizëm i gjallё, ajo ka koduar brenda vetes kapacitetin pёr t’u bёrё vend shkallёve gjithnjё e mё tё larta tё kompleksitetit, pёrsa u pёrket strukturave dhe proceseve, marrёdhёnieve dhe veprimtarive, ndёrsa evoluon nёn udhёheqjen e Shtёpisё Universale tё Drejtёsisё.
(22) Fakti qё institucionet e Besimit nё tё gjitha nivelet – nga ai lokal dhe rajonal, tek ai kombёtar e kontinental – janё nё gjendje ta menaxhojnё tё tillё kompleksitet nё rritje me shkathtёsi gjithnjё e mё tё madhe, ёshtё si shenjё, ashtu edhe domosdoshmёri e pjekurisё sё tyre tё vazhdueshme. Marrёdhёniet në evoluim midis strukturave administrative e kanё sjellё Asamblenё Shpirtёrore Lokale te pragu i njё etape tё re nё ushtrimin e pёrgjegjёsive tё saj pёr ta pёrhapur Fjalёn e Perёndisё, pёr t’i mobilizuar energjitё e besimtarёve dhe pёr tё pёrkrahur njё mjedis qё ёshtё shpirtёrisht lartёsues. Nё raste tё mёparshme ne kemi shpjeguar se pjekuria e Asamblesё Shpirtёrore nuk mund tё matet vetёm nga rregullsia e takimeve tё saj dhe nga efikasiteti i funksionimit tё saj. Nё fakt, forca e saj duhet matur, nё njё masё tё gjerё, nga gjallёria e jetёs shpirtёrore e sociale tё komunitetit qё ajo i shёrben – njё komunitet nё rritje, qё mirёpret kontributet dobiprurëse, qoftё tё atyre qё janё tё anëtarësuar zyrtarisht, ashtu edhe tё atyre qё nuk janё. Ështё kёnaqёsi e madhe kur sheh qё pёrqasjet, metodat dhe instrumentet e tanishme po sigurojnё mjetet pёr Asambletё Shpirtёrore Lokale, qofshin ato edhe tё formuara rishtas, pёr t’i pёrmbushur kёto pёrgjegjёsi, ndёrsa ato marrin masat tё sigurojnё qё kёrkesat e Planit Pesёvjeçar të plotёsohen siç duhet nё lokalitetet e tyre. Nё tё vёrtetё, pёrfshirja e duhur e Asamblesё me Planin bёhet thelbёsore pёr çdo pёrpjekje pёr tё pёrqafuar numra tё mёdhenj – vetё kjo njё kёrkesё pёr shfaqjen e gamёs sё plotё tё veprimit tё fuqive dhe kapaciteteve tё saj.
(23) Zhvillimi qё do tё dёshmojmё me siguri nё Asambletё Shpirtёrore Lokale nё disa nga vitet e ardhshme mundёsohet nga forca nё rritje e Asambleve Shpirtёrore Kombёtare, aftёsia e tё cilave pёr tё menduar e pёr tё vepruar strategjikisht ёshtё rritur dukshëm, veçanёrisht duke qenë se ato kanё mёsuar ta analizojnё procesin komunitet-ndёrtues nё terren me mendjemprehtёsi dhe efektshmëri nё rritje dhe pёr tё injektuar nё tё, sipas nevojёs, ndihmё, burime, inkurajim dhe udhёheqje tё pёrzemёrt. Nё vendet ku rrethanat e kёrkojnё, ata ia kanё kaluar njё pjesё tё pёrgjegjёsive tё tyre lidhur me kёtё, Kёshillave Rajonalё, duke decentralizuar funksione tё caktuara administrative, duke rritur kapacitetin institucional nё zonat nёn juridiksionin e tyre dhe duke pёrkrahur bashkësi mё tё sofistikuara ndёrveprimesh. Nuk ёshtё ekzagjerim tё thuhet se përfshirja e plotё e Asambleve Kombёtare ishte ndihmuese nё krijimin e shtysёs pёrfundimtare qё nevojitej pёr tё arritur synimin e Planit e tanishëm dhe ne presim tё shohim zhvillime tё mёtejshme nё kёtё drejtim ndёrsa, nё bashkërendim me Kёshilltarёt, ushtrojnё nё vazhdёn e muajve kritikё e fluturakё pёrpara, njё pёrpjekje supreme pёr t’i pёrgatitur komunitetet e tyre pёr tё nisur sipёrmarrjen tjetёr pesёvjeçare.
(24) Pa diskutim, evoluimi i institucionit tё Kёshilltarёve pёrbёn njё ndёr pёrparimet mё domethёnёse nё Rendin Administrativ Bahá’í gjatё dhjetёvjeçarit tё fundit. Ky institucion kishte bёrё tashmё kapёrcime tё jashtëzakonshme nё zhvillimin e tij, kur, nё janar tё viti 2001, Kёshilltarёt dhe anёtarёt e Trupёs së Ndihmёs u mblodhёn nё Tokёn e Shenjtё pёr konferencёn qё shёnoi zёnien nga Qendra Ndёrkombёtare pёr Mёsimdhёnien tё selisё sё saj tё pёrhershme nё Malin Karmel. Nuk ka dyshim se energjitё e çliruara nga ajo ngjarje e kanё dhёnё shtyrë këtë institucion shpejtё pёrpara. Shkalla e ndikimit qё Kёshilltarёt dhe ndihmёsit e tyre kanё ushtruar nё progresin e Planit tregon se ata kanё marrё vendin e tyre tё natyrshёm nё vijёn e parё tё frontit nё fushёn e mёsimdhёnies. Ne kemi besim se viti që sapo ka filluar do t’i lidhё mё tej nё bashkёpunim institucionet e Rendit Administrativ, ndёrsa tё gjithё pёrpiqen tё pёrforcojnё, secili nё pёrputhje me funksionet dhe pёrgjegjёsitё e veta në evoluim, mёnyrёn e nxёnies, qё ёshtё kthyer nё aspekt dallues nё funksionimin e komunitetit – kjo, mё urgjentisht nё ato zona qё po pёrjetojnё programe intensive tё rritjes.
*
(25) Revelacioni i Bahá’u’lláh-ut ёshtё i pafund. Ai bёn thirrje pёr ndryshim tё thellё jo vetёm nё nivelin individual, por gjithashtu nё strukturёn e shoqёrisё. “A nuk ёshtё synimi i çdo Revelacioni”, Ai Vetё shpall, “tё shkaktojё njё shndërrim nё tёrё karakterin e njerёzimit, njё shndërrim qё do ta shfaqë veten e tij, si së brendshmi, ashtu edhe së jashtmi, qё do tё ndikojё si në jetёn e tij tё brendshme, ashtu edhe në kushtet e jashtme?” Puna qё po pёrparon nё çdo cep tё globit sot pёrfaqёson etapёn mё tё fundit tё pёrpjekjes sё vazhdueshme Bahá’í pёr tё krijuar bёrthamёn e qytetёrimit tё lavdishёm tё skalitur nё mёsimet e Tij, ndёrtimi i tё cilit ёshtё njё sipёrmarrje e njё kompleksiteti dhe shkalle tё pafund, një që do tё kёrkojё shekuj pёrpjekjesh nga ana e njerёzimit pёr t’u përmbushur. Nuk ka rrugё tё shkurtёr, nuk ka formula. Vetёm kur bёhet pёrpjekje pёr tё marrё prej kuptimeve tё brendshme nga Revelacioni i Tij, pёr ta çliruar dijen e grumbulluar tё racёs njerёzore, pёr t’i zbatuar mёsimet e Tij nё mёnyrё inteligjente në jetёn e njerёzimit dhe pёr t’u konsultuar mbi çёshtjet qё ngrihen, do tё ndodhё nxёnia e nevojshme dhe do tё zhvillohet kapaciteti.
(26) Nё kёtё proces afatgjatё tё rritjes sё kapacitetit, komuniteti Bahá’í i ka pёrkushtuar pothuajse njё dhjetёvjeçar e gjysmë sistematizimit tё pёrvojёs sё tij nё fushёn e mёsimdhёnies, duke mёsuar t’ua hapë aktivitete tё caktuara gjithnjё e mё shumё njerёzve dhe t’i bёjё tё qёndrueshëm pёrhapjen dhe konsolidimin e tij. Tё gjithё janё tё mirёpritur tё hyjnё nё pёrqafimin e ngrohtё tё komunitetit dhe tё marrin ushqim prej mesazhit jetёdhёnёs tё Bahá’u’lláh. Të jeni të sigurt që nuk ka lumturi mё tё madhe, sesa pёr njё shpirt, qё ёshtё i pёrmalluar pёr tё Vёrtetёn, tё gjejё strehё nё fortesёn e Kauzёs dhe tё marrё forcё prej fuqisё bashkuese tё Besёlidhjes. Sidoqoftë, çdo qenie njerёzore dhe çdo grup individёsh, pavarёsisht nёse numёrohen ndёr pasuesit e Tij, mund tё marrin frymёzim prej mёsimeve tё Tij, duke pёrfituar nga cilido prej gurёve të çmuar tё urtisё e tё dijes, që do t’i ndihmojnё ata tё përballen me sfidat me të cilat ata përballen. Nё tё vёrtetё, qytetёrimi qё ia bёn me shenjё njerёzimit nuk do tё arrihet vetёm pёrmes pёrpjekjeve tё komunitetit Bahá’í. Njё sёrё grupesh dhe organizatash, tё shpirtёzuara nga fryma e solidaritetit botёror qё ёshtё shfaqje e tёrthortё e konceptimit tё Bahá’u’lláh-ut mbi parimin e njёshmёrisё sё njerёzimit, do tё kontribuojnё nё qytetërimin e paracaktuar tё ngrihet nga trazira dhe kaosi i shoqёrisё sё sotme. Duhet tё jetё e qartё pёr cilindo qё kapaciteti i krijuar nё Komunitetin Bahá’í pёrgjatё Planeve globale tё njёpasnjёshme, e bёn atё tё gjithnjё e më shumë të aftë pёr tё dhёnё ndihmё nё dimensionet e shumta e tё larmishme tё ndёrtimit tё qytetёrimit, duke hapur para tij horizonte tё reja nxёnieje.
(27) Nё mesazhin tonё tё Riḍván-it 2008 treguam se, ndёrsa miqtё vazhdonin tё punonin nё nivelin e zonёs, ata do ta gjenin veten tё tёrhequr gjithnjё e mё shumë brenda jetёs sё shoqёrisё dhe do tё sfidoheshin ta shtrinin më tej procesin e nxёnies sistematike nё tё cilin janë angazhuar, pёr tё pёrfshirё njё fushё gjithnjë nё zgjerim tё pёrpjekjeve njerёzore. Njё pёlhurё e pasur jete komunitare fillon tё shfaqet nё çdo zonё, ndёrsa veprat e adhurimit komunitar, tё pёrziera me diskutime qё ndёrmerren nё mjedisin e ngushtë tё shtёpisё, ndёrthuren bashkё me veprimtari qё sigurojnё edukimin shpirtёror tё tё gjithё anёtarёve tё popullsisё – tё rritur, tё rinj dhe fёmijё. Ndёrgjegjja sociale rritet natyrshёm ndёrsa, pёr shembull, biseda tё gjalla shtohen midis prindёrve rreth aspiratave tё fёmijёve tё tyre dhe projektet e shёrbimit lulёzojnё me nismёn e paratёrinjve. Sapo burimet njerёzore nё njё zonё janё në sasi tё mjaftueshme dhe modeli i rritjes ёshtё vendosur mirё, angazhimi i komunitetit me shoqёrinё mund dhe, nё nё tё vёrtetё, duhet tё rritet. Nё kёtё pikё kyçe tё shpalosjes sё Planit, kur kaq shumё zona po i afrohen njё etape tё tillё, duket me vend qё miqtё kudo tё reflektojnë mbi natyrёn e kontributeve qё komunitetet e tyre nё rritje e plot gjallëri do t’i japin progresit material e shpirtёror tё shoqёrisё. Nё lidhje me kёtё, do tё ishte e frytshme tё mendohet pёrsa u pёrket dy fushave tё veprimtarisё, tё ndёrlidhura e dyanёsisht pёrforcuese: pёrfshirja nё veprimin social dhe pjesёmarrja nё diskutimet mbizotёruese tё shoqёrisё.
(28) Pёrgjatё dhjetёvjeçarёve, komuniteti Bahá’í ka fituar shumё pёrvojё nё kёto dy fusha tё pёrpjekjes. Ka, natyrisht, shumё Bahá’í qё janё angazhuar individualisht nё veprimin social dhe diskutimet publike pёrmes profesioneve tё tyre. Njё sёrё organizatash joqeveritare, tё frymёzuara nga mёsimet e Besimit dhe qё veprojnё nё nivel rajonal e kombёtar, po punojnё nё fushёn e zhvillimit social dhe ekonomik pёr pёrmirёsimin e jetёs sё popullit të tyre. Agjenci tё Asambleve Shpirtёrore Kombёtare po kontribuojnё pёrmes rrugёve tё ndryshme pёr përkrahjen e ideve qё çojnё nё mirёqenien publike. Nё nivel ndёrkombёtar, agjenci tё tilla si Zyra pranё Kombeve tё Bashkuara e Komunitetit Ndёrkombёtar Bahá’í po kryejnё njё funksion tё ngjashёm. Nё masёn e nevojshme e tё dёshirueshme, miqtё qё punojnё nё bazёn e komunitetit do tё marrin prej kësaj pёrvojё dhe kapacitet, ndёrsa orvaten t’i trajtojnё shqetёsimet e shoqёrisё përreth tyre.
(29) I konceptuar nё mёnyrёn mё tё duhur nё termat e njё spektri, veprimi social mund tё shtrihet nga pёrpjekjet thuajse jozyrtare tё njё kohёzgjatjeje tё kufizuar tё ndёrmarra nga individё apo grupe tё vogla miqsh, deri nё programe tё zhvillimit social dhe ekonomik me njё nivel tё lartё kompleksiteti dhe sofistikimi, qё zbatohen nga organizata tё frymёzuara nga mёsimet Bahá’í. Pavarёsisht nga synimi apo fusha e tij, gjithë veprimi social kёrkon tё aplikojё mёsimet dhe parimet e Besimit pёr tё pёrmirёsuar një aspekt tё jetёs sociale apo ekonomike tё njё popullate, nё mёnyrё sado modeste. Pёrpjekje tё tilla shquhen, mё pas, nga qёllimi i tyre i pohuar pёr tё përkrahur mbarёvajtjen materiale tё popullatёs, pёrveç mirёqenies së saj shpirtёrore. Qё qytetёrimi botёror, i cili duket tashmё nё horizontin e njerёzimit, duhet tё arrijё njё koherencё dinamike ndёrmjet kёrkesave materiale e shpirtёrore tё jetёs, ёshtё temё qendrore e mёsimeve Bahá’í. Qartёsisht, ky ideal ka rrjedhoja tё thella pёr natyrёn e çdo veprimi social tё ndёrmarrё nga Bahá’i-tё, cilido qoftё synimi dhe fusha e ndikimit tё tij. Megjithёse kushtet do tё ndryshojnë nga vendi nё vend dhe ndoshta, nga zona nё zonё, duke kёrkuar nga miqtё njё larmi pёrpjekjesh, ka disa koncepte themelore qё tё gjithё duhet t’i mbajnё parasysh. Njё ёshtё pozicioni qendror i dijes pёr ekzistencёn shoqёrore. Zgjatja e injorancёs ёshtё njё nga format mё tё rёnda tё shtypjes; ajo pёrforcon muret e shumta tё paragjykimit, tё cilat qёndrojnё si pengesa nё tё kuptuarin e njёshmёrisё sё njerёzimit, qё ёshtё njёkohёsisht synimi dhe parimi veprues i Revelacionit tё Bahá’u’lláh-ut. Mundësia për të marrë dije ёshtё e drejta e çdo qenieje njerёzore dhe pjesёmarrja nё gjenerimin, zbatimin dhe pёrhapjen e saj ёshtё pёrgjegjёsi qё tё gjithё duhet ta mbёshtesin nё sipёrmarrjen e madhёrishme tё ngritjes sё njё qytetёrimi botёror tё begatё – çdo individ, sipas talenteve dhe aftёsive tё tij apo tё saj. Drejtёsia kёrkon pjesёmarrje universale. Kёshtu, ndёrsa veprimi social mund tё pёrfshijё sigurimin e tё mirave dhe shёrbimeve nё njё lloj forme, interesi i tij parёsor duhet tё jetё tё ngrejё kapacitetet brenda njё popullate tё caktuar pёr tё marrё pjesё nё krijimin e njё bote mё tё mirё. Ndryshimi social nuk ёshtё njё projekt qё njё grup njerёzish e kryen nё dobi tё njё tjetri. Synimi dhe kompleksiteti i veprimit social duhet tё jetё nё pёrpjesёtim me burimet njerёzore nё dispozicion tё njё fshati apo lagjeje pёr ta çuar atё pёrpara. Pra, pёrpjekjet fillojnё më mirë nё njё shkallё modeste dhe rriten nё mёnyrё organike, ndёrsa zhvillohet kapaciteti brenda popullatёs. Kapaciteti rritet nё nivele tё reja, natyrisht, ndёrkohё qё protagonistёt e ndryshimit social mёsojnё t’i zbatojnë me efektshmëri nё rritje elementet e Revelacionit tё Bahá’u’lláh, bashkё me pёrmbajtjen dhe metodat e shkencёs, nё realitetin e tyre shoqëror. Kёtё realitet ata duhet tё pёrpiqen ta lexojnё nё njё mёnyrё qё pёrputhet me mёsimet e Tij – duke parё nё qeniet njerёzore gurёt e çmuar tё njё vlere tё pamatё dhe duke i njohur ndikimet e procesit tё dyfishtё tё integrimit dhe të disintegrimit si nё zemra e nё mendje, ashtu edhe nё strukturat shoqёrore.
(30) Veprimi social i efektshёm shёrben nё pasurimin e pjesёmarrjes nё bisedat e shoqёrisё, ashtu siç kuptimet e brendshme të fituara nga angazhimi nё diskutime tё caktuara mund tё ndihmojnё nё qartёsimin e koncepteve qё modelojnë veprimin social. Nё nivel zone, pёrfshirja nё diskutimet publike mund tё luhaten nga njё akt i thjeshtё i parashtrimit tё ideve Bahá’í nё bashkёbisedimet e pёrditshme, deri nё aktivitete mё zyrtare tё tilla si pёrgatitja e artikujve dhe pjesёmarrja nё takime qё u pёrkushtohen temave tё interesit shoqёror – ndryshimi i klimёs dhe mjedisi, qeverisja dhe tё drejtat e njeriut, sa pёr tё pёrmendur disa. Ai sjell, po kёshtu, ndёrveprime kuptimplota me grupe tё shoqёrisё civile dhe organizata lokale nё fshatra dhe lagje.
(31) Nё lidhje me kёtё, ndihemi tё shtyrё tё bёjmё njё paralajmёrim: Do tё jetё e rёndёsishme pёr tё gjithё tё kuptohet se vlera e angazhimit nё veprimin social dhe diskutimet publike nuk duhet tё gjykohet nga aftёsia pёr tё sjellё anëtarësime tё reja. Megjithёse pёrpjekjet nё kёto dy fusha tё veprimtarisё mund tё shkaktojnё njё rritje nё madhёsinё e komunitetit Bahá’í, ato nuk ndёrmerren pёr kёtё qёllim. Lidhur me kёtё, sinqeriteti ёshtё njё domososhmёri. Pёr mё tepёr, duhet ushtruar kujdes nё shmangien e mbitheksimit tё pёrvojёs Bahá’í apo tё tёrheqjes sё tepruar të vёmendjes nё pёrpjekjet nё rritje e sipёr, tё tilla si programi pёr fuqizimin shpirtёror tё paratёrinjve, tё cilat duhen lёnё mё mirё tё piqen sipas ritmit tё tyre. Fjala kyçe nё çdo rast ёshtё pёrunjёsia. Ndёrkohё qё pёrcjellin entuziazёm rreth bindjeve tё tyre, miqtё duhet tё ruhen ndaj shfaqjes sё njё ndjesie triumfi, thuajse të papërshtatshme midis vetë atyre, aq mё pak nё rrethana tё tjera.
(32) Nё pёrshkrimin pёr ju tё kёtyre mundёsive tё reja qё hapen nё nivel zone, ne nuk po ju kёrkojmё ta ndryshoni nё ndonjё mёnyrё kursin tuaj. As nuk duhet përfytyruar se mundёsi tё tilla pёrfaqёsojnё njё arenё alternative pёr shёrbim, duke u vёnё nё garё me punёn pёrhapёse dhe konsoliduese pёr burimet dhe energjitё e kufizuara tё komunitetit. Gjatё vitit të ardhshëm, procesi i institutit dhe modeli i veprimtarisё qё ai krijon duhet tё vazhdojё tё forcohet dhe mёsimdhёnia duhet tё mbetet mё e larta nё mendjen e çdo besimtari. Pёrfshirja e mёtejshme nё jetёn e shoqёrisё nuk duhet tё kёrkohet para kohe. Ajo do tё vijё natyrshёm, ndёrkohё qё miqtё nё çdo zonё kёmbёngulin nё zbatimin e parashikimeve tё Planit pёrmes njё procesi veprimi, reflektimi, konsultimi e studimi dhe mësojnë si rrjedhojë. Pёrfshirja nё jetёn e shoqёrisё do tё lulёzojё ndёrkohё qё kapaciteti i komunitetit pёr ta përkrahur rritjen e tij dhe pёr ta mbajtur gjallёrinё e tij rriten gradualisht. Ajo do tё arrijё koherencё me pёrpjekjet pёr t’u pёrhapur e pёr ta konsoliduar komunitetin, nё atё shkallё qё ajo bazohet nё elemente tё kuadrit konceptual qё qeverisin serinё aktuale tё Planeve globale. Dhe ajo do tё kontribuojё nё lёvizjen e popullatave drejt vizionit tё Bahá’u’lláh-ut pёr njё qytetёrim botёror tё begatё e paqёsor nё atё gradё sa t’i angazhojё kёto elemente nё mёnyrё kreative nё fushat e reja tё nxёnies.
*
(33) Të dashur miq: Sa shpesh Mjeshtri i Shumëdashur ka shprehur shpresën që zemrat e besimtarëve do të mbusheshin me dashuri për njëri-tjetrin, që ata nuk do të pranonin kufij ndarës, por do ta shihnin gjithë njerëzimin porsi një familje. “Mos shihni askënd si të huaj”, është këshilla e Tij; “përkundrazi, shihini të gjithë njerëzit si miq, sepse dashuria dhe uniteti vështirësohen kur shikimi drejtohet te dallimet.” Të gjitha zhvillimet e shqyrtuara në faqet e mësipërme janë, në nivelin më të thellë, veç një shprehje e dashurisë së përbotshme të arritur nëpërmjet fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Sepse a nuk është dashuria për Perëndinë që i djeg të gjitha vellot e ftohjes e të ndarjes dhe i bashkon zemrat së bashku në unitet të përkryer? A nuk është dashuria e Tij që ju shtyn në fushën e shërbimit dhe ju aftëson të shihni në çdo shpirt aftësinë për ta njohur dhe adhuruar Atë? A nuk jeni ju të nxitur nga dija që Manifestimi i Tij e duroi me gëzim një jetë plot vuajtje për hir të dashurisë së Tij për njerëzimin? Shikoni në radhët tuaja, vëllezërit dhe motrat tuaj të dashur Bahá’í në Iran. A nuk janë ata shembull i qëndresës së lindur nga dashuria për Perëndinë dhe dëshira për t’i shërbyer Atij? A nuk tregon aftësia e tyre për të kapërcyer përndjekjet më mizore dhe më të hidhura aftësinë e miliona e miliona njerëzve të shtypur në botë për t’u ngritur e për të marrë një pjesë vendimtare në ndërtimin e Mbretërisë së Perëndisë në tokë? Të papenguar nga formimet shoqërore përçarëse, nxitoni dhe silluani Mesazhin e Bahá’u'lláh-ut shpirtrave në pritje në çdo lagje qytetase, në çdo katundth fshatar, në çdo cep të globit, duke i avitur drejt komunitetit të Tij, komunitetit të Emrit më të Madh. Kurrë nuk largoheni nga mendimet dhe lutjet tona dhe ne do të vazhdojmë t’i përgjërohemi të Gjithëfuqishmit t’ju përforcojë me hirin e Tij të mahnitshëm.
Bahá’í-ve të Botës Miq të shumëdashur, Vetëm tre vjet më parë, ne vendosëm para botës Bahá’í sfidën e vënies në jetë të strukturës së veprimit që kishte dalë me kaq qartësi në përfundimin e Planit të kaluar botëror. Përgjigjja, sikurse ne kishim shpresuar, ishte e menjëhershme. Me vrull të madh, miqtë në çdo vend filluan të përpiqeshin për të realizuar vendosjen e programeve intensive të rritjes në jo më pak se 1,500 zona në mbarë botën, dhe numri i programeve të tilla shpejt filloi të rritej. Por askush nuk do të mund ta imagjinonte atëherë se sa thellësisht Zoti i Ushtrive, në urtësinë e Tij të padepërtueshme, kishte caktuar ta transformonte komunitetin e Tij në një periudhë kaq të shkurtër kohe. Ç’komunitet i vendosur e i sigurtë ishte ai që kremtoi arritjet e veta, në pikën e mesit të rrugës së Planit aktual, në dyzet e një konferencat rajonale nëpër të gjithë globin! Çfarë kontrasti të jashtëzakonshëm dhanë koherenca dhe energjia e tij kundrejt çorientimit dhe konfuzionit të një bote të zhytur në vorbullën e krizës! Ky, me të vërtetë, ishte komuniteti i të hareshmëve të cilit i referohet Ruajtësi. Ky ishte një komunitet i vetëdijshëm për potencialet e pafundme me të cilat është pajisur dhe i ndërgjegjshëm për rolin e destinuar të luajë në rindërtimin e një bote të rënë. Ky ishte një komunitet në rritje, i ekspozuar ndaj shtypjes së egër në njërën pjesë të globit, tashmë duke u ngritur i papërmbajtur dhe i patrembur si një i tërë dhe duke forcuar kapacitetin për të arritur qëllimin e Bahá’u’lláh-ut për të çliruar njerëzimin nga zgjedha e shtypjes më të madhe. Dhe në pothuajse tetëdhjetëmijë pjesëmarrës që morën pjesë në këto konferenca ne pamë shfaqjen në skenën historike të një besimtari individual me bindjen më të lartë në efikasitetin e metodave e të instrumenteve të Planit dhe mrekullisht të shkathët në përdorimin e tyre. Secili dhe çdo shpirt i këtij deti të gjerë qëndronte si një dëshmi e fuqisë transformuese të Besimit. Secili dhe gjithkush ishte një tregues i premtimit të Bahá’u’lláh-ut për të ndihmuar të gjithë ata që ngrihen me shkëputje dhe sinqeritet për t’i shërbyer Atij. Secili dhe gjithkush ofroi një vezullim të asaj race qeniesh, të përkushtuar e guximtarë, të dëlirë e të shenjtëruar, të paracaktuar të zhvillohen ndër breza nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Revelacionit të Bahá’u’lláh-ut. Në ta pamë shenjat e para të plotësimit të shpresës sonë të shprehur në fillimin e Planit, që influenca edukuese e Besimit, përmes procesit të Institutit, do të shtrihej në qindra mijëra të tjerë. Janë të gjitha gjasat që, me mbarimin e periudhës së Riván-it, numri i programeve intensive të rritjes në të gjithë botën të jetë më shumë se 1,000. Çfarë mund të bëjmë ne më tepër, në hapjen e këtij Festivali gëzimplotë, se sa të përkulim kokën përunjësisht para Perëndisë dhe t’I ofrojmë lutje falenderimi për bujarinë e Tij të pakufishme kundrejt komunitetit të Emrit më të Madh.
Mijëra e mijëra, që përfaqësojnë larminë e të gjithë familjes njerëzore, janë angazhuar në studimin sistematik të Fjalës Krijuese në një mjedis që është njëkohësisht serioz dhe frymëzues. Ndërsa përpiqen t'i vënë në zbatim kuptimet e fituara kështu përmes një procesi veprimi, reflektimi e konsultimi, ata e shohin tek rritet në nivele të reja kapaciteti i tyre për t'i shërbyer Kauzës. Duke iu përgjigjur dëshirës më të brendshme të çdo zemre për të komunikuar me Krijuesin e vet, ata kryejnë vepra të adhurimit kolektiv në mjedise të larmishme, duke u bashkuar në lutje me të tjerët, duke zgjuar perceptimet shpirtërore dhe duke i dhënë formë një modeli jete që shquhet për karakterin e vet devocional. Ndërsa ftojnë njëri-tjetrin në shtëpitë e tyre dhe u bëjnë vizita familjeve, miqve e të njohurve, ata hyjnë në bashkëbisedime plot kuptim mbi tema të rëndësisë shpirtërore, thellojnë dijet e tyre mbi Besimin, ndajnë Mesazhin e Bahá'u'lláh-ut dhe mirëpresin një numër njerëzish gjithnjë në rritje për t'u bashkuar me ta në një sipërmarrje të madhërishme shpirtërore. Të vetëdijshëm për aspiratat e fëmijëve të botës dhe për nevojën e tyre për edukim shpirtëror, ata i shtrijnë gjerësisht përpjekjet e tyre, për të përfshirë kontigjente gjithnjë në rritje pjesëmarrësish në klasa që kthehen në qendra tërheqjeje për të rinjtë dhe që i forcojnë rrënjët e Besimit në shoqëri. Ata i ndihmojnë para-të-rinjtë të përshkojnë me hapa të orientuar një ndër fazat më kritike të jetës së tyre dhe të bëhen të aftë për t'i drejtuar energjitë e tyre drejt përparimit të qytetërimit. Dhe, me avantazhin e një bollëku më të madh burimesh njerëzore, një numër në rritje i tyre janë në gjendje ta shprehin besimin e tyre përmes një vale në rritje përpjekjesh që prekin nevojat e njerëzimit, qoftë në dimensionin e tyre shpirtëror, ashtu dhe në atë material. E tillë është panorama përpara nesh, ndërsa ndalemi në këtë Rizvan për të vëzhguar progresin e komunitet mbarëbotëror Bahá'í.
Në disa raste, ne kemi treguar se synimi i serisë së Planeve globale, që do ta dërgojnë botën Bahá'í drejt festimit të njëqindvjetorit të Epokës Formuese të Besimit në vitin 2021, do të arrihet përmes progresit të shënuar në veprimtarinë dhe në zhvillimin e besimtarit individual, të institucioneve dhe të komunitetit. Në këtë moment, që është pika e mesme e atij që do të jetë çereku i një shekulli përpjekjesh të vazhdueshme e të përqendruara, provat e kapacitetit të rritur janë të dukshme kudo. I një domethënie të veçantë është ndikimi në zgjerim i dinamizmit që rrjedh nga ndërveprimet mes tre pjesëmarrësve në Plan. Institucionet, që nga niveli kombëtar e deri tek ai lokal, shohin me qartësi gjithnjë e më të madhe se si të krijojnë kushtet që çojnë në shprehjen e energjive shpirtërore të një numri në rritje besimtarësh, në ndjekje të një synimi të përbashkët. Komuniteti po shërben shumë e më shumë si ai mjedis në të cilin përpjekja individuale dhe veprimi kolektiv, të ndërmjetësuar nga instituti, mund ta plotësojnë njëri-tjetrin, me qëllim që të arrihet progres. Gjallëria që shfaq dhe uniteti i qëllimit që u jep jetë përpjekjeve të tij po tërheqin brenda radhëve të tij që rriten, nga çdo fushë e jetës, ata që janë të zellshëm t'ia përkushtojnë kohën dhe energjitë e tyre mirëqenies së njerëzimit. Është e qartë që dyert e komunitetit janë të hapura më gjerë për çdo shpirt pranues për të hyrë e për të marrë ushqim nga Revelacioni i Bahá'u'lláh-ut. Nuk ka dëshmi më të madhe për efektshmërinë e ndërveprimeve mes tre pjesëmarrësve të Planit sesa përshpejtimi shumë i madh i ritmit të mësimdhënies që u përjetua këtë vit që shkoi. Avancimi i bërë në procesin e hyrjes me trupa ishte me të vërtetë domethënës.
Brenda sferës së këtyre ndërveprimeve të rritura, iniciativa individuale po bëhet gjithnjë e më e efektshme. Në mesazhet e mëparshme ne i jemi referuar nxitjes që procesi i institutit i jep ushtrimit të iniciativës nga besimtari individual. Miqtë në çdo kontinent janë angazhuar në studimin e Shkrimeve për qëllimin e qartë të nxënies se si t'i vënë në jetë mësimet për rritjen e Besimit. Një numër mbresëlënës besimtarësh po e mbështesin tani përgjegjësinë për gjallërimin shpirtëror të komuniteteve të tyre; energjikisht, ata po kryejnë ato akte shërbimi që i shkojnë për shtat një modeli të shëndetshëm rritjeje. Ndërsa kanë punuar me ngulm në fushën e shërbimit ndaj Kauzës, duke mbajtur një qëndrim të përunjur nxënieje, kurajoja e urtia, zelli e mendjemprehtësia, entuziazmi e maturia, vendosmëria e besimi i tyre te Perëndia janë kombinuar të gjitha bashkë, duke përforcuar njëra-tjetrën. Gjatë prezantimit të Mesazhit të Bahá'u'lláh-ut dhe shpalosjes së të vërtetave të tij, ata i kanë ruajtur në zemër fjalët e Shoghi Effendi-ut se ata nuk duhet as të "hezitojnë" e as të "ngurojnë", as ta "mbitheksojnë" e as ta "zvogëlojnë" të vërtetën që përkrahin. Ata nuk janë as "fanatikë" e as "tepër liberalë". Përmes qëndrueshmërisë së tyre në mësimdhënie, ata e kanë rritur aftësinë për të përcaktuar nëse dëgjuesi i tyre kërkon që ata të jenë "të matur" apo "të guximshëm", "të veprojnë menjëherë" apo "të lënë kohë", të jenë "të drejtpërdrejtë" apo "të tërthortë" në metodat që përdorin.
Ajo që vazhdojmë ta shohim si inkurajuese është se sa e mirëdisiplinuar është kjo iniciativë individuale. Kudo komunitetet po i përvetësojnë gradualisht mësimet që po mësohen nga sistematizimi, ndërsa kuadri i përcaktuar nga seria aktuale e Planeve u jep qëndrueshmëri e fleksibilitet përpjekjeve të miqve. Larg nga të qënit kufizues për ta, ky kuadër i mundëson ata të rrokin shanse, të ndërtojnë marrëdhënie dhe ta kthejnë në realitet vizionin e rritjes sistematike. Me një fjalë, ai u jep formë fuqive të tyre kolektive.
Ndërsa vëzhgojmë se çfarë është arritur përreth botës, zemrat tona mbushen me admirim të veçantë për besimtarët në Iran, të cilët, në rrethanat më të rënda, janë ngritur me guxim për t'i shërbyer vendit të tyre dhe po i drejtojnë energjitë drejt rigjallërimit të tij, edhe pse shtigjet e hapura ndaj tyre janë të kufizuara. E për arsye të kufizimeve të vëna mbi administrimin e Besimit, ata janë ngritur mbi baza individuale për t'i njohur bashkëqytetarët e tyre me mësimet e Bahá'u'lláh-ut, duke i angazhuar ata drejtpërdrejt në bashkëbisedime rreth Mesazhit të Tij shpëtues. Ndërsa filluan të bënin kështu, ata jo vetëm që kanë marrë një mbështetje të paparë nga shpirtra të ndriçuar, por janë përballur me një pranueshmëri shumë më tepër asaj që e kishin imagjinuar si të mundshme.
Çdo ndjekës i Bahá'u'lláh-ut, i vetëdijshëm për forcat e integrimit dhe të dizintegrimit që veprojnë sot në shoqëri, e sheh qartë lidhjen e ndërsjelltë ndërmjet rritjes së pranueshmërisë së Besimit në çdo pjesë të globit dhe dështimit të sistemeve të botës. Është e sigurtë që një pranueshmëri e tillë do të rritet, ndërkohë që agonitë e njerëzimit thellohen. Le të mos bëhet asnjë gabim. Rritja e kapaciteteve, që është vënë në lëvizje për t'iu përgjigjur pranueshmërisë në rritje, është akoma në hapat e saj të parë. Në vitet e ardhshme, shkalla e kërkesave të një bote në rrëmujë do ta testojë këtë kapacitet deri në kufijtë e tij. Njerëzimi merr goditje pa pushim nga forcat e shtypjes, qofshin të lindura nga thellësitë e paragjykimit fetar, apo nga majat e materializmit të shfrenuar. Bahá'í-të janë në gjendje t'i shquajnë shkaqet e këtij mundimi. "Çfarë 'shtypje' më të rëndë mund të ketë", pyet Bahá'u'lláh-u, "se ajo kur një shpirt që kërkon të vërtetën dhe dëshiron të arrijë te dija për Perëndinë, nuk e di se ku të shkojë për të dhe prej kujt ta kërkojë?" Nuk ka kohë për të humbur. Progres i vazhdueshëm duhet të arrihet në veprimtarinë dhe në zhvillimin e të tre pjesëmarrësve në Plan.
'Abdu'l-Bahá-i ka lartësuar "dy thirrje" për te "suksesi dhe prosperiteti", që mund të dëgjohen nga "lartësitë e lumturisë së njerëzimit". Njëra është "thirrja e qytetërimit", e "progresit të botës materiale". Ajo përmbledh "ligjet", "rregullat", "artet dhe shkencat", përmes të cilave zhvillohet njerëzimi. Tjetra është "thirrja prekëse e Perëndisë", mbi të cilën varet lumturia e përjetshme e njerëzimit. "Kjo thirrje e dytë", ka shpjeguar Mjeshtri, "bazohet në udhëzimet e në paralajmërimet e Zotit dhe në vërejtjet e në emocionet altruiste që i përkasin rrafshit të moralit, të cilat, ashtu si një dritë madhështore, e shkëlqejnë dhe e ndriçojnë llampën e realiteteve të njerëzimit. Fuqia e saj depërtuese është Fjala e Perëndisë". Ndërkohë që vazhdoni të punoni në zonat tuaja, ju do të tërhiqeni thellë e më thellë drejt jetës së shoqërisë përreth jush dhe do të sfidoheni për ta shtrirë procesin e nxënies sistematike, në të cilin jeni angazhuar, që të përfshijë një gamë në rritje të përpjekjeve njerëzore. Në qasjet që ndërmerrni, në metodat që adoptoni dhe në instrumentet që përdorni do t'ju nevojitet të arrini të njëjtën shkallë koherence që karakterizon modelin e rritjes tashmë të nisur.
Qëndrueshmëria e rritjes nga zona në zonë do të varet nga cilësitë që shquajnë shërbimin tuaj ndaj popujve të botës. Kaq të çliruara duhet të jenë mendimet dhe veprimet tuaja nga çdo gjurmë paragjykimi - racial, fetar, ekonomik, kombëtar, fisnor, klasor apo kulturor - saqë edhe një i huaj të shohë te ju një mik të dashur. Kaq i lartë duhet të jetë standardi juaj i shkëlqyeshmërisë dhe kaq të kulluara e të dëlira jetët tuaja, saqë ndikimi moral që ushtroni të depërtojë në ndërgjegjen e mbarë komunitetit. Vetëm kur të shfaqni atë sjellje korrekte për të cilën shkrimet e Besimit i bëjnë thirrje çdo shpirti, do të jeni në gjendje të luftoni kundër formave të panumërta të korrupsionit, të dukshme e të fshehta, që po gërryejnë organet e shoqërisë. Vetëm kur ta perceptoni nderin dhe fisnikërinë te çdo qenie njerëzore - e kjo pavarësisht nga pasuria apo varfëria - do të jeni në gjendje t'i dilni për zot Kauzës së drejtësisë. Masat e mëdha të njerëzimit do të mund të strehohen në komunitetin Bahá'í në atë shkallë që proceset administrative të institucioneve tuaja udhëhiqen nga parimet e konsultimit Bahá'í.
Ndërsa ju shkoni përpara, kini besim se Tubimi i Epërm po mobilizon forcat e veta dhe qëndron i gatshëm t'ju vijë në ndihmë. Lutjet tona të vazhdueshme do t'ju rrethojnë.
Viti i parë i Planit Pesëvjeçar mbart një dëshmi shprehëse të shpirtit të përkushtimit me të cilin ndjekësit e Bahá'u'lláh-ut kanë përqafuar strukturën e veprimit të paraqitur në Mesazhin tonë të 27 Dhjetorit 2005 dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara procesin e hyrjes me trupa. Atje ku kjo strukturë është aplikuar në mënyrë koherente me të gjitha përmasat e saj në zonë, është arritur një përparim i qëndrueshëm si në drejtim të pjesëmarrjes së besimtarëve dhe miqve të tyre në jetën e komunitetit, ashtu dhe në drejtim të rritjes numerike, me disa zona që raportojnë qindra deklarime në pak muaj dhe me të tjera që kanë rritje në rezultate. Jetësor për këtë zhvillim ka qenë një vetëdije e mprehtë e natyrës shpirtërore të sipërmarrjejes, së bashku me një kuptim në rritje të atyre instrumenteve vendim-marrëse, që janë përcaktuese për veçoritë kryesore të Planit.
Përpara prezantimit të serisë në progres të Planeve tona gobale, të përqendruar në qëllimin e vetëm të çuarjes përpara të procesit të hyrjes me trupa, komuniteti Bahá'í ka kaluar përmes një faze të shpejtë përhapjeje në shkallë të gjerë në mjaft pjesë të botës - një përhapje që, në fund të fundit, ishte e pamundur të mbahej. Sfida, atëherë, nuk qëndronte aq shumë në fryrjen e radhëve të Kauzës me anëtarë të rinj, të paktën nga popullsia e provuar si e interesuar, por në përfshirjen e tyre brenda jetës së komunitetit dhe në ngritjen nga mesi i tyre të një numri të mjaftueshëm personash të përkushtuar për shtrirjen e saj të mëtejshme. Ishte kaq vendimtare për botën Bahá'í t'i përkushtohej kësaj sfide, sa që ne e bëmë atë karakteristikën qendrore të Planit Katërvjeçar dhe u bëmë thirrje Asambleve Shpirtërore Kombëtare të përdornin pjesën më të madhe të energjive të tyre për krijimin e kapaciteteve institucionale, në formën e instituteve të trainimit, për të zhvilluar burimet njerëzore. Ne treguam që rritja në vazhdimësi e kontigjentit të besimtarëve do të duhej të përfitohej nga një program zyrtar i trainimit, i hartuar t'i pajisë ata me njohuri e mprehtësi shpirtërore, me aftësitë dhe kapacitetet që kërkohen për të realizuar aktet e shërbimit që do të mund të mbështesnin përhapjen dhe konsolidimin në shkallë të gjerë.
Sot, teksa vëzhgojmë punët e këtyre zonave, të cilat janë në një gjendje të fuqishme rritjeje, vërejmë që, në secilën prej tyre, miqtë kanë vazhduar të fuqizojnë procesin e institutit, ndërkohë që po mësojnë të mobilizojnë bërthamën në zgjerim të mbështetësve të tyre aktivë të Besimit, të krijojnë një skemë të efektshme për bashkërendimin e përpjekjeve të tyre, të ndërthurin iniciativat e tyre individuale dhe përpjekjet kolektive brenda një modeli efektiv të veprimit të unifikuar dhe të përdorin analizat e të dhënave përkatëse në planifikimin e cikleve të aktiviteteve të tyre. Kështu ata kanë gjetur që mënyra për çuarjen përpara krah për krah e detyrës së përhapjes dhe konsolidimit - çelësi drejt rritjes së mbështetur - është e provueshme. Dëshmi të tilla do të frymëzojnë me siguri çdo besimtar të devotshëm, për të mbetur të qëndrueshëm në shtegun e të nxënit sistematik që ishte vendosur.
Arritjet e këtyre viteve përpjekjesh të jashtëzakonshme nuk janë kufizuar te këto zona ku puna e përhapjes dhe e konsolidimit në shkallë të gjerë është rigjallëruar në këtë mënyrë. Përqasja e ndërmarrë gjatë Planit Katërvjeçar, i ndjekur nga Plani Dymbëdhjetëmujor dhe nga Plani i mëparshëm Pesëvjeçar rezultoi e dobishme në krijimin e kushteve për besimtarët që t'i shtrinin përpjekjet e tyre te një rreth i gjerë njerëzish, duke i tërhequr ata në aspekte të ndryshme të jetës komunitare. Përfitimet e procesit të gjatë 10-vjeçar të ndërtimit të kapacitetit te tre pjesëmarrësit e Planeve botërore tani janë gjerësisht të dukshme. Kudo ishte e nevojshme të fitohej një kuptim i dinamikave të zhvillimit të burimeve njerëzore. Kudo miqve u duhej të mësonin kërkesat e rritjes së qëndrueshme - t'i jepnin shtysë veprimit sistematik dhe të shmangnin shpërqendrimin, të sillnin disa elemente të vendimmarrjes kolektive më afër bazës dhe të krijonin komunitete me një ndjenjë misioni, të inkurajonin pjesëmarrjen e përgjithshme dhe t'u bënin vend segmenteve të ndryshme të shoqërisë në aktivitetet e tyre, veçanërisht fëmijë e paratërinj, mbrojtësit dhe përhapësit e ardhshëm të Kauzës së Perëndisë dhe ndërtuesit e qytetërimit të Tij.
Me një themel kaq të qëndrueshëm të përgatitur, preokupimi kryesor në mendjen e secilit besimtar duhet të jetë mësimdhënia. Nëse me përpjekjet personale ata i mësojnë miqtë e tyre në takimet rreth vatrës dhe më pas i përfshijnë në aktivitetet-bazë ose i përdorin këto aktivitete si instrumenti kryesor për mësimdhënie, nëse si komunitet ata e bëjnë punën e tyre me fëmijët dhe paratërinjtë shtytjen fillestare në zonë, apo përqendrohen si fillim në brezat më të vjetër, nëse në përpjekjet e tyre kolektive ata vizitojnë në ekipe familjet si pjesë e një fushate intensive ose herë pas here thërrasin kërkuesit në shtëpitë e tyre - këto janë vendime që mund të merren vetëm sipas rrethanave dhe mundësive të miqve si dhe nga natyra e popullatës me të cilën ndërveprojnë. Çfarë duhet të kuptojnë të gjithë, pavarësisht rrethanave, është nevoja britëse e njerëzimit, që mungesa e ushqimit shpirtëror po e fundos thellësisht në dëshpërim, dhe është urgjenca e përgjegjësisë për t'ia mësuar gjithësecilit atë që i është besuar secilit prej nesh si anëtar i komunitetit të Emrit më të Madh.
Bahá'u'lláh-u i ka urdhëruar ndjekësit e Tij t'i mësojnë njerëzimit Kauzën. Tashmë janë me mijëra e mijëra ata që zbatojnë gjallërisht kërkesat e Planit, për të hapur rrugën që do t'i drejtojë shpirtrat tek Oqeani i Revelacionit të Tij. Ne vështrojmë me sytë plot shpresë për ditën kur mësimdhënia të jetë pasioni mbizotërues në jetën e çdo besimtari dhe kur uniteti i komunitetit të jetë kaq i fortë sa ta mundësojë këtë gjendje ndezjeje të shprehë vetveten në veprime të palodhura në fushën e shërbimit. Kjo, pra, është shpresa jonë e flaktë për ju dhe objekti i lutjeve tona më të zjarrta në Pragun e Shenjtë.
Ridváni 2006 është një moment i ngarkuar me frymën e triumfit e të shpresës. Pasuesit e Bahá'u'lláh-ut kudo me të drejtë mund të jenë krenarë për madhështinë e arritjeve të tyre gjatë Planit Pesëvjeçar që tani po i afrohet fundit. Dhe ata mund ta shikojnë të ardhmen me besim që i jepet vetëm atyre, vendosmëria e të cilëve është çelnikosur përmes përvojës. Tërë bota Bahá'í është gjallëruar duke parë pikëmbërrijtjen e nismës së Planit Pesëvjeçar që kemi përpara, përkushtimin e thellë që ajo do të kërkojë, dhe rezultatet që ajo është e destinuar të arrijë. Lutjet tona bashkohen me tuajat kur ju ktheheni me mirënjohje ndaj Bahá'u'lláh-ut për privilegjin që ju është dhënë të shihni shpalosjen e qëllimit të Tij kundrejt njerëzimit.
Në mesazhin tonë të 27 dhjetorit 2005 dërguar Këshilltarëve të mbledhur në Tokën e Shenjtë dhe trasmetuar po atë ditë të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare, ne përvijonim tiparet e Planit Pesëvjeçar që do të shtrihet nga 2006 në 2011. Miqtë dhe institucionet e tyre nxiteshin ta studionin me themel mesazhin, dhe përmbajtja e tij është pa dyshim e njohur për ju. Tani ne ju bëjmë thirrje ju të gjithëve t'i drejtoni energjitë tuaja për të siguruar që gjatë pesë vjetëve të ardhme qëllimi për të zbatuar programe intensive të rritjes në jo më pak se 1,500 grupe në mbarë botën të arrihet me sukses. Fakti që në muajt që pasuan nisjen e Këshilltarëve nga Qendra Botërore bazat për fillimin e Planit u hodhën aq shpejt e sistematikisht në një vend pas tjetrit është një tregues i zellit me të cilin komuniteti Bahá'í po i përgjigjet sfidës që qëndron para tij. Ndërsa nuk është e nevojshme që ne të shtjellojmë këtu më tej kërkesat e Planit, e ndjejmë për detyrë t'ju paraqesim për reflektim disa komente lidhur me kontekstin botëror në të cilin do të zhvillohen përpjekjet tuaja individuale e kolektive.
Mëse shtatëdhjetë vjet më parë, Shoghi Effendi-u shkroi letrat e tij për Rendin Botëror, në të cilat ai jepte një analizë të thellë të forcave që veprojnë në botë. Me një elokuencë që vetëm ai e kishte, ai shtjellonte dy procese të mëdha që ishin vënë në veprim nga Revelacioni i Bahá'u'lláh-ut, njëri destruktiv dhe tjetri integrues, çdonjëri prej të cilëve po e shtyn njerëzimin drejt Rendit Botëror të konceptuar prej Tij. Ruajtësi na tërhiqte vëmendjen që të mos na "çorientojë ngadalësia e dhembshme që karakterizon shpalosjen e qytetërimit" që po ngrihej me aq mund dhe as të mos jemi "të zhgënjyer nga shfaqjet kalimtare të kthimit të prosperitetit, që herë pas here dukej sikur ishin në gjendje të ndalnin ndikimin shpërbërës të sëmundjeve kronike nga të cilat vuanin institucionet e një epoke në kalbëzim". Asnjë rishqyrtim i rrjedhës së ngjarjeve në këto dhjetëveçarët e fundit nuk mund të mos pranojë shpejtësinë e pjekjes së proceseve që ai analizonte atëherë me aq saktësi.
Njeriut i mjafton vetëm të shohë krizën morale gjithnjë e më të thellë që po gllabëron njerëzimin, për të vlerësuar deri në ç'shkallë forcat e shpërbërjes e kanë shthurur pëlhurën e shoqërisë. Mos vallë dëshmitë e egoizmit, të dyshimit, të frikës e të mashtrimit, të cilat Ruajtësi i shihte aq qartë, nuk janë përhapur aq shumë sa të mos i bien lehtë në sy edhe një vëzhguesi të rastit? Mos vallë kërcënimi i terrorizmit, për të cilin fliste ai, nuk është shfaqur aq gjerësisht në skenën ndërkombëtare sa të preokupojë njëlloj mendjet e të rinjve e të pleqve në çdo qoshe të globit? Mos vallë etja e pashuar për kotësitë e kësaj bote, për pasuritë dhe kënaqësitë e saj dhe rendja e ethshme pas tyre nuk i kanë konsoliduar pushtetin dhe ndikimin e tyre sa të fitojnë epërsi përmbi vlera të tilla njerëzore si lumturia, besnikëria dhe dashuria? Mos vallë dobësimi i solidaritetit familjar dhe qëndrimi i papërgjegjshëm ndaj martesës nuk kanë arritur përmasa të tilla sa të venë në rrezik ekzistencën e kësaj njësie themelore të shoqërisë? "Zvetënimi i natyrës njerëzore, degradimi i sjelljes njerëzore, kalbëzimi dhe shpërbërja e institucioneve njerëzore", për të cilat paralajmëronte Shoghi Effendi-u, po e shfaqin veten në mënyrë të pikëllueshme "në aspektet e tyre më të këqija e më revoltuese".
Ruajtësi ia ngarkonte pjesën më të madhe të fajit për shkatërrimin e moralit të njerëzimit rënies së fesë si forcë shoqërore. "Sikur llamba e fesë të errësohet", tërheq vëmendjen tonë ai për fjalët e Bahá'u'lláh-ut, "do të pasojnë kaosi e konfuzioni, dhe drita e ndershmërisë, e drejtësisë, e qetësisë dhe e paqes do të pushojë së ndriçuari". Dhjetëvjeçarët që pasun shkrimin e letrave të tij kanë parë jo vetëm një përkeqësim të vazhdueshëm të aftësisë së fesë për të ushtruar ndikim moral, por edhe tradhëtimin e masave nëpërmjet sjelljes së paturpshme të institucioneve fetare. Orvatjet për ta rishëndoshur atë vetëm kanë çuar në ngritjen krye të fanatizmit, i cili, po të mos ndalet, do të shkatërronte themelin e marrëdhënieve të qytetëruara midis njerëzve. Përndjekja e Bahá'í-ve në Iran, që kohët e fundit është intensifikuar, është edhe vetëm ajo një dëshmi e bollshme e vendosmërisë së forcave të errësirës për të shuar flakën e besimit kudo që ajo shndrit me shkëlqim. Ndonëse kemi besim në triumfin përfundimtar të Kauzës, ne nuk guxojmë të lemë në harresë paralajmërimin e Ruajtësit se Besimit do t'i duhet të ndeshet me armiq më të fuqishëm e më tinzarë se ata që e kanë sulmuar atë në të kaluarën.
Nuk është nevoja të komentojmë gjerësisht pafuqinë e artit të qeverisjes, një çështje tjetër kjo e trajtuar aq mjeshtërisht nga Ruajtësi në letrat e tij për Rendin Botëror. Ndarja ekonomike gjithnjë e më e madhe midis të pasurve e të varfërve, vazhdimi i armiqësive shekullore midis kombeve, shifrat gjithnjë e më të fryra të refugjatëve, shtimi i jashtëzakonshëm i krimit të organizuar e i dhunës, ndjenja e përhapur e pasigurisë, rënia e shërbimeve themelore në shumë e shumë zona, shfrytëzimi i rrëmujshëm i burimeve natyrore - këto janë vetëm disa nga shenjat e paaftësisë së drejtuesve botërorë për të hartuar plane të zbatueshëm që të lehtësojnë sëmundjet e njerëzimit. Kjo nuk do të thotë se nuk janë bërë përpjekje të sinqerta, se ato nuk janë shtuar dhjetëvjeçar pas dhjetëvjeçari. Megjithatë këto përpjekje, sado të mençura, kanë dështuar e nuk kanë mundur të mënjanojnë "shkakun kryesor të së keqes që ka pështjelluar me aq vrazhdësi ekuilibrin e shoqërisë së sotme". "Madje", thotë Ruajtësi, "as vetë akti i hartimit të mekanizmit që kërkohet për unifikimin politik dhe ekonomik të botës ... nuk do të siguronte në vetvete antidotin kundër helmit që po minon hap pas hapi fuqinë e popujve e të kombeve të organizuara". "Ç'gjë tjetër", thotë ai në mënyrë konfidenciale, "përveç pranimit pa rezerva të Programit Hyjnor" të shpallur nga Bahá'u'lláh-u, "që mishëron në thelbin e vet planin e Perëndisë të përcaktuar në mënyrë hyjnore për unifikimin e njerëzimit në epokën e sotme, të shoqëruar nga bindja e pamposhtur në efektshmërinë e pashmangshme të të gjitha masave të parashikuara prej Tij, është në fund të fundit në gjendje t'u bëjë ballë forcave të shpërbërjes së brendshme, të cilat, nëse nuk ndalen, do të vazhdojnë të gërryejnë organet jetësore të një shoqërie të pashpresë".
Me të vërtetë i thellë është përshkrimi që Shoghi Effendi-u i bën procesit të shpërbërjes që po shpejtohet në botë. Po aq mbresëlënëse është saktësia me të cilën ai analizon forcat që kanë të bëjnë me procesin e integrimit. Ai fliste për një "përhapje graduale të frymës së solidaritetit botëror, që po lind spontanisht nga pështjellimi i një shoqërie të çorganizuar", si një manifestim i tërthortë i konceptit të Bahá'u'lláh-ut për parimin e njëshmërisë së njerëzimit. Kjo frymë solidariteti ka vazhduar të përhapet përmes dekadash, dhe sot efekti i saj duket në një varg zhvillimesh, që nga hedhja poshtë e paragjykimeve raciale të rrënjosura thellë deri te lindja e ndërgjegjshmërisë për qytetarinë botërore, nga shtimi i vetëdijës për mjedisin te përpjekjet e bashkëpunimit për mbështetjen e shëndetit publik, nga shqetësimi për të drejtat e njeriut te zhvillimi sistematik i shkollimit universal, nga ndërmarrja e veprimtarive ndërmjet besimeve të ndryshme te lulëzimi i qindra e mijëra organizatave lokale, kombëtare e ndërkombëtare të përfshira në ndonjë formë të veprimit social.
Megjithatë, për pasuesit e Bahá'u'lláh-ut zhvillimet më domethënëse në procesin e integrimit janë ato që lidhen drejtpërsëdrejti me Besimin, shumë prej të cilave ushqeheshin nga vetë Ruajtësi dhe që kanë avancuar jashtëzakonisht qysh nga fillimet e tyre modeste. Nga bërthama e vogël e besimtarëve, të cilët ai i vuri në dijeni të planeve të Tij të para mësimore, është zhvilluar një komunitet mbarëbotëror i pranishëm në mijëra lokalitete, ku secili ndjek një model të përcaktuar mirë veprimtarie që mishëron parimet dhe aspiratat e Besimit. Mbi themelin e Rendit Administrativ që ai me aq kujdes ngriti gjatë dekadave të hershme të misionit të tij, është ngritur një rrjet i gjerë, i thurur mirë Asamblesh Shpirtërore Kombëtare e Lokale që administrojnë me zell punët e Kauzës në më shumë se njëqind e tetëdhjetë vende. Nga kontingjentet e para të anëtarëve të Trupave Ndihmëse për Mbrojtjen dhe Përhapjen e Besimit, të krijuara prej tij, është ngritur një legjion prej afro njëmijë punonjësish të paepur që shërbejnë në terren nën drejtimin e tetëdhjetë e një Këshilltarëve të udhëhequr me zotësi nga Qendra Mësimore Ndërkombëtare. Evoluimi i Qendrës Administrative Botërore të Besimit, brenda kufijve të Qendrës Shpirtërore Botërore të tij, një proces ky të cilit Ruajtësi i kushtoi aq shumë energji, ka kapërcyer një prag vendimtar me vendosjen nga Shtëpia Universale e Drejtësisë e Selisë së saj në Malin Karmel dhe me përfundimin më pas të Godinës së Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit dhe të Qendrës për Studimin e Teksteve. Institucioni i Hukukullah-ut (Huqúqu'lláh) ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme nën kujdesin e Dorës së Kauzës së Perëndisë Dr. 'Alí-Muhammad Varqá i emëruar si i Besuar nga Shoghi Effendi-u pesëdhjetë vjet më parë, duke arritur kulmin me ngritjen në vitin 2005 të një trupe ndërkombëtare të caktuar për të mbështetur zbatimin e vazhdueshën të përhapur gjerësisht të këtij ligji të madh, që përbën një burim bekimesh të paçmueshme për gjithë njerëzimin. Përpjekjet e Ruajtësit për ta ngritur paraqitjen e Besimit në qarqe ndërkombëtare janë zhvilluar në një sistem të gjerë të punëve të jashtme, që është në gjendje si të mbrojë interesat e Besimit ashtu edhe të shpallë mesazhin e tij universal. Respekti që gëzon Besimi në forumet ndërkombëtare, kudo që flasin përfaqësuesit e tij, është një arritje shumë e rëndësishme. Besnikëria dhe devotshmëria që anëtarët e një komuniteti që pasqyron diversitetin e mbarë gjinisë njerëzore tregojnë ndaj Besëlidhjes së Bahá'u'lláh-ut përbëjnë një thesar force që nuk mund ta pretendojë asnjë grup tjetër i organizuar.
Ruajtësi parashikoi që në epokat pasuese të Erës së Formimit, Shtëpia Universale e Drejtësisë do të ndërmerrte një varg nismash mbarëbotërore, të cilat do të "simbolizonin unitetin dhe do të bashkërendonin e unifikonin veprimtaritë" e Asambleve Shpirtërore Kombëtare. Gjatë tri epokave që kanë kaluar qysh atëherë, komuniteti Bahá'í ka punuar me ngulm në kuadrin e Planeve botërore të hartuara nga Shtëpia e Drejtësisë dhe ka arritur të krijojë një model jete Bahá'í që mbështet zhvillimin shpirtëror të individit dhe kanalizon energjitë kolektive të anëtarëve të tij drejt ringjalljes shpirtërore të shoqërisë. Ai ka fituar aftësinë për ta përçuar mesazhin në masa të gjëra shpirtrash të hapur, për t'i konfirmuar ata dhe për të thelluar kuptimin e tyre lidhur me parimet bazë të Besimit që ata kanë përqafuar. Ai ka mësuar ta shndërrojë parimin e konsultimit të shpallur nga Themeluesi i tij në një mjet efektiv për vendim-marrje kolektive dhe t'i edukojë anëtarët e vet për dobinë e tij. Ai ka përpunuar programe për edukimin shpirtëror e moral të anëtarëve të tij më të rinj në moshë dhe e ka shtrirë këtë jo vetëm te fëmijët e të rinjtë e vet, por edhe tek ata të komunitetit më gjerë. Me atë burim talentesh që disponon, ai ka krijuar një sasi të madhe literature, që përfshin vëllime në dhjetëra gjuhë, të cilat u shërbejnë nevojave të veta dhe ngjallin interesin e publikut në përgjithësi. Ai është përfshirë gjithnjë e më shumë në punët e shoqërisë së gjerë, duke ndërmarrë një mori projektesh zhvillimi shoqëror dhe ekonomik. Veçanërisht qysh nga fillimi i epokës së pestë në vitin 2001, ai ka bërë hapa të rëndësishëm, duke shumëfishuar rezervat e veta njerëzore përmes një programi trajnimi që shtrihet deri në bazën e komunitetit, dhe ka zbuluar metoda e instrumente për të vendosur një normë të qëndrueshme rritjeje.
Pikërisht në kontekstin e ndërveprimit të forcave të shtjelluara këtu, duhet parë domosdoshmëria e çuarjes përpara të procesit të hyrjes me trupa. Plani Pesëvjeçar që fillon tani kërkon që ju t'i përqendroni energjitë tuaja në këtë process dhe të siguroni që dy lëvizjet plotësuese në zemër të tij të përshpejtohen. Ky duhet të jetë preokupacioni juaj kryesor. Ndërkohë që përpjekjet tuaja japin fryte dhe dinamika e rritjes arrin një nivel të ri kompleksiteti, do të ketë kërkesa e mundësi që vetë Qendra Botërore në pesë vitet e ardhshme t'u drejtohet fushave të tilla si punët e jashtme, zhvillimi shoqëror dhe ekonomik, administrimi dhe zbatimi i ligjit Bahá'í. Rritja e komunitetit ka bërë tashmë të nevojshme të kryhen rregullime të reja për të dyfishuar numrin e pelegrinëve në katërqind për çdo grup duke filluar nga tetori 2007. Ka edhe disa projekte të tjera që gjithashtu duhen ndjekur. Ndër të janë zhvillimi i mëtejshëm i kopshteve që rrethojnë Mauzoleun e Bahá'u'lláh-ut, si dhe Kopshtin e Ridvánit dhe Mazra'ih-un; restaurimi i Godinës së Arkivave Ndërkombëtare; riparimet strukturore në Mauzoleun e Báb-it, përmasat e të cilave ende nuk janë të qarta, dhe ndërtimi i Shtëpisë së Adhurimit në Kili siç e përfytyronte Ruajtësi, që është Mashrikul-Adkari Kontinental i fundit. Ndërkohë që këto përpjekje avancojnë, ne herë pas here do t'ju drejtohemi juve për ndihmë, si në formën e mbështetjes financiare ashtu edhe të specialistëve të talentuar, duke qenë të ndërgjegjshëm se burimet e Besimit, sa më shumë që të jetë e mundur, duhen kanalizuar në kërkesat e Planit.
Të dashur miq: Nuk mund të mohohet se forcat e shpërbërjes po rriten për nga prirja e fuqia. Është gjithashtu e qartë se komuniteti i Emrit Më të Madh është çuar nga konsolidimi në konsolidim prej dorës së Perëndisë dhe duhet tani të rritet për nga përmasat dhe të shtojë rezervat e tij. Kursi i vendosur nga Plani Pesëvjeçar është i ndershëm. Si munden ata prej nesh që janë të vetëdijshëm për fatin e njerëzimit dhe të ndërgjegjshëm për drejtimin në të cilin po shpaloset historia të mos ngrihen me të gjitha forcat dhe të mos ia përkushtojnë veten qëllimit të tij? Mos vallë fjalët e Ruajtësit se "shorti është hedhur" nuk janë të drejta për ne sot siç ishin kur ai i shkroi ato fjalë gjatë Planit të parë Pesëvjeçar? Le të tingëllojnë në veshët tuaj fjalët e tij: "Nuk ka kohë për të humbur", "Nuk ka vend për lëkundje", "Kjo mundësi është e pazëvendësueshme", "Të përpiqesh, të këmëngulësh, do të thotë të sigurosh fitoren përfundimtare e të plotë". Jini të sigurt për lutjet tona të vazhdueshme në Pragun e Shenjtë për udhëheqjen dhe mbrojtjen tuaj.
Bahá’í-ve të Botës, Shumë të dashur Miq, Përparimet që kanë ndodhur në botën Bahá’í që nga fillimi i etapës së pestë të Epokës Formuese na kanë sjellë gëzim të pamatë. Dymbëdhjetë muajt e fundit nuk bënë përjashtim. Komuniteti Bahá’í ka vazhduar avancimin e tij sistematik dhe tani, ndërsa hyn në vitin e fundit të Planit Pesë Vjeçar, e gjen veten në një pozitë me forcë të jashtëzakonshme – një forcë e fituar nëpërmjet përpjekjeve të palodhura e të ndërgjegjshme të miqve kudo për t’i dhënë shtysë procesit të hyrjes me trupa. Ndonëse të pamjaftueshme për të shprehur rëndësinë e plotë të zhvillimeve që po ndodhin, statistikat na sugjerojnë në njëfarë mase atë që po arrihet. Burimet njerëzore të Besimit janë shumëfishuar me një ritëm konstant. Gjithsej, më shumë se 200000 veta në gjithë botën e kanë përfunduar Librin 1 të Institutit Ruhi, dhe shumë mijëra kanë arritur nivelin prej nga ku mund të veprojnë efektivisht si tutorë të qarqeve të studimit që, gjithnjë e më shpesh, po mbahen në çdo skaj të globit, duke e kaluar shifrën 10000 në numërimin e fundit. Numëri i kërkuesve të angazhuar në aktivitetet bazë ka vazhduar të rritet, duke e kapërcyer njëqindmijën disa muaj më parë. Ndërkohë, rreth 150 zona janë zhvilluar deri në atë pikë saqë programet intensive të rritjes ose janë hedhur për zbatim ose janë gati në pritje për t’u filluar. Çdo tregues flet në favor të faktit që ky numër do të tejkalohet ndjeshëm nga fundi i Planit. Në festimin e këtyre arritjeve, çdonjëri duhet të njohë, në masë të njëjtë, hapat përpara që janë bërë në nxënien që i ka dhënë shtytje atyre. Fushatat intensive të institutit, të cilat i kushtojnë vëmendjen e duhur anës së nevojshme praktike, kanë mbetur mjeti për nxitjen e rritjes në nivelin e zonës. Meqë kushtet e nevojshme janë krijuar si rrjedhim, programe sistematike për shtrirjen dhe konsolidimin e Besimit janë vënë në zbatim në përputhje me këto kushte. Po akumulohet një sasi e çmuar dijeje rreth natyrës së programeve intensive të rritjes, dhe disa tipare të këtyre përpjekjeve tani kuptohen mjaft mirë. Programe të tilla priren të përmbajnë një seri ciklesh, secili me një kohëzgjatje disa mujore, që i përkushtohen planifikimit, shtrirjes dhe konsolidimit. Zhvillimi i burimeve njerëzore vazhdon i pandërprerë nga një cikël në tjetrin, duke siguruar jo vetëm mbështetjen e procesit të shtrirjes, por edhe shtimin progresiv të momentit të tij. Ndërkohë që padyshim ka ende shumë e më shumë mësime për t’u mësuar, përvoja e fituar deri tani bën të mundur për ta përsëritur këtë mënyrë proçedimi në një numër zonash gjithnjë në rritje kudo në botë. Që fitoret e arritura kanë dimensione sasiore dhe cilësore është vërtet për t’u kënaqur. Në zemër të këtyre arritjeve qëndron përmirësimi i vazhdueshëm i jetës shpirtërore të komuniteteve Bahá’í kudo në botë. Ky vitalitet i ri shpirtëror shpjegon shtimin e pjesëmarrjes së njerëzve me prejardhje të larmishme në takime devocionale, klasa fëmijësh dhe qarqe studimi, të cilat, në shumë raste, kanë rezultuar në njohjen nga ana e tyre të Bahá’u’lláh-ut si Manifestimi i Perëndisë për këtë Ditë dhe në deklarimin e tyre në Besim. Zhvillime të reja ka pasur po ashtu edhe në Qendrën Botërore. Ne kemi vendosur që ka ardhur koha e duhur për të sjellë në jetë një Trupë Ndërkombëtare të Kujdestarëve të Huqúqu’lláh-ut për të drejtuar e mbikqyrur punën e Trupave Rajonale dhe Kombëtare të Kujdestarëve të Huqúqu’lláh-ut kudo në botë. Kjo Trupë do të veprojë në bashkëpunim të ngushtë me Kryekujdestarin e Huqúqu’lláh-ut, Dorën e Kauzës së Perëndisë Dr. ‘Alí-Muhammad Varqá, dhe do të jetë në gjendje të përfitojë nga dija dhe këshillat e tij në zbatimin e detyrave të veta. Tre anëtarët e emëruar tashmë në Trupën Ndërkombëtare të Kujdestarëve janë Sally Foo, Ramin Khadem dhe Grant Kvalheim. Afati i shërbimit të tyre në këtë detyrë do të përcaktohet në një datë të mëvonshme. Anëtarët e trupës nuk do të transferohen në Tokën e Shenjtë, por do të përdorin shërbimet e Zyrës së Huqúqu’lláh-ut në Qendrën Botërore për të ushtruar funksionet e tyre. Në të gjitha nivelet dhe në çdo drejtim Kauza po arrin progres të dukshëm – që nga shtimi i rritjes dhe konsolidimit në rrënjët e komunitetit, deri në zhvillimet institucionale të një shtrirjeje ndërkombëtare. Shenja të tilla inkurajuese të rritjes së solidaritetit të komunitetit vijnë në një kohë kur treguesit që dëshmojnë që kjo shoqëri është në degradim, për fat të keq, janë tepër të dukshëm. Nuk është nevoja të rishqyrtojmë këtu karakteristikat e shkatërrimit në të cilin është zënë në grackë një botë e demoralizuar. Megjithatë nuk duhet harruar që janë pikërisht këto rrethana që shtojnë shkallën e pranimit të Mësimeve dhe krijojnë mundësi të reja për përhapjen e tyre. Në mesazhin tonë të 26 Nëntorit 1999, ne iu referuam një serie sipërmarrjesh globale të hartuara për ta mbartur komunitetin Bahá’í përmes viteve të fundit të shekullit të parë të Epokës Formuese të Besimit. Aty treguam që çdo Plan do të përqendrohej në qëllimin kryesor, atë të avancimit të procesit të hyrjes me trupa. I pari në këtë seri planesh, Plani i tanishëm Pesë Vjeçar, do të përfundojë në dymbëdhjetë muaj të shkurtër, kur ne do t’u bëjmë thirrje pasuesve të Bahá’u’lláh-ut të marrin përsipër një Plan tjetër që do të zgjasë pesë vjet. Ajo që u kërkojmë miqve të bëjnë në këtë periudhë ndërmjetëse është të drejtojnë të gjitha energjitë e tyre për të vënë me vendosmëri në zbatim nxënien sistematike që po mbështetet kaq energjikisht nga Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies. Asnjë Bahá’í nuk duhet të humbasë mundësinë e paçmuar që na jepet nga ditët e mbetura të Planit, për të përforcuar në këtë mënyrë themelin për fillimin e një sipërmarrjeje edhe më ambicioze Ridván-in tjetër. Lutjet tona më të zjarrta në Mauzoletë e Shenjtë do t’ju rrethojnë juve.
Tre vite të Planit Pesë Vjeçar kanë kaluar. Proceset e vëna në lëvizje në Planin Katër Vjeçar, të përforcuara nëpërmjet kujdesit të veçantë për edukimin Bahá'í të fëmijëve gjatë Planit Dymbëdhjetë Mujor, dhe të çuara me tej në mënyrë të palodhur gjatë këtyre viteve të fundit, po përmbushin tashmë shpresat e mëdha me të cilat ato u filluan. Në çdo pjesë të botës tre pjesëmarrësit në Plan - individi, komuniteti dhe institucionet - ku secili luan një rol të dallueshëm, po përforcojnë veprimet e njëri-tjetrit. Aktivitetet bazë të qarqeve të studimit, klasave të fëmijëve dhe takimeve devocionale janë bërë aspekte thelbësore dhe arritje reciprokisht përmirësuese duke i dhënë më shumë vrull dhe sukses të gjithë elementëve të tjerë të jetës komunitare Bahá'í. Burimet njerëzore po shtohen, dhe Asambletë Shpirtërore Lokale po u përgjigjen kërkesave të reja të këtij vitaliteti në rritje.
Kapaciteti i ngritur për edukimin Bahá'í të fëmijëve kudo në botë është jashtëzakonisht mbresëlënës. Përpjekjet fillestare për fuqizimin shpirtëror të paratërinjve po dalin me sukses. Lëvizja e zonave nga një nivel aktiviteti në një tjetër më të lartë është në rrugë të mbarë dhe, në vazhdimësinë e saj, bërthamës së besimtarëve të deklaruar po i shtohet një rreth më i gjerë njerëzish, ende jo Bahá'í, por të përfshirë me entuziazëm në aktivitetet bazë të Planit. Strukturat për administrimin e rritjes intensive po shfaqen tashmë në disa zona të avancuara. Asambletë Kombëtare, ndërkohë që kujdesen për nevojat e të gjitha zonave në vendet e tyre, kanë mësuar vlerën e përqendrimit të vëmendjes së veçantë në disa zona prioritare shumë premtuese, duke i inkurajuar dhe zhvilluar ato derisa burimet njerëzore që ato kanë krijuar nëpërmjet instituteve të trajnimit t'i mundësojnë ato të bëhen qendra të rritjes së shpejtë e të mbështetshme.
Ashtu siç ishte parashikuar, instituti i trajnimit po e tregon veten se është një motorr për rritje. Gjatë vlerësimit të mundësive dhe nevojave të komuniteteve të tyre respektive, shumica dërrmuese e Asambleve Shpirtërore Kombëtare kanë zgjedhur të përshtasin materialet e kursit të hartuara nga Instituti Ruhi, duke i parë ato si më të përshtatshmet për nevojat e Planit. Kjo ka sjellë përfitim të tërthortë sepse të njëjtat materiale janë përkthyer në shumë gjuhë, dhe se kudo që Bahá'í-të udhëtojnë, ata gjejnë miq të tjerë që ndjekin të njëjtën rrugë dhe që janë të familjarizuar me të njëjtat libra dhe metoda.
Një shoqëri ndërkombëtare kaotike, e përçarë nga perceptime dhe interesa konfliktuese, është sulmuar nga një terrorizëm, mungesë ligji dhe korrupsion në rritje, dhe po gërryhet nga dështimi ekonomik, varfëria e sëmundjet. Në mesin e saj komuniteti Bahá'í po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, i frymëzuar nga një vizion i reveluar në mënyrë hyjnore, duke ndërtuar mbi themele solide, duke u rritur në forcë nëpërmjet proceseve që janë vënë tashmë në lëvizje, dhe i patrembur nga pengesat në dukje. Një shembull i kapacitetit të botës Bahá'í për t'iu përgjigjur kushteve të papritura u pa një vit më parë, kur rreziqe të shumëfishta bënë që të anulohej Kuvendi Ndërkombëtar Bahá'í; zgjedhja e Shtëpisë Universale të Drejtësisë u bë siç duhej dhe Plani bëri përpara pa humbur asnjë hap. Njëherazi, pavarësisht nga turbullirat dhe kaosi i jetës në Irak, ishte e mundur që të kontaktohej me Bahá'í-të në atë vend dhe të riformoheshin Asambletë e tyre Shpirtërore Lokale. Tani ju bëjmë të ditur me gëzim të madh zgjedhjen, këtë Ridván, të Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá'í-ve të Irakut, e rikrijuar mbas më shumë se tridhjetë vjetësh shtypjeje të padurueshme, që do të zerë vendin që i takon në komunitetin ndërkombëtar Bahá'í.
Ajo që kërkon Plani Hyjnor në këtë fazë është që ne, me besim dhe dinamizëm, të vazhdojmë të ecim në drejtimin e tanishëm, të patundur nga stuhitë që po rrahin botën e njerëzimit. Të jeni të sigurt se Bukuria e Bekuar do t'i udhëheqë hapat tuaj dhe Arradhat e Grupimit Suprem do të përforcojnë çdo përpjekje tuajën për përparimin e Besimit të Tij.
Ndërsa Plani Pesë Vjeçar po hyn në vitin e tij të tretë, vrulli po shtohet: arritjet e rregjistruara gjatë vitit që sapo mbaroi i tejkaluan ndjeshëm ato të dymbëdhjetë muajve të mëparshëm. Shtytja e këtij vrulli i dedikohet, në një masë të njëjtë, si shtimit të koherencës që u arrit në elementët përbërës të Planit, ashtu edhe efektit gjallërues të shpirtit të trazirave që ka përfshirë planetin.
Rrethanat që po shoqërojnë hapjen e këtij viti të ri administrativ janë njëkohësisht kritike, sfiduese dhe të jashtëzakonshme në rëndësinë e rrjedhojat e tyre. E gjithë rrjedha e ngjarjeve të vitit të kaluar u trondit nga një sërë krizash të njëpasnjëshme që kulmuan me shpërthimin e luftës në Lindjen e Mesme. Rrjedhojat e saj janë jo më pak të rëndësishme për përparimin e komunitetit të Emrit Më të Madh, sesa janë edhe për evolucionin e një shoqërie, gjithnjë e më tepër globale, të zhytur në vorbullën e një tranzicioni të trazuar. Detyrimisht, koha, shkalla dhe tendencat e këtij tranzicioni nuk kanë qenë të parashikueshme. Sa marramendës ka qenë vërtet ndryshimi i tanishëm në rrjedhën e gjendjes së botës! Në konfliktin rezultues, që ka përshirë kaq dukshëm vendet ku mori formë historia më e hershme e Kauzës, ne shohim një përkujtues të freskët të paralajmërimit të Bahá'u'lláh-ut që "ekuilibri botëror është tronditur nga ndikimi drithërues i këtij Rendi Botëror madhështor e të ri". Që ngjarjet e kësaj krize prekin drejtpërdrejt një territor kaq të pasur me trashëgimi Bahá'í siç është Iraku, është veçanërisht për t'u vënë në dukje.
Tronditjet e shkaktuara nga kjo situatë si dhe situata të tjera në botë, nga njëra anë, kanë lënë të kuptosh hapjen e një kapitulli të ri në historinë e komunitetit Bahá'í shumë të vlerësuar, por edhe tmerrësisht të shtypur, të një vendi ku Manifestimi i Perëndisë për këtë Ditë qëndroi për një dekadë të tërë. Nga ana tjetër, ato kanë dërrmuar përgatitjet për Kuvendin e Nëntë Ndërkombëtar në Qendrën Botërore të Besimit tonë. Megjithatë, sado zhgënjyese të jetë kjo, ne nuk duhet të dekurajohemi. Kur Plani Më i Madh i Perëndisë përzihet me Planin e Tij Më të Vogël, nuk duhet patur pikë dyshimi që me kalimin e kohës, me ndihmën e Providencës, do të hapet një rrugë drejt një rasti mundësish të shkëlqyera për çuarjen përpara të interesave të Kauzës së Tij të lavdishme.
Pikëllimi, frika dhe hutimi i shkaktuar nga ky konflikt më i fundit në shpalosjen e Paqes Më të Vogël, i kanë intensifikuar ndjenjat e zemërimit dhe dhunës ndaj krizave të përsëritura që po shkundin planetin. Ankthet e njerëzve ngado në botë edhe tani po zbrazen publikisht në demonstrime të zemëruara, që janë tepër të fuqishme për t'u shpërfillur. Çështjet për të cilat ata protestojnë si dhe emocionet që ata ngjallin shpesh shtojnë rrëmujën dhe pështjellimin të cilën ata shpresojnë ta kthjellojnë nëpërmjet manifestimeve të tilla publike. Për miqtë e Perëndisë ka një shpjegim të qartë për atë që po ndodh; për këtë ata duhet vetëm të sjellin ndër mend vizionin dhe parimet e ofruara nga Besimi në qoftë se duan e mund t'u përgjigjen efektivisht sfidave të hedhura nga përhapja e vuajtjeve dhe e zhgënjimit. Le të përpiqen me mish e me shpirt t'i kuptojnë edhe më thellë Mësimet që kanë të bëjnë me këtë situatë duke rishikuar letrat e Shoghi Effendiut që janë botuar në librin Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut, veçanërisht ato të titulluara "Synimi i një Rendi të Ri Botëror", "Amerika dhe Paqja Më e Madhe" dhe "Shpalosja e Qytetërimit Botëror".
Ndërsa bota vazhdon të ecë në kursin e saj të trazuar, Plani Pesë Vjeçar ka arritur kapacitetin veprues për ta aftësuar komunitetin tonë të hedhë hapa vigane drejt objektivit të tij kryesor, atij të avancimit të procesit të hyrjes me trupa. Hollësitë e një mbarëvajtjeje kaq inkurajuese të Besimit në të pesë kontinentet janë dhënë tashmë në letrën tonë të 17 Janarit; ne ju ftojmë që ta studioni edhe më tej atë letër. Tani vetëm disa pika kyçe kanë nevojë të nënvizohen: Ndarja e vendeve në zona është përfunduar në 179 prej tyre; tashmë ekzistojnë rreth 17000 farishte të tilla shtrirjeje. Takimet e reflektimit në nivelin e zonës janë bërë një mjet i fuqishëm për bashkimin e mendimit dhe veprimit në institucione dhe lokalitete; ato i kanë dhënë një shtytje të fuqishme iniciativave institucionale dhe individuale të bazuara në shpirtin e mbështetjes reciproke. Procesi i institutit ka demonstruar më dukshëm se më parë ndikimin e tij si një forcë gjeneruese për shtrirje dhe konsolidim. Aktivitetet thelbësore të Planit kanë arritur një shkallë të tillë që e tejkalon mjaft ndjeshëm atë të vitit të shkuar. Si rezultat, një numër në rritje miqsh janë tani aktivë në punën mësimdhënëse dhe administrative kudo në botë, duke demonstruar shpirtin ngjitës të mirëbesimit që frymëzon entuziazmin e përpjekjeve të tyre. Të rinj dhe fëmijë janë përfshirë më sistematikisht në programet e komunitetit, dhe jo-Bahá'í-të kanë marrë pjesë në numër më të madh në qarqet e studimit, takimet devocionale dhe klasat e fëmijëve. Të jep vërtet zemër të shohësh që, në këtë periudhë të shkurtër që nga fillimi i Planit, ku në shumë komunitete këto tre aktivitete thelbësore kanë qenë sporadike, ato tashmë janë bërë tipare të përhershme dhe janë shumëfishuar. Atëherë, këtu më poshtë po japim një pamje të përmbledhur të një komuniteti botëror të fokusuar dhe në lëvizje si asnjëherë më parë.
Gjatë vitit të kaluar, ndërsa ky model rritjeje po i hidhte më thellë rrënjët në veprimin e Planit, të tjera zhvillime të rëndësishme po ndodhnin. Në arenën e marrëdhënieve me jashtë agjencitë e Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í u angazhuan në aktivitete që për nga numri dhe larmia janë të shumta për t'u përmendur, por që ushtruan një efekt kolektiv kaq mbresëlënës saqë nuk mund të lihen pa u përmendur. Pika kulmore e aktiviteteve të tilla ishte mesazhi që ne u drejtuam Prillin e shkuar udhëheqësve fetarë të botës. Kjo i ka dhënë një impuls të ri mënyrës së procedimit të komunitetit Bahá'í për t'u tërhequr vëmendjen elementëve më me ndikim në shoqëri ndaj çështjeve të rëndësisë kritike në sigurimin e paqes së botës. Nëpërmjet përpjekjeve koordinuese të Zyrës së Informacionit Publik të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá'í, si dhe efikasitetit të menjëhershëm të Asambleve Shpirtërore Kombëtare, mesazhi iu shpërnda në një kohë të shkurtër rangjeve më të larta dhe niveleve të tjera të komuniteteve fetare kudo në glob. Qëllimi i kësaj iniciative është të drejtojmë vëmendjen e të gjithë të interesuarve ndaj nevojës urgjente që udhëheqja fetare t'i përgjigjet problemit të paragjykimit fetar, i cili dita-ditës po bëhet një rrezik gjithnjë e më serioz për mirëqenien njerëzore. Reagimet e menjëhershme nga ana e shumë prej atyre që e morën këtë letër, tregon se mesazhi është marrë seriozisht në shqyrtim, dhe madje në disa vende po i jep një perspektivë të re aktiviteteve ndërfetare.
Në fushën e zhvillimit social dhe ekonomik është arritur një ritëm që ngulit gjithnjë e më thellë efektet e përpjekjeve institucionale dhe individuale si në zhvillimin e brendshëm të komunitetit, ashtu edhe në bashkëpunimin e komunitetit me të tjerët. Zyra e Zhvillimit Social dhe Ekonomik raporton se gjatë vitit të dytë të Planit u ngritën tetë agjenci të reja zhvillimi të frymëzuara nga parimet Bahá'í, të cilat veprojnë në fusha të tilla të larmishme si përparimi i gruas, shëndeti, bujqësia, edukimi i fëmijëve dhe fuqizimi i rinisë. Në Tokën e Shenjtë, përkthimi në anglisht i letrës në arabisht të Bahá'u'lláh-ut të njohur si Javahiru'l-Asrar doli në qarkullim me titullin "Gurë të çmuar të Mistereve Hyjnore". Përfundoi restaurimi i Qelisë së Bahá'u'lláh-ut në burgun e 'Akká-së, dhe filloi puna në pjesën e mbetur të katit të sipërm në zonën e qelive të burgut. Me hapjen e sezonit të ardhshëm të pelegrinazhit, duke filluar nga Tetori 2003, numri i pelegrinëve në çdo grup do të rritet nga 150 në 200.
Gjithashtu, përpjekjet për të ushqyer zhvillimin e institucioneve që veprojnë në Qendrën Botërore ishin veçanërisht të dukshme në evolucionin në vazhdim të institucionit të Huququ'llah-ut nën udhëheqjen e shquar të të Besuarit, Dorës së Kauzës së Perëndisë 'Ali-Muhammad Varqa. Nëpërmjet iniciativës së tij të mençur dhe përpjekjes së vazhduar, Dr. Varqa ka frymëzuar kudo edukimin e miqve në lidhje me ligjin e Huququ'llah-ut. Gjatë dekadës që nga dita që ligji u bë i zbatueshëm në mënyrë universale, dali në dritë një rrjet i bordeve të të besuarve në nivel kombëtar dhe rajonal, i cili siguron koordinim dhe drejtim në shërbimin e një numri gjithnjë në rritje zëvendësish dhe përfaqësuesish. Dija për këtë ligj të madh është përhapur gjerësisht dhe miqtë nga të gjithë kontinentet po i përgjigjen atij me një shpirt përkushtimi, shpirt i cili, siç shpreson edhe i Besuari, do të prekë ata që ende nuk kanë përfituar nga bekimet e premtuara që rrjedhin nga zbatimi me përkushtim i këtij ligji.
Në thuajse dy vjet që nga dita që njoftuam nevojën e veçantë për mbështetje financiare për të mbajtur, në një standard që i ka hije, ndërtesat dhe kopshtet në Qendrën Botërore, u themelua Fondi i Dhurimeve i Qendrës Botërore. Kontributet ende nuk kanë arritur një nivel të barabartë me nevojat vjetore. Megjithatë, ne u ndiemë të detyruar të heqim mënjanë pesë milionë dollarë të kontributeve të marra si një fond me qëllim të caktuar për ngritjen e një sasie që do të sigurojë një burim të ardhurash nga investimet që do të përdoren për qëllimin fillestar. Këtë gjë e bëmë duke përdorur Fondin Ndërkombëtar Bahá'í për të mbështetur mbulimin e shpenzimeve të domosdoshme, duke pezulluar aktivitete në fusha të tjera që do të ishte normale për t'i zhvilluar.
Ne jemi të ngazëllyer të bëjmë të ditur që, në përgjigje të thirrjes së bërë nga Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Kilit, 185 projekt-skica janë paraqitur nga arkitektë dhe dezinjatorë nga e gjithë bota për Tempullin Mëmë të Amerikës së Jugut që do të ndërtohet në Santiago. Një zgjedhje përfundimtare do të njoftohet kur të vijë koha.
Të dashur miq: Të kënaqur nga provat solide të përparimit të bërë anembanë, ne kemi besim në konfirmimet e paprera të Zotit tonë Suprem për përpjekjet e përkushtuara që ju po bëni në kuadër të Planit Pesë Vjeçar - një Plan i hartuar t'u përgjigjet kërkesave të këtyre kohëve. Ne urojmë që këmbëngulja juaj në zbatimin e tij të çlirojë ato forca të mbyllura që, nëpërmjet hirit dhe pëlqimit të Bukurisë Abhá, mund të çojnë para me shtytje të fuqishme procesin e hyrjes me trupa në çdo vend.
Me ardhjen e Mbretit të Festivaleve, periudha e përgatitjes së Planit të ardhshëm global ka përfunduar: ne tani i ftojmë miqtë e Perëndisë për një zotim të ri pesëvjeçar guximi, vendosmërie dhe burimesh.
Kompania e besnikëve të Bahá'u'lláh-ut është gati. Takimet institucionale të mbledhura gjatë muajve të fundit në të gjithë botën kanë dërguar sinjale të njëpasnjëshme të padurimit për të filluar këtë sipërmarrje të fuqishme. Gjërat thelbësore të përmbajtura në mesazhin drejtuar Konferencës së Këshilltarëve tashmë janë duke u përkthyer në plane vendimtarë veprimi. Dekada përpjekjesh heroike e kanë formësuar komunitetin dhe kanë bërë që të fitojë një masë aftësish të efektshme në nxitjen e rritjes, duke e kalitur për këtë moment. Dy dekadat e fundit, në veçanti, e kanë përshpejtuar ndjeshëm këtë ngritje kaq të dëshiruar të zotësisë.
Gjatë kësaj periudhe, pranimi i një kornize për veprim që evoluon u ka mundësuar miqve në mënyrë progresive të ushqejnë e të përsosin kapacitetet thelbësore, duke u dhënë jetë fillimisht akteve të thjeshta të shërbimit, që çuan më pas në modele veprimi më të hollësishme, të cilat, nga ana tjetër, kërkuan zhvillimin e kapaciteteve akoma më komplekse. Në këtë mënyrë një proces sistematik i zhvillimit të burimeve njerëzore dhe i ndërtimit të komunitetit ka nisur në mijëra zona – dhe, në shumë prej tyre, është bërë shumë më i avancuar. Fokusi nuk ka qenë vetëm te besimtari individual, vetëm te komuniteti, apo vetëm tek institucionet e Besimit; të tre pjesëmarrësit e pandashëm në evoluimin e Rendit të ri Botëror janë duke u stimuluar nga forcat shpirtërore të lëshuara përmes shpalosjes së Planit Hyjnor. Shenjat e progresit të tyre janë gjithnjë e më të dukshme: në sigurinë që besimtarë të panumërt kanë fituar për të ndarë histori nga jeta e Bahá'u'lláh-ut dhe për të diskutuar rrjedhojat e Revelacionit dhe të Besëlidhjes së Tij të pashoqe; në rritjen e kontigjenteve të shpirtrave që, si pasojë, janë tërhequr drejt Kauzës së Tij dhe po kontribuojnë në arritjen e vizionit të Tij bashkues; në aftësinë e Bahá'í-ve dhe miqve të tyre, në vetë bazën e komunitetit, për të përshkruar në mënyrë elokuente përvojën e një procesi të aftë për ta transformuar karakterin dhe për t’i dhënë formë ekzistencës sociale; në rritjen domethënëse të numrit të banorëve vendas, të cilët, si anëtarë të institucioneve dhe agjencive Bahá’í, tani po udhëheqin punët e komuniteteve të tyre; në kontributin e qëndrueshëm, bujar dhe sakrifikues për Fondin, aq jetik për të mbështetur përparimin e Besimit; në lulëzimin e paparë të iniciativës individuale dhe veprimit kolektiv në mbështetje të aktiviteteve komunitet-ndërtuese; në entuziazmin e shumë shpirtrave vetëmohues në lule të rinisë që kanë sjellë energji të jashtëzakonshme në këtë punë, veçanërisht duke u kujdesur për edukimin shpirtëror të brezave më të rinj; në përmirësimin e karakterit devocional të komunitetit përmes takimeve të rregullta për adhurim; në rritjen e kapacitetit në të gjitha nivelet e administrimit Bahá'í; në gatishmërinë e institucioneve, agjencive dhe individëve për të menduar nga pikëpamja e procesit, për ta lexuar realitetin rrethues dhe për t’i vlerësuar burimet në vendet ku ata jetojnë, duke bërë plane mbi këtë bazë; në dinamikën tashmë të njohur të studimit, konsultimit, veprimit dhe reflektimit, që ka kultivuar një qëndrim të vetvetishëm nxënieje; në vlerësimin në rritje të domethënies së vënies në jetë të Mësimeve përmes veprimit shoqëror; në shumëfishimin e mundësive të kërkuara dhe të kapura për të ofruar një këndvështrim Bahá'í në diskutimet mbizotëruese në shoqëri; në vetëdijen e një komuniteti global që, në të gjitha përpjekjet e tij, po e përshpejton ngritjen e qytetërimit hyjnor, duke manifestuar fuqinë e natyrshme shoqëri- ndërtuese të Kauzës; në të vërtetë, në ndërgjegjësimin në rritje të miqve që që: në përpjekjet e tyre për të nxitur transformimin e brendshëm, për të zgjeruar rrethin e unitetit, për të bashkëpunuar me të tjerët në fushën e shërbimit, për të ndihmuar popullsinë për të marrë përgjegjësinë e zhvillimit të vet shpirtëror, shoqëror e ekonomik – dhe, përmes të gjitha këtyre përpjekjeve, për të sjellë përmirësimin e botës, –shprehet qëllimi i vërtetë i vetë fesë.
Ndërkohë që një masë e vetme nuk mund ta kapë tërësinë e progresit të komunitetit Bahá'í, më shumë mund të deduktohet nga numri i zonave në mbarë botën ku është vendosur një program rritjeje, të cilat, me mirënjohje për bujaritë e dhuruara nga Bukuria Abhá, konfirmojmë që e kanë tejkaluar numrin 5,000. Një bazë kaq e gjerë ishte një parakusht për të marrë përsipër detyrën që del tani përballë botës Bahá'í – forcimin e procesit të rritjes në çdo zonë ku ka filluar dhe zgjerimin më tej të një modeli të pasur të jetës së komunitetit. Përpjekja e vazhdueshme që kërkohet do të jetë e vështirë. Por rezultati ka potencial të jetë thellësisht domethënës, madje duke bërë epokë. Një distancë shumë e madhe mund të përshkohet me hapa të vegjël, nëse ata janë sistematikë e të shpejtë. Duke u përqendruar paraprakisht në avancimin që duhet të bëhet në zonë në një periudhë fillestare – për shembull, në gjashtë ciklet që ndodhin para Dyqindvjetorit të parë – miqtë do të bënin shumë për ta mundësuar realizimin e synimit të tyre përgjatë pesë viteve të plota. Çdo cikël ofron mundësitë e veta të momentit për një hap të madh përpara, mundësi të çmuara që nuk kthehen më.
Në shoqërinë e gjerë, mjerisht, po shumëfishohen e po përkeqësohen simptomat e një sëmundjeje gjithnjë e më të thellë të shpirtit. Sa e dukshme që, ndërsa popujt e botës vuajnë nga mungesa e ilaçit të vërtetë dhe kthehen të çoroditur nga një shpresë e rreme te një tjetër, ju po përsosni bashkërisht një instrument që lidh zemrat me Fjalën e Perëndisë së përjetshëm. Sa e mrekullueshme që, mes kakofonisë së mendimeve të ngurtësuara dhe interesave të kundërta që shtohen gjithkund gjithnjë e më me egërsi, ju jeni të fokusuar që t’i bëni njerëzit së bashku për të ndërtuar komunitete, këto streha të unitetit. Të pafuqishme për t’ju shkurajuar, le t’ju kujtojnë paragjykimet dhe armiqësitë e botës se sa urgjentisht u duhet të gjithë shpirtrave përreth jush balsami shërues që vetëm ju mund t’ua dhuroni.
Ky është i fundit në një seri të njëpasnjëshme Planesh Pesëvjeçare. Në përfundim të tij, një fazë e re në zhvillimin e Planit Hyjnor do të hapet, e vendosur për të çuar komunitetin e Bahá'u'lláh-ut në drejtim të shekullit të tretë të Erës Bahá'í. Vlerësofshin miqtë e Perëndisë në çdo vend premtimin e këtyre pak viteve të ardhshme, që do të jenë një përgatitje rigoroze për detyrat e mëpastajme akoma më të madhërishme. Shtrirja e gjerë e Planit aktual i mundëson çdo individi për ta mbështetur këtë punë, sado modeste qoftë pjesa e dikujt. Ne ju kërkojmë, të dashur bashkëpunëtorë, adhurues të Atij Që është i Shumëdashuri i botëve, të mos kurseni as edhe një përpjekje për ta vënë në jetë gjithçka që keni mësuar, të mos kurseni as edhe një zotësi apo aftësi tuajën të dhënë nga Perëndia për të avancuar Planin Hyjnor drejt fazës së tij të ardhshme esenciale. Lutjeve tuaja të zjarrta për ndihmë hyjnore ne u shtojmë edhe lutjet tona, të ofruara në Varret e Shenjtë, në emër të të gjithë atyre që përpiqen për këtë Kauzë gjithëpërfshirëse.
Shihni sesi ngrihet komuniteti i Emrit Më të Madh! Me vetëm një vit të kaluar që nga zanafilla e Planit të ri, raportet dëshmojnë shkallën e asaj çka po orvatet dhe po fillon të arrihet. Të sjellurit e intensitetit më të madh 5’000 programeve të rritjes po kërkon një shkallë përpjekjeje krejt pa precedent. Me një rrokje të fortë të themeleve të Planit, numra të mëdhenj miqsh po veprojnë sipas kërkesave të tij, duke treguar kujdes dhe flijim në cilësinë e përgjigjes së tyre. Siç ishte parashikuar, disa programe intensive të rritjes që janë mbështetur për një kohë të gjatë po bëhen rezervuare njohurish dhe burimesh, duke u dhënë mbështetje zonave përreth dhe duke lehtësuar përhapjen e shpejtë të përvojës dhe rrokjeve. Qendra veprimtarie intensive – ato fqinjësi dhe fshatra ku puna komunitet-ndërtuese është më e përqendruar – po rezultojnë tokë pjellore për shndërrim të përbashkët. Një ushtri e zgjeruar dhe e fuqizuar anëtarësh të Trupit Ndihmës dhe e ndihmëtarëve të tyre po nxisin përpjekjet e besimtarëve, duke i ndihmuar ata të përfitojnë një vizion për mënyrën si ta përparojnë procesin e rritjes në rrethana të gjithfarshme dhe duke njëjtësuar qasje që u përshtaten kushteve në çdo zonë. Të mbështetur nga Asambletë Shpirtërore Kombëtare të tyre përkatëse, Këshillat Bahá’í Krahinorë po mësojnë sesi vrulli i Planit mund të ngrihet njëkohësisht përmes një game zonash, ndërsa në disa vende më të vegjël pa Këshilla, trupa të rinj në nivelin kombëtar po fillojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Ndonëse, siç do të pritej nga cilido proces organik, zhvillimi i shpejtë që po dëshmohet në disa vende duhet të shfaqet ende në të tjera, numri tërësor i programeve intensive të rritjes në botë ka filluar të ngjitet tanimë. Më tej, lumturohemi të shohim që pjesëmarrja në veprimtaritë e Planit është rritur dukshëm gjatë katër cikleve të tij të para.
Shenjat vështirë se mund të ishin më premtuese, atëherë, për atë çka mund të sjellë viti i ardhshëm. Dhe çfarë mund të ishte më e përshtatshme për t’ia ofruar Bukurisë së Bekuar në Dyqindvjetorin e Lindjes së Tij sesa përpjekjet e sinqerta të të dashurve të Tij për ta zgjeruar shtrirjen e Besimit të Tij? I pari i dy Dyqindvjetorëve që do të kremtohen nga bota Bahá’í është pra një rast me pamje tepër emocionuese. Parë drejt, ky vit paraqet mundësinë e vetme më të madhe mbarëbotërore që ka pasur ndonjëherë për të lidhur zemra me Bahá’u’lláh-un. Në muajt në vijim, le të jenë të gjithë të vetëdijshëm rreth këtij rasti të vyer dhe syçelë ndaj mundësive që gjenden në çdo hapësirë për të njohur të tjerë me jetën dhe misionin madhështor të Tij. Në mënyrë që mundësia e mësimdhënies që gjendet tani para botës Bahá’í të mbërthehet në masën më të plotë, duhen ushtruar mendime krijuese rreth bisedave që do të mund të shpaloseshin me çdo soj njeriu. Në rrjedhën e kësisoj bisedash kuptimplota, perceptimi lartësohet dhe zemrat hapen – nganjëherë në çast. Në këtë veprimtari të denjë të gjithë gjejnë një prirje dhe nga lumturia që vjen nga të qenët i zënë me këtë punë asnjë nuk duhet ta privojë veten. Ne i përgjërohemi të Shumëdashurit që i gjithë ky vit i Dyqindvjetorit të jetë i mbushur me këtë lumturi, që është më e dëlira dhe më e ëmbla: të treguarit e një shpirti tjetër rreth agimit të Ditës së Perëndisë.
Detyrimet që duhen përmbushur nga shoqëria e besnikëve bëhen aq më të ngutshme nga rrëmuja, mosbesimi dhe turbullira në botë. Me të vërtetë, miqtë duhet të përdorin çdo mundësi për të rrezatuar një dritë që mund ta ndriçojë shtegun dhe t’u ofrojë siguri të merakosurve, shpresë të dëshpëruarve. Na vjen ndër mend këshilla e dhënë prej Ruajtësit një komuniteti Bahá’í, me fjalë që duket sikur janë menduar për kohën tonë: “Ndërsa struktura e shoqërisë së ditës së sotme gulçon dhe plasaritet nën ndemjen dhe sforcimin e ndodhive dhe fatkeqësive ogurzeza, ndërsa çarjet, duke theksuar ndarjen që veçon kombin nga kombi, klasën nga klasa, racën nga raca, besimin nga besimi, shumëfishohen, vepruesit e Planit duhet të tregojnë një lidhje akoma më të madhe në jetët e tyre shpirtërore dhe veprimtaritë e tyre administrative dhe të shfaqin një standard më të lartë përpjekjeje të bashkërenduar, ndihme të ndërsjelltë dhe zhvillimi të harmonishëm në ndërmarrjet e tyre të përbashkëta.” Gjithnjë duke theksuar domethënien shpirtërore të punës së Besimit dhe vendosmërisë së njëqëllimtë me të cilën besimtarët duhet të përmbushin detyrat e tyre të shenjta, Shoghi Effendi këshilloi gjithashtu kundër të pasurit e ndonjë pjese në polemika, ngatërresa dhe grindje politike. “Le të ngrihen mbi çdo partikularizim dhe partishmëri”, i nxiti ai në një rast tjetër, “mbi grindjet e kota, intrigat e parëndësishme, epshet kalimtare që trazojnë fytyrën dhe tërheqin vëmendjen e një bote në ndryshim.” Këto janë shkuma dhe spërkat që ngrihen teksa dallgë pas dallge tund një shoqëri të trazuar dhe të përçarë. Tepër është në rrezik për të qenë të zënë me shpërqendrime të këtij lloji. Siç e di mirë çdo pasues i Bahá’u’lláh-ut, mirëqenia më e lartë e njerëzimit është e varur nga kapërcimi i dallimeve të tij dhe ngritja në mënyrë të vendosur e unitetit të tij. Çdo ndihmesë që Bahá’í-të i japin jetës së shoqërisë së tyre ka si qëllim nxitjen e unitetit; çdo përpjekje komunitet-ndërtuese është e drejtuar drejt të njëjtit qëllim. Për ata që janë të lodhur nga zënkat, komunitetet që po rriten nën hijen e Emrit Më të Madh parashtrojnë një shembull të fuqishëm të çka mund të arrijë uniteti.
Ne i thurim lavde Zotit të Zotërve teksa shohim kaq shumë prej të dashurve të Tij, në kaq shumë mënyra, duke dhënë gjithë ç’kanë që flamuri i njëshmërisë së njerëzimit të ngrihet lart. Miq të shumëdashur: Ndërsa fillon një vit tepër i mbarë tani, a nuk mund të mendojë secili prej nesh çfarë bëmash hyjnore mund të na ndihmojë hiri i Tij për të kryer?
Ndërsa Më i Madhi Kremtim është afruar, ne jemi ngazëllyer prej ndjenjash mirënjohjeje dhe pritjeje - mirënjohje për mrekullitë që Bahá’u’lláh-u i ka mundësuar pasuesit e Tij të arrijnë, pritje të asaj çka përmban e ardhmja e afërt.
Vrulli i lindur nga kremtimet botërore të dyqindvjetorit të Lindjes së Bahá’u’lláh-ut është vetëm rritur që atëherë. Zhvillimi i përshpejtuar i komunitetit Bahá’í, kapaciteti i tij në rritje dhe aftësia e tij për të vënë në përdorim fuqitë e më shumë prej anëtarëve të tij shfaqen gjallërisht nga një përmbledhje e arritjeve të tij të vona të përbotshme. Nga këto, dallon në veçanti një rritje e veprimtarive të tij komunitet-ndërtuese. Plani Pesë Vjeçar i tanishëm pason njëzet vite përpjekjesh nga bota Bahá’í për t’i përsosur dhe shumëfishuar sistematikisht këto veprimtari - por mrekullisht, në të parat dy vite e gjysmë të Planit, madje vetëm numri i veprimtarive bërthamë u rrit me më tepër se gjysmë. Komuniteti botëror ka treguar kapacitetin për të përfshirë, në cilindo çast, mbi një milionë njerëz në veprimtari të tilla, duke i ndihmuar ata të hulumtojnë dhe t’u përgjigjen të vërtetave shpirtërore. Në të njëjtën periudhë të shkurtër, numri i mbledhjeve për lutje gati u dyfishua - një përgjigje e shumëkërkuar ndaj ftohjes në rritje të njerëzimit ndaj Burimit të shpresës dhe bujarisë. Ky zhvillim mban premtim të veçantë, sepse takimet devocionale rrënjosin një frymë të re në jetën e një komuniteti. Ndërthurur me përpjekje edukuese për të gjitha moshat, ato përforcojnë qëllimin fisnik të këtyre përpjekjeve: të brumosin komunitete që shquhen nga adhurimi i tyre për Perëndinë dhe shërbimi i tyre ndaj njerëzimit. Askund nuk është më e dukshme kjo sesa në ato zona ku pjesëmarrja e numrave të mëdhenj në veprimtaritë Bahá’í po mbahet në mënyrë të qëndrueshme dhe miqtë e kanë kaluar gurin kilometrik të tretë në zhvillimin e komunitetit të tyre. Ne jemi të gëzuar tek shohim që numri i zonave ku procesi i rritjes ka përparuar kaq shumë, tashmë është mëse dyfishuar që nga fillimi i Planit dhe tani është rreth pesëqind.
Ky vështrim i përmbledhur nuk mund ta çmojë si duhet shkallën e shndërrimit që është në zhvillim e sipër. Pamja për dy vitet e mbetura të Planit është e ndritur. Shumë është arritur në këtë vitin e fundit nga përhapja e gjerë e mësimeve të përftuara nga programet e rritjes më të forta në zona, të cilat, siç shpresonim, janë bërë rezervuarë dijesh dhe burimesh. Qendra Ndërkombëtare e Mësimdhënies, Këshilltarët dhe ndihmësit e tyre të palodhshëm nuk janë ndalur para asgjëje për t’u siguruar që të garantojnë që miqtë në të gjitha anët e botës të mund të përfitojnë nga ky përshpejtim në përftimin dhe zbatimin e kuptimeve të thella që po fitohen drejt realiteteve të vetë tyre. Ne ngazëllehemi tek shohim që në një numër në rritje zonash dhe në fqinjësi e fshatra përbrenda tyre, është shfaqur një bërthamë miqsh të cilët përmes të vepruarit dhe të përsiaturit po zbulojnë çfarë nevojitet, në një pikë të caktuar, që procesi i rritjes të përparojë në rrethinat e tyre. Ata po vënë në përdorim mjetin e vrundulltë të institutit, përmes të cilit përtërihet kapaciteti për të kontribuar ndaj begatisë shpirtërore dhe materiale të komunitetit dhe, ndërsa veprojnë, po rritet numri i atyre që po u bashkohen. Natyrisht, kushtet ndryshojnë shumë nga vendi ne vend, ashtu si edhe veçoritë e rritjes. Por përmes orvatjeve sistematike, gjithkush mund të japë një kontribut gjithnjë e më të frytshëm ndaj punës që po ndërmerret. Në çdo rrethanë, gjendet hare e vërtetë në përfshirjen e shpirtrave të tjerë në biseda kuptimplota dhe frymëzuese, të cilat çojnë, qoftë shpejt ose dalëngadalë, në zgjimin e ndjeshmërive shpirtërore. Sa më e ndritshme të jetë flaka e ndezur përbrenda zemrës së një besimtari, aq më e madhe do të jetë forca e tërheqjes e ndjerë prej atyre që ndeshen me ngrohtësinë e saj. Dhe për një zemër që është përflakur me dashurinë për Bahá’u’lláh-un, çfarë shërbese më e përshtatshme mund të përfytyrohet sesa të kërkojë të gjejë shpirtra të ngjashëm, t’i nxisë ndërsa ata hyjnë në shtegun e shërbimit, t’i shoqërojë ndërsa ata fitojnë përvojë dhe - ndoshta hareja më e madhe e të gjithave - të shohë shpirtra që mbështeten në besimin e tyre, ngrihen në mënyrë të pavarur dhe ndihmojnë të tjerë në të njëjtin rrugëtim. Këto janë ndër më të vyerat e të gjitha çasteve që kjo jetë kalimtare jep.
Mundësitë për ta përparuar këtë ndërmarrje shpirtërore bëhen ende më drithëruese me afrimin e dyqindvjetorit të Lindjes së Báb-it. Po ashtu si dyqindvjetori që e parapriu, ky përvjetor është një çast pallagoratishmërisht i vyer. Ai u jep të gjithë Bahá’í-ve mundësi të mahnitshme për t’i zgjuar ata përqark tyre ndaj Ditës së Madhe të Perëndisë, ndaj vërshimit të jashtëzakonshëm të hirit qiellor të shënuar nga dalja në dritë e dy Shfaqjeve të Qenies Hyjnore, Ndriçues të njëpasnjëshëm të Cilët e ndritën horizontin e botës. Masa e asaj që mund të jetë e mundshme në dy ciklet e ardhshme është e njohur për të gjithë nga përvoja e dyqindvjetorit para dy vitesh dhe gjithçka që u mësua me atë rast duhet të drejtohet në planet për Ditëlindjet e Shenjta Binjake këtë vit. Ndërsa përvjetori i dyqindtë afrohet, ne do të ofrojmë përgjërime të shpeshta në emrin tuaj në Mauzoletë e Shenjtë, duke u lutur që përpjekjet tuaja për ta nderuar në mënyrë të përshtatshme Báb-in do t’ia dalin mbanë që ta përparojnë Kauzën të cilën Ai paratha.
Mbyllja e shekullit të parë të Periudhës Formuese është veç dy vjet e gjysmë larg. Ajo do të vulosë njëqind vite përpjekjesh të shenjta për ta përforcuar dhe zgjeruar themelin e ngritur me kaq flijim gjatë Periudhës Heroike të Besimit. Në atë kohë, komuniteti Bahá’í do të shënojë gjithashtu njëqindvjetorin e Ngjitjes së ‘Abdu’l-Bahá-it, ai çast kur Mjeshtri i shumëdashur u lirua nga kufizimet e kësaj bote për t’u ribashkuar me Atin e Tij në strehat e lavdisë qiellore. Varrimi i tij, i cili u mbajt ditën vijuese, qe një ndodhi “të ngjashmin e të cilit Palestina nuk e kishte parë kurrë.” Në përfundimin e tij, trupi i Tij i vdekshëm u vu të prihet përbrenda një dhomëze nën Mauzoleun e Báb-it. Sidoqoftë, qe parashikuar prej Shoghi Effendi-ut që kjo do të ishte një masë e përkohshme. Një Mauzole do të duhej të ngrihej, i një natyre që i përshtatej pozitës së pashoqe të ‘Abdu’l-Bahá-it, në kohën e duhur.
Ajo kohë ka ardhur. Botës Bahá’í po i bëhet thirrje të ndërtojë një godinë, e cila do t’i përgushë përgjithnjë ato eshtra të shenjta. Do të ndërtohet në afërsinë e Kopshtit të Riḍván-it, mbi tokë të shenjtëruar nga hapat e Bukurisë së Bekuar; në këtë mënyrë Mauzoleu i ‘Abdu’l-Bahá-it do të qëndrojë në gjysmëhënën që përshkon Mauzolet e Shenjtë në ‘Akká dhe Haifa. Puna mbi planet arkitekturale po përparon dhe më shumë të dhëna do të ndahen në muajt në vijim.
Ndjenja hareje të pakundshoqta tani vërshojnë përbrenda nesh, ndërsa shqyrtojmë vitin e ardhshëm dhe gjithçka që ai premton. Ne mbështetemi te secili prej jush - ata të cilët merren me dhënien e shërbimit ndaj Bahá’u’lláh-ut, duke u përpjekur në çdo komb për Kauzën e paqes - që të përmbushni thirrjen tuaj të lartë.
Dy të vërteta që po shfaqen na kanë shtyrë t'ju drejtojmë këto fjalë. E vërteta e parë është vetëdija në rritje përreth botës e rreziqeve kanosëse dhe tmerruese që mbart pandemia e koronavirusit. Në shumë vende, pavarësisht përpjekjeve të përbashkëta të guximshme dhe të vendosura për të shmangur gjëma, gjendja është tashmë e rëndë, duke krijuar tragjedi për familje dhe individë dhe duke zhytur shoqëri të tëra në krizë. Valë vuajtjeje dhe brenge po përhapen në një vend pas tjetrit dhe do të dobësojnë kombe të ndryshme, në çaste të ndryshme, në mënyra të ndryshme.
E vërteta e dytë, një që po bëhet më e dukshme përditë, është aftësia për rimëkëmbje dhe gjallëria e pazbehur e botës Bahá'í përballë një sfide e cila nuk ka të ngjashme në kujtesën jetësore. Përgjigjja juaj ka qenë e shquar. Kur ju shkruajtëm një muaj më parë në Naw-Rúz, qemë të etur të theksonim cilësitë mbresëlënëse që po tregoheshin nga komunitete, rendi i zakonshëm i veprimtarive të të cilave, qe përçarë. Gjithçka që ka ngjarë në javët që atëherë, gjatë së cilave shumë miqve u është dashur t'u binden me kufizime gjithnjë e më të rrepta, vetëm i ka thelluar ndjenjat tona të admirimit. Duke mësuar nga përvoja e fituar në pjesë të tjera të botës, disa komunitete kanë gjetur mënyra të sigurta dhe krijuese për të rritur ndërgjegjësimin rreth kërkesave të shëndetit botor përbrenda popullsive. Vëmendje e veçantë po i kushtohet atyre që janë më në rrezik nga virusi dhe nga vështirësia ekonomike që rrjedh prej përhapjes së tij; nismat e paraqitura në Shërbimin e Lajmeve të Botës Bahá'í në lidhje me këtë, s'janë veçse një sasi e vogël prej numrit të pallogaritshëm në zhvillim e sipër. Këto po plotësohen me përpjekje për t'i këqyrur, nxitur dhe kultivuar ato cilësi shpirtërore që janë më të nevojshmet në këtë kohë. Shumë përpjekje të tilla domosdoshmërisht po zhvillohen në njësi familjesh ose në vetmi, por ku kushtet e lejojnë, ose mjetet kumtuese e mundësojnë, një ndjenjë solidariteti të jashtëzakonshëm po ushqehet në mënyrë aktive mes shpirtrave që po ndajnë rrethana të ngjashme. Dinamikat e jetës së komunitetit, kaq të rëndësishme për përparimin e përbashkët, nuk do të mposhten.
Shpirtrat tanë janë ngritur duke parë në çfarë mënyre të aftë, Asambletë Shpirtërore Kombëtare, gjeneralët e palodhshëm të Ushtrisë së Dritës, i kanë udhëhequr komunitetet e tyre dhe i kanë dhënë formë përgjigjes së tyre ndaj krizës. Ata janë mbështetur në mënyrë të fortë prej Këshilltarëve dhe ndihmësve të tyre, të cilët, si gjithnjë, e kanë ngritur lartë në mënyrë heroike standardin e shërbimit të përzemërt. Ndërsa kanë mbetur të mirinformuar rreth kushteve shpesh në ndryshim të shpejtë në vendet e tyre, Asambletë kanë marrë masat e nevojshme për t'i drejtuar çështjet e Kauzës dhe, në veçanti për të udhëhequr zgjedhjet, atje ku këto mbeten të mundshme. Përmes kumtimeve të rregullta, institucione dhe agjensi kanë ofruar këshillim të urtë, sigurim ngushëllues dhe nxitje të vazhdueshme. Në shumë raste, ata gjithashtu kanë filluar të dallojnë tema dobiprurëse që po shfaqen nga bisedat që po hapen në shoqëritë e tyre. Pritshmëria që shprehëm në mesazhin tonë të Naw-Rúz-it që kjo provë e qëndrueshmërisë së njerëzimit do t'i jepte kuptime më të thella, po vërtetohet tashmë. Udhëheqës, mendimtarë të mirënjohur dhe komentues, kanë filluar të hulumtojnë koncepte themelore dhe aspirata të patrembura të cilat, në kohët e fundit, kanë munguar përgjithësisht nga biseda botore. Tani, këto s'janë veçse vezullime të hershme, sidoqoftë ato tregojnë mundësinë se një çast vetëdijeje të përbashkët mund të jetë në pamje.
Ngushëllimi që marrim duke parë aftësinë për rimëkëmbje të botës Bahá'í tek shfaqet në veprim, zbutet prej trishtimit tonë falë pasojave të pandemisë për njerëzimin. Medet, ne jemi të vetëdijshëm që besimtarët dhe bashkëpunëtorët e tyre marrin pjesë në këtë vuajtje gjithashtu. Largesa nga miq dhe të afërm të cilën, për shkak të kërkesave të sigurisë botore, kaq shumë njerëz në botë po e mbajnë tani, për disa do t'i hapë shtegun ndarjes së përhershme. Në çdo agim, duket e qartë që më shumë dhimbje do të durohen para perëndimit të diellit. Le t'u ofrojë ngushëllim premtimi i ribashkimit në sferat e përjetshme atyre që humbin njerëz të dashur. Ne lutemi për lehtësimin e zemrave të tyre dhe që hiri i Perëndisë t'i rrethojë ata, arsimi, zanati, shtëpitë, ose edhe vetë mjetet e jetesës së të cilëve, po vihen në rrezik. Për ju e për ata ata që ju i çmoni dhe për të gjithë bashkatdhetarët tuaj, ne i përgjërohemi Bahá'u'lláh-ut dhe i lutemi për bekimet dhe favorin e Tij.
Sado e gjatë dhe e lodhshme të jetë rruga që duhet udhëtuar, ne jemi tejet të sigurtë në qëndresën dhe vendosmërinë tuaj për ta përfunduar udhëtimin. Ju merrni nga visare shprese, besimi e zemërgjerësie, duke vendosur nevojat e të tjerëve përpara tuajave, duke i mundësuar ata që janë të privuar të ushqehen shpirtërisht, ata që janë të etur gjithnjë e më shumë për përgjigje të kënaqen dhe ata që digjen për të punuar për përmirësimin e botës të pajisen me mjete. Nga pasuesit e devotshëm të Përkryerjes së Bekuar, si mund të presim më pak?
Fjalët përfundimtare në këtë kapitull të paharrueshëm në historinë e Kauzës janë shkruar tashmë dhe, fleta po kthehet. Ky Riḍván shënon përfundimin e një viti të jashtëzakonshmën, e një Plani Pesëvjeçar dhe e një serie të plotë Planesh që nisën në vitin 1996. Një seri e re Planesh bën shenjë që të vijë, me çka premton të jetë një dymbëdhjetëmujor shumë i rëndësishëm, që do të shërbejë si prelud për një përpjekje nëntëvjeçare, e cila pritet të nisë Riḍván·in pasues. Ne shohim para nesh një komunitet, që ka fituar forcë me shpejtësi dhe është i gatshëm të ndërmarrë përpara hapa të mëdhenj. Por, nuk duhet patur asnjë iluzion rreth asaj se sa shumë përpjekje u nevojitën për të arritur në këtë pikë dhe se sa me mund ishin fituar kuptimet e përftuara gjatë rrugës: mësimet e nxëna do t’i japin formë të ardhmes së komunitetit dhe rrëfimi se si u mësuan ato do të hedhë dritë mbi atë që pritet.
Dekadat që çuan deri në vitin 1996, të pasura me përparimet e kuptimet e veta, nuk patën lënë asnjë dyshim se numra të mëdhenj njerëzish në shumë shoqëri do të ishin të gatshëm të hynin nën flamurin e Besimit. Megjithatë, aq inkurajuese sa ishin rastet e deklarimeve në shkallë të gjerë, ato nuk u barazuan me një proces të qëndrueshëm rritjeje që mund të kultivohej në rrethana të larmishme. Komuniteti u përball me pyetje të thella, për të cilat, në atë kohë, ai kishte përvojë të pamjaftueshme për t’iu dhënë përgjigje. Si mundeshin përpjekjet me synim zgjerimin e tij të vijonin krah për krah me procesin e konsolidimit dhe të zgjidhnin sfidën e gjatë, në dukje të pazgjidhshme, të qëndrueshmërisë së rritjes? Si mund të ngriheshin individët, institucionet dhe komunitetet, që të ishin të aftë t’i kthenin në veprim mësimet e Bahá’u’lláh·ut? Dhe si mundeshin ata, që ishin tërhequr prej mësimeve, të bëheshin protagonistë në një sipërmarrje shpirtërore globale?
Kështu ndodhi që, një çerek shekulli më parë, një komunitet Bahá’í, i cili mund të numëronte akoma tri Duar të Kauzës së Perëndisë në krye të radhëve të veta, nisi një Plan Katërvjeçar, të dalluar nga ato që erdhën para tij prej fokusimit në një synim të vetëm: një përparim domethënës në procesin e hyrjes me trupa. Ky synim u bë përkufizues për serinë e Planeve që e pasuan. Komuniteti kishte arritur tashmë të kuptonte që ky proces nuk ishte thjesht hyrja në Besim e grupeve të konsiderueshme, as nuk do të shfaqej spontanisht; ai nënkuptonte zgjerim dhe konsolidim të qëllimshëm, sistematik e të përshpejtuar. Kjo punë do të kërkonte pjesëmarrjen e informuar të shumë shpirtrave dhe, në vitin 1996, bota Bahá’í u thirr të merrte mbi supe sfidën e gjerë edukuese që kjo punë solli. Ajo u thirr të ngrinte një rrjet institutesh trajnimi të fokusuara në krijimin e një rrjedhe në rritje individësh të pajisur me kapacitetet e nevojshme për ta bërë të qëndrueshëm procesin e rritjes.
Miqtë e morën këtë detyrë me vetëdijen se, pavarësisht fitoreve të tyre të mëparshme në fushën e mësimdhënies, ata dukshëm kishin shumë për të mësuar rreth asaj se cilat kapacitete duheshin fituar dhe, thelbësorja, si t’i fitonin ato. Në shumë mënyra, komuniteti do të mësonte duke vepruar dhe, mësimet e nxëna, sapo të ishin distiluar e rafinuar përmes zbatimit në rrethana të larmishme përgjatë kohës, do të përfshiheshin përfundimisht në materialet edukuese. U kuptua se veprimtari të caktuara ishin një përgjigje e natyrshme ndaj nevojave shpirtërore të popullsisë. Qarqet e studimit, klasat e fëmijëve, takimet devocionale dhe, më vonë, grupet e paratërinjve u dukën qartë se ishin të një rëndësie qendrore në lidhje me këtë dhe, kur u ndërthurën bashkë me veprimtari të ndërlidhura, dinamikat e lindura mund t’i jepnin jetë një modeli të gjallë të jetës komunitare. Dhe, ndërsa numri i pjesëmarrësve në këto veprimtari bazë u rrit, qëllimit të tyre origjinal iu shtua një dimension i ri. Ato rezultuan se shërbenin si portale përmes të cilave të rinjtë, të rriturit dhe familje të tëra nga shoqëria e gjerë mund të takoheshin me Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut. Gjithashtu, po bëhej e qartë se sa praktike ishte të konsideroheshin strategjitë për punën e ndërtimit të komunitetit brenda kontekstit të “zonës”: një zonë gjeografike e një madhësie të menaxhueshme me tipare të dallueshme shoqërore e ekonomike. Filloi të kultivohej një kapacitet për përgatitjen e planeve të thjeshta në nivel zone dhe, prej këtyre planeve, dolën programe për rritjen e Besimit, të organizuara në ato që më pas do të quheshin cikle veprimtarie tremujore. Herët u shfaq një pikë e rëndësishme qartësimi: lëvizja e individëve përmes një rendi kursesh i jep shtysë dhe mbahet në jetë përmes lëvizjes së zonave përgjatë një vazhdimësie të zhvillimit. Kjo marrëdhënie plotësuese i ndihmoi miqtë kudo t’i vlerësonin dinamikat e rritjes në rrethinat e vetë atyre dhe të hartonin një shteg drejt forcës së rritur. E ndërsa koha kaloi, rezultoi e frytshme të shihej ajo që po ndodhte në një zonë si nga pikëpamja e tri domosdoshmërive edukuese—shërbimi ndaj fëmijëve, paratërinjve dhe të rinjve e të rriturve—ashtu dhe nga pikëpamja e cikleve të veprimarisë, thelbësore për ritmin e rritjes. Pjesërisht brenda përpjekjes 25-vjeçare, shumë nga tiparet më të dukshme të procesit të rritjes, që i shohim sot, po vendoseshin mirë.
Ndërsa u intensifikuan përpjekjet e miqve, parime, koncepte e strategji të larmishme të një rëndësie universale nisën të kristalizohen në një kornizë për veprim, që mund të evoluonte për të mirëpritur elemente të reja. Kjo kornizë provoi se ishte themelore për çlirimin e një gjallërie të pamasë. Ajo i përkrahu miqtë t’i kanalizonin energjitë e tyre në mënyra që, siç e ka treguar përvoja, ishin të favorshme për rritjen e komuniteteve të shëndetshme. Por, një kornizë nuk është një formulë. Duke marrë parasysh elementet e ndryshme të kornizës, ndërsa vlerësohej realiteti i një zone, i një lokaliteti, apo thjesht i një lagjeje, mund të zhvillohej një model veprimtarie, që bazohej në atë çka pjesa tjetër e botës Bahá’í po mësonte, ndërsa ishte akoma një përgjigje ndaj veçantive të atij vendi. Një dyzim mes kërkesave të ngurta nga njëra anë dhe parapëlqimeve personale të pakufizuara nga ana tjetër, i dha udhë një të kuptuari me më shumë nuanca rreth larmisë së mjeteve përmes të cilave individët mund ta mbështesnin procesin që, në zemër të tij, ishte koherent dhë që vazhdimisht po rafinohej, ndërsa përvoja grumbullohej. Le të mos ketë asnjë fije dyshimi rreth përparimit të përfaqësuar nga shfaqja e kësaj kornize: nënkuptimet për harmonizimin dhe bashkimin e përpjekjeve të të gjithë botës Bahá’í dhe për çuarjen përpara të marshimit të saj ishin të një rrjedhoje të madhe.
Ndërsa njëri Plan pasoi tjetrin dhe angazhimi me punën e ndërtimit të komunitetit u bë me bazë më të gjerë, përparimet në nivelin e kulturës u bënë më të theksuara. Për shembull, rëndësia e edukimit të brezave më të rinj mori vlerësim më të gjerë, po aq sa edhe potenciali i jashtëzakonshëm i përfaqësuar nga paratërinjtë në veçanti. Shpirtra që përkrahin e shoqërojnë njëri-tjetrin përgjatë një shtegu të përbashkët, që vazhdimisht e zgjerojnë rrethin e mbështetjes reciproke, u bë modeli ndaj të cilit aspironin të gjitha përpjekjet me synim zhvillimin e kapacitetit për shërbim. Edhe ndërveprimet e miqve mes njëri-tjetrit dhe me ata rreth tyre përjetuan një ndryshim, ndërsa u rrit vetëdija rreth fuqisë së bashkëbisedimeve kuptimplote për të ndezur e nxitur ndjeshmëri shpirtërore. Dhe, në mënyrë domethënëse, komunitetet Bahá’í përvetësuan gjithnjë në rritje një orientim që shihte për nga jashtë. Çdo shpirt, që iu përgjigj vizionit të Besimit, mund të bëhej pjesëmarrës aktiv—madje, edhe përkrahës e lehtësues—i veprimtarive edukuese, takimeve për adhurim dhe elementeve të tjera për punën komunitet-ndërtuese; nga mesi i shpirtrave të tillë, shumë mundën të deklaronin besimin e tyre te Bahá’u’lláh·u. Kështu, u shfaq një konceptim i procesit të hyrjes me trupa, që u bazua më pak në teori e supozime dhe më shumë në përvojën reale se si numra të mëdhenj njerëzish mund ta gjenin Besimin, mund të familjarizoheshin me të, mund të identifikoheshin me synimet e tij, mund të bashkoheshin në veprimtaritë dhe diskutimet e tij dhe, në shumë raste, mund ta përqafonin atë. Në të vërtetë, ndërsa procesi i institutit u forcua rajon pas rajoni, numri i individëve që morën mbi supe një pjesë të punës së Planit, duke u shtrirë edhe tek ata që ishin njohur rishtas me Besimin, u rrit me hapa të mëdhenj. Por, kjo nuk po nxitej thjesht nga një shqetësim për shifra. Një vizion i shndërrimit personal e kolektiv që ndodhte njëkohësisht, i bazuar në studimin e Fjalës së Perëndisë, dhe një vlerësim për kapacitetin e çdo personi për t’u bërë protagonist në një dramë të thellë shpirtërore, kishin çuar në lindjen e një ndjenje përpjekjeje të përbashkët.
Një nga tiparet më të mrekullueshme e më frymëzuese të kësaj periudhe 25-vjeçare ka qenë shërbimi i kryer nga të rinjtë Bahá’í, të cilët, me besim e guxim, kanë zënë vendin që u takon në ballë të përpjekjeve të komunitetit. Si mësues të Kauzës dhe edukatorë të të rinjve, si tutorë të lëvizshëm dhe pionierë në frontin e brendshëm, si koordinatorë zone dhe anëtarë të agjencive Bahá’í, të rinjtë në të pesë kontinentet janë ngritur t’u shërbejnë komuniteteve të tyre me devotshmëri e sakrificë. Pjekuria që ata kanë treguar në shkarkimin e detyrave mbi të cilat varet përparimi i Planit Hyjnor, është shprehëse e gjallërisë së tyre shpirtërore dhe i zotimit të tyre për ta mbrojtur të ardhmen e njerëzimit. Në njohje të kësaj pjekurie gjithnjë e më të dukshme, ne kemi vendosur që, menjëherë pas këtij Riḍván·i, ndërsa mosha në të cilën një besimtar fiton të drejtën për të shërbyer në një Asamble Shpirtërore do të mbetet njëzet e një, mosha në të cilën një besimtar mund të votojë do të ulet në tetëmbëdhjetë. Ne nuk kemi asnjë dyshim se kudo që të rinjtë Bahá’í e kanë arritur moshën, do ta përligjin mirëbesimin tonë në aftësinë e tyre për ta përmbushur me “ndërgjegje e zell” “detyrën e shenjtë” në të cilën thirret çdo zgjedhës Bahá’í.
*
Ne jemi të ndërgjegjshëm se, natyrisht, realitetet e komuniteteve ndryshojmë shumë. Komunitete kombëtare të ndryshme, si dhe vende të ndryshme brenda atyre komuniteteve, e nisën këtë seri Planesh në pika të ndryshme të zhvillimit; që atëherë, ato janë zhvilluar gjithashtu, me ritme të ndryshme dhe kanë arritur nivele të ndryshme progresi. Kjo, në vetvete, nuk është diçka e re. Ka qenë përherë realiteti që kushtet kanë ndryshuar nëpër vende, ashtu si edhe shkalla e pranueshmërisë që gjendet aty. Por ne perceptojmë, gjithashtu, një baticë në ngritje, përmes së cilës po rriten kapaciteti, vetëbesimi dhe përvoja e grumbulluar e shumicës së komuniteteve, të pjekura nga suksesi i komuniteteve simotra të tyre afër e larg. Si për shembull, ndërsa shpirtrave që u ngritën për të hapur një lokalitet në vitin 1996 nuk u mungonte aspak kuraja, besimi e devotshmëria, sot, të ngjashmit e tyre kudo kombinojnë po të njëjtat cilësi me dije, kuptime e zotësi, që janë grumbulluar në njëzet e pesë vite përpjekje nga e tërë bota Bahá’í, për ta sistematizuar e për ta rafinuar punën e zgjerimit dhe konsolidimit.
Pavarësisht pikënisjes së komunitetit, ai e ka çuar përpara procesin e rritjes, kur ka kombinuar cilësitë e besimit, këmbënguljes dhe zotimit me gatishmërinë për të nxënë. Në fakt, një trashëgimi e dashur e kësaj serie Planesh është pohimi i përhapur se çdo përpjekje për të shkuar përpara fillon me orientim drejt nxënies. Thjeshtësia e këtij parimi e përgënjeshtron domethënien e nënkuptimeve që e pasojnë atë. Ne nuk kemi dyshim se çdo zonë, duke i dhënë kohë, do të bëjë progres përgjatë vazhdimësisë së zhvillimit; komunitetet që kanë përparuar më shpejt, relative ndaj atyre ku rrethanat e mundësitë e të cilave ishin të ngjashme, kanë treguar një aftësi për të ushqyer unitet mendimi dhe për të nxënë rreth veprimit të efektshëm. Dhe ato kanë bërë kështu pa ngurruar për të vepruar.
Zotimi për të nxënë, do të thoshte, gjithashtu, të qënurit të përgatitur për të bërë gabime—dhe, nganjëherë, sigurisht, gabimet sollën parehati. Në mënyrë jo të papritur, metodat dhe qasjet e reja u trajtuan pa mjeshtëri në fillim, për shkak të mungesës së përvojës; me raste, një kapacitet i sapofituar i një lloji u humb, ndërsa një komunitet u përhumb në zhvillimin e një tjetri. Të pasurit e synimeve më të mira nuk është garanci për mosbërjen e hapave të gabuara dhe lënia pas e tyre kërkon si përunjësi, ashtu edhe shkëputje. Kur një komunitet ka qëndruar i vendosur për të treguar durim dhe për të mësuar nga gabimet që ndodhin natyrshëm, progresi nuk ka qenë kurrë i paarritshëm.
Nga mesi i serisë së Planeve, përfshirja e komunitetit në jetën e shoqërisë filloi të bëhej fokusi i vëmendjes më të drejtpërdrejtë. Besimtarët u inkurajuan të mendonin për këtë në termat e dy fushave të ndërlidhura përpjekjesh—veprimi shoqëror dhe pjesëmarrja në diskutimet që mbizotërojnë në shoqëri. Këto, sigurisht, nuk ishin alternativa ndaj punës së zgjerimit dhe konsolidimit, aq më tepër shpërqendrimit prej saj: ato janë të qenësishme brenda saj. Sa më të mëdha të jenë burimet njerëzore të cilave u bënte thirrje një komunitet, aq më i madh bëhej kapaciteti i tij për ta mundësuar urtësinë e përmbajtur në Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut për t’i dhënë zgjidhje sfidave të kohës—për t’i kthyer mësimet e Tij në realitet. Dhe punët e trazuara të njerëzimit përgjatë kësaj periudhe dukeshin se nënvizonin se sa e dëshpëruar ishte nevoja e tij për ilaçin e dhënë nga Mjeku Hyjnor. I nënkuptuar në gjithë këtë ishte konceptimi i fesë shumë ndryshe nga ata që kishin ndikim në botë në përgjithësi: një konceptim që e njihte fenë si një forcë të fuqishme që shtyn përpara një qytetërim në përparim të vazhdueshëm. U kuptua se një qytetërim i tillë nuk do të shfaqej, gjithashtu, papritur, me dëshirën e vet—ishte misioni i pasuesve të Bahá’u’lláh·ut për të punuar për ngritjen e tij. Një mision i tillë kërkoi zbatimin e të njëjtit proces të nxënies sistematike ndaj punës së veprimit shoqëror dhe të angazhimit në diskutimin publik.
I parë nga pikëpamja e dy dekadave e gjysëm të fundit, kapaciteti për ndërmarrjen e veprimit shoqëror është rritur dukshëm, duke çuar në lulëzimin e jashtëzakonshëm të veprimtarive. Krahasuar me vitin 1996, kur pothuajse 250 projekte të zhvillimit social dhe ekonomik po bëheshin të qëndrueshme nga viti në vit, tani ka 1500 dhe numri i organizatave të frymëzuara nga Besimi është katërfishuar, duke i kaluar 160. Mbi 70 000 nisma për veprim shoqëror në bazë, me kohëzgjatje të shkurtër, janë duke u ndërmarrë çdo vit, një rritje 50-fish. Ne mezi presim të shohim një rritje të vazhdueshme në të gjitha këto përpjekje, që rezultojnë nga mbështetja e përkushtuar e Organizatës Bahá’í për Zhvillim Ndërkombëtar. Ndërkohë, pjesëmarrja Bahá’í në diskutimet mbizotëruese të shoqërisë është rritur, gjithashtu, në masë. Përveç rasteve të shumta kur miqtë gjejnë mundësinë për të ofruar këndvështrimin Bahá’í në bashkëbisedimet që ndodhin në një kontekst pune apo personal, pjesëmarrja më zyrtare në diskutime ka përparuar në mënyrë domethënëse. Ne kemi në mendje jo vetëm përpjekjet e shumëpërhapura dhe kontributet e sofistikuara në rritje të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá’í—i cili, në këtë periudhë i shtoi zyrat në Afrikë, Azi e Evropë—por, gjithashtu, punën e një rrjeti gjerësisht të shtuar e shumë të forcuar të Zyrave kombëtare për Punët e Jashtme, për të cilat kjo fushë përpjekje u bë fokusi kryesor; përveç kësaj, pati kontribute të zgjuara e të shquara, të bëra nga besimtarët individualë në fusha të caktuara. Kjo disi edhe e shpjegon nderimin, vlerësimin dhe admirimin, që udhëheqësit e mendimit dhe të tjera figura të shquara në të gjitha nivelet e shoqërisë kanë shprehur, herë pas here, për Besimin, pasuesit e tij dhe veprimtaritë e tyre.
Në shqyrtimin e tërë periudhës 25-vjeçare, ne jemi të mahnitur nga llojet e shumta të progresit të bërë paralelisht nga bota Bahá’í. Jeta e saj intelektuale ka lulëzuar, siç tregohet jo vetëm nga përparimet e saj në të gjitha fushat e përpjekjes të diskutuara tashmë, por, gjithashtu, nga vëllimi i literaturës me cilësi të lartë, të botuar nga autorë Bahá’í, nga zhvillimi i hapësirave për eksplorimin e disiplinave të caktuara në dritën e mësimeve, si dhe nga ndikimi i seminareve në nivel universitar e pasuniversitar të ofruara sistematikisht nga Instituti për Studime në Mirëqenie Globale, i cili, në bashkëpunim me institucionet e Kauzës, u shërben tashmë të rinjve Bahá’í nga mëse 100 vende. Përpjekjet për të ndërtuar Shtëpi Adhurimi janë përshpejtuar shumë dukshëm. Më i fundit Tempull Mëmë u ngrit në Santiago, Kili dhe nisën projektet për ndërtimin e dy Mashriqu’l-Adhkár·ëve kombëtarë dhe pesë lokalë; Shtëpitë e Adhurimit në Battambang, Kamboxhia dhe në Norte del Cauca, Kolumbi, i kanë hapur dyert e tyre tashmë. Tempujt Bahá’í, qofshin të inauguruar së fundi apo të ngritur prej kohësh, janë duke zënë gjithnjë e më shumë një pozitë në zemrën e jetës komunitare. Mbështetja materiale, e ofruar nga besimtarët e thjeshtë për mijëra përpjekjet e ndërmarra nga miqtë e Perëndisë, ka qenë e pakursyer. E parë thjesht si masë e gjallërisë shpirtërore kolektive, bujaria dhe sakrifica me të cilat, në një kohë trazire të konsiderueshme ekonomike, rrjedha jetësore e fondeve është mbajtur—jo madje, gjallëruar—e tregojnë më së miri. Në arenën e administratës Bahá’í, kapaciteti i Asambleve Shpirtërore Kombëtare për t’i menaxhuar punët e komuniteteve të tyre në të gjithë kompleksin e tyre në rritje, është përforcuar konsiderueshëm. Ato kanë përfituar, në veçanti, nga lartësitë e reja të bashkëpunimit me Këshilltarët, të cilët kanë qenë ndihmues në sistematizimin e mbledhjes së kuptimeve nga baza në të gjithë botën, duke siguruar që ato të përhapen kudo. Kjo ishte, gjithashtu, periudha në të cilën u shfaqën Këshillat Rajonalë Bahá’í si një institucion i Kauzës me role të përcaktuara tërësisht dhe, në 230 rajone tashmë, Këshillat dhe ato institute trajnimi që mbikëqyren prej tyre, e kanë treguar veten si të domosdoshme për përparimin e procesit të rritjes. Për t’i shtrirë në të ardhmen funksionet e të Besuarit të Lartë të Hukukullah·ut, Dorës së Kauzës së Perëndisë, ‘Alí-Muḥammad Varqá, në vitin 2005 u ngrit Bordi Ndërkombëtar i të Besuarve të Hukukullah·ut; sot ai bashkërendon përpjekjet e jo më pak se 33 Bordeve Kombëtare dhe Rajonale të të Besuarve, që tani e mbulojnë globin, të cilët, nga ana e tyre, udhëheqin punën e mbi 1000 Përfaqësuesve. Zhvillimet që ndodhën në Qendrën Botërore Bahá’í gjatë të njëjtës periudhë janë të shumta: u dëshmua përfundimi i Taracave të Mauzoleut të Báb·it dhe i dy ndërtesave mbi Harkun, si dhe nisjen e ndërtimit të Mauzoleut të ‘Abdu’l-Bahá·it, pa lënë pa përmendur një mori projektesh për përforcimin dhe ruajtjen e Vendeve të Shenjta të vyera të Besimit. Mauzoleu i Bahá’u’lláh·ut dhe Mauzoleu i Báb·it u njohën si vende të Trashëgimisë Botërore, vende të një rëndësie të pallogaritshme për njerëzimin. Publiku u dynd në këto vende të shenjta me qindra mijëra, duke iu afruar një milioni e gjysëm njerëz në disa vite, dhe Qendra Botërore mirëpriti rregullisht qindra pelegrinë përnjëherësh, nganjeherë mëse 5000 në vit, përgjatë një numri të ngjashëm vizitorësh Bahá’í; jemi të ngazëllyer po aq nga numri i rritur sa edhe nga njëzetë popuj e kombe të ndryshme, të përfaqësuar nga ata që përfitojnë nga bujaria e pelegrinazhit. Përkthimi, botimi dhe shpërndarja e Teksteve të Shenjta është rritur shumë, gjithashtu, paralelisht me zhvillimin e Bibliotekës së Referencës Bahá’í, një ndër pjesëtaret më të shquara të familjes në rritje të hapësirave në internet të lidhura me Bahai.org, e cila vetë është tashmë e arritshme në dhjetë gjuhë. Një larmi zyrash e agjencish janë ngritur, të ndodhura në Qendrën Botërore dhe në vende të tjera, të ngarkuara me mbështetjen ndaj procesit të nxënies, që po shpaloset ndër zona të shumta në të gjithë botën Bahá’í. E gjithë kjo, o motrat e vëllezërit tanë në besim, është veç një grimcë e rrëfimit që mund të tregojmë nga ato që ka sjellë në dritë devotshmëria juaj ndaj Atij Që ishte i Munduari i Botës. Ne mundemi veç t’i bëjmë jehonë fjalëve prekëse të shprehura dikur nga Mjeshtri i shumëdashur, kur, i mbytur në emocione, Ai thirri: “O Bahá’u’lláh! Çfarë ke bërë?”
*
Nga panorama e një çerek shekulli thelbësor, ne tani e kthejmë fokusin në Planin më të fundit Pesëvjeçar, një Plan pothuajse i pangjashëm me ndonjërin që ka shkuar më parë në një larmi mënyrash. Në këtë Plan, ne i nxitëm Bahá’í·të e botës të bazohen në gjithçka që kanë mësuar gjatë njëzetë viteve të mëparshme dhe ta vinin atë në veprim të plotë. Jemi të ngazëllyer që shpresat tona, në lidhje me këtë, mëse u përmbushën, por, ndërsa natyrshëm do të prisnim gjëra të mëdha nga pasuesit e Bukurisë së Bekuar, karakteri i asaj që u arrit përmes përpjekjeve të tyre herkuliane ishte me të vërtetë befasuese. Ishte lapidari për nje arritje që kërkoi njëzetë e pesë vite.
Plani ishte veçanërisht i paharrueshëm, sepse u nda në tri pjesë nga dy dyqindvjetorë të shenjtë, ku secili prej tyre i elektrizoi komunitetet lokale në të gjithë botën. Shoqëria e besnikëve tregoi, në një shkallë të padëshmuar më parë dhe me lehtësi relative, kapacitet për t’i angazhuar njerëzit nga të gjithë sektorët e shoqërisë në nderimin e jetës së një Manifestimi të Perëndisë. Ai ishte një tregues i fuqishëm i diçkaje më të gjerë: aftësisë për t’i kanalizuar e për t’i çliruar energjitë shpirtërore të jashtëzakonshme për përparimin e Kauzës. Kaq madhështore ishte përgjigja, sa në shumë vende Besimi u shty jashtë errësirës në nivel kombëtar. Në mjedise ku nuk pritej, madje të pakërkuara, pranueshmëria e shquar ndaj Besimit u bë e dukshme. Me mijëra e mijëra u ngritën peshë prej takimit të tyre me frymën devocionale që është sot karakteristikë e komuniteteve Bahá’í kudo. Vizioni i asaj që bëhet e mundur duke mbajtur një Ditë të Shenjtë Bahá’í u zgjerua pamasë.
Arritjet e Planit, thjesht në terma numerike, i eklipsuan shpejt ato të të gjitha Planeve që i paraprinë atij që prej vitit 1996. Në fillim të Planit, kapaciteti ekzistonte për të zhvilluar pak më shumë se 100 000 aktivitete bazë në një kohë të caktuar, një kapacitet që ishte fryt i njëzetë viteve përpjekje të përbashkët. Tani, 300 000 aktivitete bazë po mbështeten menjëherë. Pjesëmarrësit në ato veprimtari i kanë kaluar dy milionët, që është gjithashtu, një rritje trefishe. Ekzistojnë 329 institute trajnimi kombëtare e rajonale në veprim dhe kapaciteti i tyre provohet nga fakti se tre të katërtat e një milioni njerëzish janë mundësuar të përfundojnë të paktën një libër të rendit; në përgjithësi, numri i kurseve të përfunduara nga individët është tani, gjithashtu, dy milionë—një rritje gati me një të tretën në pesë vite.
Intensiteti i shtuar me të cilin po ndiqen programet e rritjes në mbarë botën, tregon një histori mbresëlënëse të vetën. Në këtë kohëzgjatje pesëvjeçare, ne patëm bërë thirrje që rritja të përshpejtohej në secilën nga 5000 zonat ku kishte nisur. Kjo domosdoshmëri u bë shtysa për përpjekje të zellshme në mbarë botën. Si rezultat, numri i programeve intensive të rritjes u mëse dyfishua dhe tani kap përafërsisht 4000. Vështirësitë e përfshira në hapjen e fshatrave e lagjeve të reja ndaj Besimit në mesin e një krize shëndetësore globale, ose në zgjerimin e veprimtarive që ishin në një fazë të hershme, kur pendemia nisi, e parandaluan arritjen e një totali edhe më të lartë gjatë vitit përfundimtar të Planit. Megjithatë, ka shumë për t’u treguar rreth kësaj. Në fillim të Planit, ne kishim shprehur shpresën që një numër zonash, ku miqtë e kishin kaluar gurin e tretë kilometrik përgjatë vazhdimësisë së rritjes, si rezultat i nxënies se si të mirëpritet një numër i madh në përqafimin e veprimtarive të tyre, do të rriteshin me më shumë se qindra. Ai total, atëherë, qëndronte tek rreth 200, i shpërndarë në rreth 40 vende. Pesë vite më pas, ky numër është rritur mahnitshëm në 1000 në pothuajse 100 vende—një çerek i të gjitha programeve intensive të rritjes në botë dhe një arritje që i tejkaloi pritshmëritë tona. Dhe, megjithëkëtë, edhe këto shifra nuk i zbulojnë majat e larta në të cilat komuniteti është ngritur. Ekzistojnë mëse 30 zona, ku numri i aktiviteteve bazë që po mbështeten i ka kaluar 1000; në vende, totali është disa mijëra, duke përfshirë pjesëmarrjen e më shumë se 20 000 njerëzve në një zonë të vetme. Një numër në rritje Asamblesh Shpirtërore Lokale po e mbikëqyrin tani shpalosjen e programeve edukuese, që përkujdesen për pothuaj të gjithë fëmijët dhe paratërinjtë e një fshati; i njëjti realitet po fillon të shfaqet brenda lagjeve urbane. Angazhimi me Revelacionin e Bahá’u’lláh·ut, në raste të shquara, i ka kapërcyer individët, familjet dhe farefisin e gjerë—ajo që po dëshmohet është lëvizja e popullatave drejt një qendre të përbashkët. Me raste, armiqësi të vjetra ndërmjet grupeve kundërshtare po lihen pas dhe struktura e dinamika të caktuara shoqërore po shndërrohen nën dritën e mësimeve hyjnore.
Ne s’mund të rrimë pa u lumturuar nga përparime kaq mbresëlënëse. Fuqia shoqëri-ndërtuese e Besimit të Bahá’u’lláh·ut po shfaqet me gjithnjë e më shumë qartësi dhe ky është një themel i palëkundur mbi të cilin do të ngrihet Plani Nëntëvjeçar i ardhshëm. Zonat me forcë të shquar, siç qe shpresuar, kanë provuar të jenë rezervuare dijesh e burimesh për fqinjët e tyre. Dhe rajonet ku ekzistojnë më shumë se një zonë e tillë, i kanë zhvilluaar më lehtësisht mjetet për të përshpejtuar rritjen në zonë pas zone. Ne ndiejmë se duhet ta theksojmë sërish, gjithësesi, që progresi ka qenë thuajse universal; ndryshimi në progres ndërmjet një vendi e një tjetri është te shkalla. Të kuptuarit kolektiv të komunitetit rreth procesit të hyrjes me trupa dhe vetëbesimi i tij në të qënurit i aftë për ta stimuluar këtë proces nën çdo grup rrethanash është rritur në nivele që ishin të paimagjinueshme në dekadat e shkuara. Pyetjet e thella që rrinin pezull për kaq kohë të gjatë dhe të cilat erdhën në fokus të mprehtë në vitin 1996, kanë marrë përgjigje bindshëm nga bota Bahá’í. Ekziston një brez besimtarësh, tërë jetët të cilëve mbartin vulën e progresit të komunitetit. Por shkalla e dukshme e asaj që ka ndodhur në ato zona të shumta ku kufijtë e nxënies po zgjerohen, e ka kthyer një përparim domethënës në procesin e hyrjes me trupa në një shumë të rëndësishëm me përmasa historike.
Shumë janë të familjarizuar me mënyrën se si Ruajtësi i ndau Periudhat e Besimit në epoka vijuese; epoka e pestë e Periudhës Formuese nisi në vitin 2001. Më pak i njohur është fakti që Ruajtësi bëri, gjithashtu, referencë specifike se ka epoka të Planit Hyjnor dhe etapa brenda atyre epokave. I mbajtur pezull për dy dekada, ndërkohë që po ngriheshin e po forcoheshin organet lokale e kombëtare të Rendit Administrativ, Plani Hyjnor, i konceptuar nga ‘Abdu’l-Bahá·i, u inaugurua zyrtarisht në vitin 1937 me nisjen e etapës së parë të epokës së parë: Plani Shtatëvjeçar që Ruajtësi ia ngarkoi komunitetit Bahá’í të Amerikës Veriore. Kjo epokë e parë u mbyll pas përfundimit të Kryqëzatës Dhjetëvjeçare në vitin 1963, e cila rezultoi në ngritjen e flamurit të Besimit nëpër botë. Etapa hapëse e epokës së dytë ishte Plani Nëntëvjeçar i parë dhe jo më pak se dhjetë Plane kanë vijuar pas tij, Plane që kanë zgjatur në shtrirje nga dymbëdhjetë muaj në shtatë vite. Në agim të kësaj epoke të dytë, bota Bahá’í ishte duke dëshmuar tashmë fillimet e hershme të asaj hyrjeje me trupa në Besimin, që ishte parashikuar nga Autori i Planit Hyjnor; në dekadat pasuese, brezat e besimtarëve të devotshëm brenda komunitetit të Emrit Më të Madh kanë punuar në Vreshtin Hyjnor për të kultivuar kushtet e nevojshme për rritje të qëndrueshme, në shkallë të gjerë. Në këtë stinë të lavdishme të Riḍván·it, sa të bollshme janë frytet e atyre punëve! Dukuria e numrave të mëdhenj që i zgjerojnë veprimtaritë e komunitetit, që kapin shkëndijën e besimit dhe që ngrihen me shpejtësi për të shërbyer në skajin udhëheqës të Planit, ka ndryshuar nga të qënurit një parashikim i mbështetur nga besimi, në një realitet të përsëritur. Një avancim kaq i shquar e i dukshëm kërkon të shënohet në analet e Kauzës. Me zemra të ngazëllyera, njoftojmë që ka nisur epoka e tretë e Planit Hyjnor të Mjeshtrit. Etapë pas etape, epokë pas epoke do të shpaloset Plani i Tij, derisa drita e Mbretërisë ta ndriçojë çdo zemër.
*
Miq të shumëdashur, asnjë shqyrtim i sipërmarrjes pesëvjeçare, që e përmbylli epokën e dytë të Planit Hyjnor, nuk do të ishte i plotë pa i bërë referencë të veçantë trazirave që e shoqëruan vitin e saj të fundit dhe që akoma vazhdojnë. Kufizimet ndaj ndërveprimeve personale që u shtuan e u zbehën në shumicën e vendeve gjatë kësaj periudhe mund t’i kishin dhënë një goditetje të fortë përpjekjeve kolektive të komunitetit, ripërtëritja prej së cilës mund të kishte marrë kohë, por ka dy arsye përse nuk ka ndodhur kështu. Njëra ishte vetëdija e përhapur gjerësisht rreth detyrës së Bahá’í·ve për t’i shërbyer njerëzimit, aq më tepër në kohë rreziku e fatkeqësie. Tjetra ishte ngritja e jashtëzakonshme e kapacitetit në botën Bahá’í për t’i dhënë shprehje asaj vetëdijeje. Të mësuar ndër shumë vite për të përvetësuar modele të veprimit sistematik, miqtë e sollën krijimtarinë dhe sensin e qëllimit të tyre për të duruar një krizë të paparashikuar, ndërsa siguroheshin që qasjet e reja që ata i zhvilluan ishin koherente me kornizën që ata kishin punuar ta përsosin në Planet vijuese. Kjo nuk është për të anashkaluar vështirësitë e rënda me të cilat po përballen Bahá’í·të, njësoj si bashkatdhetarët e tyre në çdo vend; megjithatë, përgjatë vështirësive të rënda, besimtarët kanë qëndruar të fokusuar. Burimet janë kanalizuar në komunitetet në nevojë, zgjedhjet u mbajtën kudo që ishte e mundur dhe, nën të gjitha rrethanat, institucionet e Kauzës kanë vijuar me kryerjen e detyrave të tyre. Janë bërë hapa të guximshëm përpara. Asambleja Shpirtërore Kombëtare e São Tomé dhe Príncipe do të ringrihet këtë Riḍván dhe dy shtylla të reja të Shtëpisë Universale të Drejtësisë do të ndërtohen: Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Kroacisë, me selinë e saj në Zagreb, si dhe Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Timor-Leste, me selinë e saj në Dili.
Dhe kështu, Plani Njëvjeçar nis. Qëllimi dhe kërkesat e tij janë parashtruar tashmë në mesazhin tonë të dërguar në Ditën e Besëlidhjes; ky Plan, megjithëse i shkurtër, do të mjaftojë për ta përgatitur botën Bahá’í për Planin Nëntëvjeçar që do ta pasojë. Një periudhë potenciali të veçantë, që u hap njëqind vite pas revelimit të Tabelave të Planit Hyjnor, do të mbyllet së shpejti me njëqindvjetorin e Ndërrimit Jetë të ‘Abdu’l-Bahá·it, duke shënuar përfundimin e shekullit të parë të Periudhës Formuese dhe fillimin e së dytës. Shoqëria e besnikëve hyn në këtë Plan të ri në një kohë kur njerëzimi, i dëlirur nga ekspozimi i cenueshmërisë së tij, duket më i ndërgjegjshëm ndaj nevojës për bashkëpunim për t’i trajtuar sfidat globale. Gjithësesi, zakone të prapambetura të përplasjes, të interesit vetjak, të paragjykimit e të mendjengushtësisë vazhdojnë ta pengojnë lëvizjen përpara drejt unitetit, pavarësisht numrave në rritje në shoqëri, që po tregojnë me fjalë e vepra se si ata, gjithashtu, kanë etje për një pranim më të madh të njëshmërisë së qenësishme të njerëzimit. Ne lutemi që familja e kombeve të mund t’ia dalë mbanë në lënien mënjanë të dallimeve të saj në interes të së mirës së përbashkët. Pavarësisht pasigurive që mbështjellin muajt e ardhshëm, ne i përgjërohemi Bahá’u’lláh·ut t’i bëjë konfirmimet, që i kanë mbështetur pasuesit e Tij për kaq gjatë, edhe më të bollshme, që ju të mund të çoheni përpara në misionin tuaj, qetësia juaj të mos trazohet nga turbullirat e botës, nevoja e së cilës është gjithnjë e më akute për mesazhin e Tij shërues.
Plani Hyjnor hyn në një epokë të re e në një etapë të re. Fleta u kthye.
Një vit përgatitjeje dhe reflektimi, si edhe orvatjeje të madhe, ka përfunduar, i shquar nga përpjekjet e miqve në mbarë botën për ta shënuar njëqindvjetorin e Ngjitjes së ‘Abdu’l-Bahá·it, përfshirë duke dërguar përfaqësues për të marrë pjesë në një ngjarje të veçantë për Ta nderuar Atë në Tokën e Shenjtë. Përmes këtyre përpjekjeve, frymëzimi i ofruar nga jeta e ‘Abdu’l-Bahá·it është ndjerë nga shpirtra të panumërt dhe jo vetëm Bahá’í. Interesimi i Tij për çdo anëtar të familjes njerëzore, puna e Tij në mësimdhënie, përkrahja e Tij e ndërmarrjeve për arsim dhe mirëqenie shoqërore, kontributet e Tij të thekshme ndaj bisedave si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, nxitja e Tij e përzemërt e shestimeve për ndërtimin e Shtëpive të Adhurimit, dhënia trajtë nga Ai për format e hershme të administratës Bahá’í, kultivimi nga ana e Tij i anëve të ndryshme të jetës bashkësiore - të gjitha këto anë plotësuese të jetës së Tij qenë një pasqyrim i kushtimit të Tij të vijueshëm dhe të plotë ndaj të shërbyerit e Perëndisë dhe të shërbyerit e njerëzimit. Përtej të qenët e një figure vigane autoriteti moral dhe rrokjeje shpirtërore të pakundshoqe, ‘Abdu’l-Bahá·i ishte një kanal i dëlirë, përmes të cilit këto forca që u lëshuan nga Zbulesa e Bahá’u’lláh·ut mund të vepronin mbi botën. Për ta kuptuar fuqinë shoqëri-ndërtuese të zotëruar nga Besimi, nuk ka nevojë të shihet më tej sesa arritjet e ‘Abdu’l-Bahá·it gjatë shërbesës së Tij dhe ndikimeve shndërruese të udhëheqjes që rridhte në mënyrë të pandërprerë nga pena e Tij. Kaq shumë prej përparimeve mahnitëse të bëra nga bashkësia Bahá’í e sotshme - të cilat u trajtuan në mesazhin tonë drejtuar juve në Riḍván·in e fundit - e gjurmojnë zanafillën e tyre te veprat, vendimet dhe udhëzimet e ‘Abdu’l-Bahá·it.
Sa e përshtatshme, atëherë, që vepra e përbashkët e bashkësisë Bahá’í në nder të Shembullit të saj të përkryer të përbëjë paraprirjen për fillimin e saj të një ndërmarrjeje madhore të përqendruar në lëshimin e fuqisë shoqëri-ndërtuese të Besimit në masa gjithnjë e më të mëdha. Fushat e përpjekjes që bien përbrenda fushëveprimit të Planit Nëntëvjeçar dhe të vargut të tanishëm të Planit, janë të drejtuara ndaj përmbushjes së këtij synimi gjithëpërfshirës. Ai është gjithashtu vatra e më shumë se 10’000 konferencave të mbajtura përreth globit për të shënuar nisjen e kësaj ndërmarrjeje të madhe shpirtërore. Këto konferenca, që pritet të mirëpresin numra të padëgjuar pjesëmarrësish, po sjellin së bashku jo vetëm Bahá’í, por shumë dashamirës të njerëzimit, të cilët ndajnë me ta një dëshirim për ta brumosur unitetin dhe për ta përmirësuar botën. Vendosmëria e tyre dhe ndjesia e fortë e qëllimit pasqyrohen në shpirtin e lindur në mbledhjet që kanë ngjarë tashmë, ku pjesëmarrësit janë nxitur po aq nga konsultimet e gjalla, të cilave u kanë kontribuar, sa edhe nga vizioni i përbashkët i hulumtuar në këto ndodhi të hareshme. Ne mbështetemi me pritje të etur në atë çka do të sjellin muajt dhe vitet e ardhshëm.
Që kur i drejtuam mesazhin tonë të 30 dhjetorit 2021 Konferencës së Këshilltarëve, Asambletë Shpirtërore Kombëtare dhe Këshillat Bahá’í Krahinorë kanë qenë duke i vlerësuar me zell mundësitë për të intensifikuar procesin e rritjes në grumbujt e juridiksionit të tyre gjatë Planit Nëntëvjeçar. Ne e ndiejmë se mund të jetë ndihmuese, për qëllimin e matjes së zhvillimit të bërë ndër kohë, për ta parë Planin që shpaloset në dy faza prej kohëzgjatjesh katër- dhe pesëvjeçare dhe Asambletë Kombëtare u ftuan për t’i përfillur përparimet që ata presin të shohin në bashkësitë e tyre përkatëse deri në Riḍván·in e 2026·ës dhe pastaj deri në Riḍván·in e 2031·shit. Ky ushtrim gjithashtu përfshiu një rivlerësim të kufijve të grumbujve dhe përfundimi i këtyre ndryshimeve të vogla është që numri i përgjithshëm i grumbujve në botë tani është rritur me një çerek dhe tashmë qëndron mbi 22’000. Duke gjykuar nga parashikimet e marra, vlerësohet që, deri në fund të Planit, do të ekzistojë një program rritjeje në çfarëdolloj shkalle zhvillimi në rreth 14’000 prej këtyre grumbujve. Ndër këto, numri ku programi i rritjes mund të përfillej si intensiv parashikohet të rritet në 11’000 gjatë së njëjtës periudhe kohore. Dhe, ndër këto, pritet që numri i grumbujve ku është kaluar guri i tretë kilometrik do të rritet mbi 5’000 deri në 2031·shin. Pa dyshim, bërja e përparimeve të tilla do të përfshijë përpjekje vigane përgjatë tërë kohëzgjatjes së Planit. Sidoqoftë, këto na duken si aspirata të denja për të cilat duhet orvatur, sepse ato paraqesin një vlerësim ambicioz, por serioz, të asaj që gjendet brenda mundësive.
Kjo është domethënëse. Synime të tilla nuk do të mund të shqyrtoheshin në mënyrë realiste nëse institucione dhe agjenci administrative nuk do të kishin evoluar dukshëm, duke i pajisur ato me aftësi të ngritura ndjeshëm për të mbarërenduar çështjet e bashkësisë, veprimtaritë e së cilës janë shumëfishuar kaq shpejt, duke përqafuar një numër shumë të gjerë dhe në rritje shpirtrash të ngjashëm. Nuk do të ishte e mundur të aspirohej për rritje të këtillë, nëse një dëshirë për të mësuar - për të vepruar, për të reflektuar, për të zënë rrokje dhe për t’i thithur rrokjet që po shfaqen tjetërkund - nuk do të ishte kultivuar në të gjitha shkallët, duke u shtrirë deri në bazën e bashkësisë. Dhe përpjekjet e nënkuptuara nga parashikimet, vështirë se do të ishin të mundshme nëse nuk do të ishte shfaqur gjithnjë e më shumë një qasje sistematike ndaj punës së mësimdhënies dhe zhvillimit të burimeve njerëzore në botën Bahá’í. Gjithë kjo ka shkaktuar një përparim në ndërgjegjshmërinë e bashkësisë Bahá’í të identitetit dhe qëllimit të vetë. Një vendosmëri për të qenë jashtëpamës në procesin bashkësi-ndërtues qe bërë që më parë një anë e njohur e kulturës në shumë, shumë vende; tashmë ka lulëzuar, në një numër në rritje bashkësish, në një ndjesi të vërtetë përgjegjësie për zhvillimin shpirtëror dhe material për grupe gjithnjë e më të mëdha në shoqëri, shumë përtej anëtarësisë së vetë bashkësisë Bahá’í. Përpjekjet e miqve për të ndërtuar bashkësi, për t’u përfshirë në veprime shoqërore dhe për të kontribuar në bisedat mbizotëruese të shoqërisë janë shkrirë në një ndërmarrje të përbotshme, lidhur së bashku nga një kornizë e përbashkët për veprim, përqendruar në të ndihmuarit e njerëzimit për t’i vendosur çështjet e tij në një themel parimesh shpirtërore. Domethënia e zhvillimeve që kemi përshkruar, duke arritur në këtë pikë njëqind vite pas përurimit të Rendit Administrativ, nuk mund të ngelet pa u vënë re. Në ngritjen e jashtëzakonshme në aftësi që ka ndodhur në dy dhjetëvjeçarët e fundit - dhe që e ka mundësuar botën Bahá’í për t’i parë përpjekjet e saj nga pikëpamja e lëshimit të fuqisë shoqëri-ndërtuese të Besimit - ne shohim dëshmi të pakundërshtueshme që Çështja e Perëndisë ka hyrë në epokën e gjashtë të Periudhës Formuese së saj. Ne lajmëruam Riḍván·in e fundit që dukuria e numrave të mëdhenj që marrin pjesë në veprimtari Bahá’í, duke u ndezur nga besimi dhe duke fituar zotësitë dhe aftësitë për t’i shërbyer bashkësisë dëshmoi që epoka e tretë e Planit Hyjnor të Mjeshtrit kishte filluar; kështu, Plani Njëvjeçar, në zanafillën e tij atëherë dhe në përfundim tani, tashmë shënon një tërësi përparimesh historike të arritura nga grupimi i besnikëve. Dhe në pragun e një ndërmarrjeje të re, të fuqishme, ky trup besimtarësh të bashkuar qëndron i gatshëm për t’i mbërthyer mundësitë e hapura gjerë para tij.
Një veçori e mirënjohur e epokës që përfundon tani qe ngritja e së fundit prej Shtëpive të Adhurimit kontinentale dhe nisja e shestimeve për vendosjen e Shtëpive të Adhurimit në shkallët kombëtare dhe vendore. Shumë është nxënë, nga Bahá'í·të në mbarë botën, rreth konceptit të Mashriqu’l-Adhkár·it dhe bashkimit të adhurimit dhe shërbimit që ai mishëron. Përgjatë epokës së gjashtë të Periudhës Formuese, do të mësohet shumë më tepër rreth shtegut që shpie nga zhvillimi përbrenda një bashkësie të një jete devotshmërie në lulëzim - dhe shërbimi që e frymëzon - te dalja në dritë e një Mashriqu’l-Adhkár·i. Po fillojnë konsultime me Asamble Shpirtërore Kombëtare të ndryshme dhe, ndërsa këto zhvillohen, ne do të lajmërojmë në mënyrë periodike vende ku do të ngrihet një Shtëpi Adhurimi Bahá’í në vitet në vijim.
Hareja jonë, teksa shohim bashkësinë e Emrit më të Madh, duke fituar gjithnjë e më shumë forcë, zbutet nga brenga jonë e thellë tek shohim ngulmin e kushteve dhe konflikteve në botë në botë që shkaktojnë mjerim dhe vuajtje të dëshpëruar - në veçanti, duke vëzhguar rishfaqjen e forcave shkatërrimtare të cilat i kanë çrregulluar çështjet ndërkombëtare ndërsa kanë ngjallur lemeri nëpër popullsi. Ne e dimë mirë dhe jemi të sigurt që, ashtu siç kanë treguar në mënyrë të përsëritur në shumë kontekste të ndryshme, pasuesit e Bahá'u'lláh·ut janë të përkushtuar për të ofruar lehtësim dhe mbështetje për njerëzit përreth tyre, pavarësisht se sa të ngushtuara qofshin rrethanat e vetë tyre. Por, derisa njerëzimi si një i tërë, të ndërmarrë që t’i vendosë çështjet e tij në themelet e drejtësisë dhe të vërtetësisë, është, medet, i paracaktuar të çalojë nga një krizë në një tjetër. Ne lutemi që, nëse shpërthimi i kohëve të fundit i luftës në Europë do të nxjerrë ndonjë mësim për të ardhmen, do të shërbejë si një kujtesë e ngutshme e rrjedhës që duhet të marrë bota nëse do të arrijë paqe të sinqertë dhe të qëndrueshme. Parimet e shqiptuara nga Bahá’u’lláh·u ndaj monarkëve dhe presidentëve të kohës së Tij dhe përgjegjësitë me peshë të cilat u ngarkoi sundimtarëve të së shkuarës dhe të tanishëm, ndoshta janë ende më me vend dhe të domosdoshme sot sesa ishin kur ato u shënuan për herë të parë nga Pena e Tij. Për Bahá’í·të, përparimi i pandalshëm i Planit të Madh të Perëndisë - duke sjellë me vete peripeci dhe trazira, por së fundi duke e shtyrë njerëzimin drejt drejtësisë, paqes dhe unitetit - është konteksti në të cilin shpaloset Plani i Vogël i Perëndisë, me të cilin merren kryesisht besimtarët. Gjendja jofunksionale e shoqërisë së sotshme e bën nevojën për lëshimin e fuqisë shoqëri-ndërtuese të Besimit të qartë dhe të ngutshme në mënyrë të bollshme. Ne nuk mund të presim gjë tjetër, tani për tani, veçse që trazirat dhe shqetësimet do të vazhdojnë ta vrerosin botën; pa dyshim ju do të çmoni, atëherë, pse çdo përgjërim i zellshëm që ne ofrojmë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të lehtësohen nga hutimi dhe vështirësitë e hidhura shoqërohet me një lutje po aq të përzemërt për suksesin e shërbimit shumë të nevojshëm që po i bëhet Çështjes së Princit të Paqes.
Në çdo grumbull ku veprimtaritë e Planit po fitojnë vrull, ne shohim zhvillimin e bashkësisë me veçoritë fisnike që përshkruam në mesazhin e 30 dhjetorit 2021. Ndërsa shoqëri përjetojnë trysni të llojeve të ndryshme, pasuesit e Bukurisë Abhá duhet të dallojnë gjithnjë e më shumë për cilësitë e aftësisë për rimëkëmbje dhe arsyetim, për standardin e tyre të sjelljes dhe të arsyetimit, për dhembshurinë, shkëputjen dhe vetëpërmbajtjen që ata tregojnë në kërkim të unitetit. Në mënyrë të përsëritur, veçoritë dalluese dhe qasjet e treguara nga besimtarët në periudha vështirësish të mprehta i kanë nxitur njerëzit të kthehen drejt Bahá’í·ve për shpjegim, këshillim dhe mbështetje, veçanërisht kur jeta e një shoqërie është përmbysur nga rreziku dhe përçarjet e paparashikuara. Në ndarjen e këtyre vëzhgimeve, ne jemi të ndërgjegjshëm që vetë bashkësia Bahá’í gjithashtu përjeton ndikimet e forcave të shpërbërjes në punë sot. Për më tepër, ne jemi të vetëdijshëm që sa më të mëdha të jenë përpjekjet e miqve për ta përkrahur Fjalën e Perëndisë, aq më të forta do të jenë forcat kundërvepruese që ata do të ndeshin, më herët a më vonë, nga anë të ndryshme. Ata duhet t’i përforcojnë mendjet dhe shpirtrat e tyre kundër provave që me siguri do të vijnë, se mos këto dëmtojnë vërtetësinë e përpjekjeve të tyre.
Ne ndiejmë hare të jashtëzakonshme që i drejtohemi një bashkësie, fisnikëria dhe vendosmëria e lartë e së cilës i kanë hije thirrjes së saj të lartë. Sa e madhe, sa shumë e madhe është dashuria jonë për ju dhe si fluturojnë lart shpirtrat tanë ndërsa shohim orvatjen tuaj të devotshme për të jetuar jetë të cilave u është dhënë trajtë nga Mësimet e Bahá’u’lláh·ut dhe për t’ia ofruar ujërat jetëdhënëse të Zbulesës së Tij një bote që është tejet e etur. Ndjesia juaj e fortë e qëllimit është e qartë. Zgjerimi dhe përforcimi, veprimet shoqërore dhe pjesëmarrja në bisedat e shoqërisë vazhdojnë shpejt dhe bashkëqëndrimi i natyrshëm i këtyre ndërmarrjeve në shkallën e grupimit* po bëhet më i dukshëm. Askund nuk është më e qartë kjo sesa në vende ku numra në rritje po bëhen më të përfshirë në një sërë përpjekjesh - secila një mjet për të lëshuar fuqinë shoqëri-ndërtuese të Besimit.
Në dymbëdhjetë muajt që kanë kaluar nga fillimi i Planit Nëntëvjeçar, jemi gëzuar të shohim sesi kjo ndërmarrje shpirtërore e përbotshme i ka frymëzuar dhe nxitur miqtë dhe u ka dhënë shtysë vijave të veçanta të veprimit. Një përqendrim i menjëhershëm ka qenë vendosja në veprim e planeve për të siguruar që, në çdo vend dhe çdo krahinë, të shfaqet të paktën një grupim ku është kaluar guri i tretë kilometrik: një vend ku numra të lartë njerëzish po punojnë së bashku dhe po kontribuojnë për jetën e një bashkësie të këndellur. Të vetëdijshëm, sidoqoftë, se qëllimi për këtë periudhë njëzetepesëvjeçare është vendosja e një programi të përqendruar të rritjes në çdo grupim në botë, besimtarët, gjithashtu, kanë filluar të hapin grupime të reja ndaj Besimit si edhe t’i përqendrojnë përpjekjet në vende me një program ekzistues të rritjes. Gjendet një ndërgjegjshmëri e lartësuar e mundësisë që të ngrihen pionierë në të gjitha anët e botës - shumë shpirtra të devotshëm po përfillin si mund t’i përgjigjen kësaj mundësie dhe shumë të tjerë tashmë kanë mbushur poste, në mënyrë të dukshme brenda vendit, por gjithnjë e më shumë edhe në fushën ndërkombëtare. Kjo është një nga disa mënyra, në të cilat, siç patëm shpresuar, po shprehet një frymë mbështetjeje të ndërsjellë nga miqtë gjithandej. Bashkësitë forca e të cilave është rritur tashmë, ia kanë kushtuar veten mbështetjes së përparimit që po ndodh diku tjetër - në një tjetër grupim, krahinë, vend ose madje edhe kontinent - dhe janë gjetur mënyra krijuese për të ofruar nxitje nga larg dhe për të mundësuar ndarjen e drejtpërdrejtë të përvojave. Ndërkohë, po ushtrohet gjerësisht qasja themelore e zënies së asaj çka po nxënë në një grupim, në mënyrë që të mund t’i informojë planet e bëra në shkallën vendore dhe tjetërkund. Jemi kënaqur të shohim se po i kushtohet vëmendje e veçantë nxënjes rreth mënyrës sesi të përmirësohet cilësia e përvojës arsimore të ofruar nga instituti. Kur procesi i institutit zë rrënjë në një bashkësi, ndikimet e tij janë të habitshme. Dëshmoni, për shembull, ato qendra veprimtarie të përqendruar ku banorët kanë arritur ta shohin institutin përgatitës si një mjet të fuqishëm që është i tyre: një mjet, për zhvillimin e shëndoshë të të cilit
Qendra Botërore Bahá’í • Kutia Postare 155 • 31001 Haifa, Izrael
Tel: +972 (4) 835 8358 • Adresa elektronike: [email protected]
ata kanë marrë përsipër përgjegjësinë kryesore. Duke ditur mirë që dyert e Besimit qëndrojnë gjithnjë të hapura gjerësisht, besimtarët po mësojnë si t’u japin nxitje atyre që janë të gatshëm për të hyrë. Të ecurit me shpirtra të tillë dhe të ndihmuarit që ta kapërcejnë pragun, është një privilegj dhe një hare e veçantë; në çdo kontekst kulturor, ka shumë për të mësuar rreth dinamikave të këtij çasti kumbues njohjeje dhe përkatësie. Dhe nuk mbaron me kaq. Ndërsa në shumë grupime përpjekjet për të kontribuar në shndërrimin shoqëror janë në fazat e tyre më të hershme, Asambletë Shpirtërore Kombëtare, të mbështetura si gjithnjë prej Këshilltarëve në mënyrë të aftë, po kërkojnë në mënyrë vepruese të nxënë me shume rreth mënyrave si këto përpjekje shfaqen nga procesi bashkësi-ndërtues. Nëpër grupime familjesh dhe në bashkësi, po kultivohen bisedime rreth mirëqenies shoqërore dhe lëndore të një populli, ndërsa miqtë gjithashtu po gjejnë mënyra për të marrë pjesë në biseda kuptimplote që po shpalosen në mjedisin e tyre rrethues.
Midis gjithçkaje që ne kemi përshkruar, veprimet e rinisë shkëlqejnë me llamburitje. Larg nga të qenët thjesht përthithës të ndikimeve - qoftë ndikimi i mirë ose i një tjetër soji, ata e kanë dëshmuar veten protagonistë të patrembur dhe mendjemprehtë të Planit. Atje ku bashkësia i ka parë në këtë dritë dhe i ka krijuar kushtet për përparimin e tyre, rinia, e ka justifikuar më së miri besimin që u është treguar. Ata po ua mësojnë Besimin miqve të tyre dhe po e bëjnë shërbimin themelin e miqësive më kuptimplote. Shpesh, një shërbim i tillë merr trajtën e arsimit të atyre më të rinj se vetja e tyre - duke u ofruar jo vetëm arsim moral dhe shpirtëror, por shpesh edhe mbështetje me shkollimin e tyre. Të ngarkuar me një përgjegjësi të shenjtë për ta forcuar procesin e institutit, të rinjtë Bahá’í po i përmbushin shpresat që ne kemi për zemër.
Skena për të gjitha këto përpjekje është një periudhë thellësisht e luhatur. Gjendet pranim i përhapur që strukturat e ditës së sotme të shoqërisë janë të keqpërgatitura për t’i zgjidhur nevojat e njerëzimit në mundin e tij të tanishëm. Shumë gjëra për të cilat gjerësisht merrej si e vërtetë që ishin të sigurta dhe të patundshme po vihen në dyshim dhe tronditja pasuese po zgjon një mall për një vizion bashkues. Kori i zërave të ngritur në mbështetje të njëshmërisë, barazisë dhe drejtësisë tregon sa shumë vetë i ndajnë këto aspirata për shoqëritë e tyre. Sigurisht, nuk është për t’u habitur për një pasues të Bukurisë së Bekuar që zemra të digjen për idealet shpirtërore që Ai parashtroi. Por, megjithatë, na duket mbresëlënëse që, në një vit kur perspektiva e përparimit të përbashkët të njerëzimit rrallëherë janë dukur më të zymta, drita e Besimit shndriti me shkëlqim në më shumë se dhjetë mijë konferenca, ku morën pjesë pothuaj një milion e gjysmë njerëz, të përqendruar në mjetet për përkrahjen e po atyre idealeve. Vizioni i Bahá’u’lláh·ut dhe nxitja e Tij për njerëzimin që të punojë në unitet për përmirësimin e botës, qe qendra rreth së cilës elementët e gjithfarshme të shoqërisë u mblodhën me zell - dhe nuk është për t’u habitur, sepse, siç e shpjegoi Abdu’l-Bahá·i: “Çdo bashkësi në botë gjen në këto Mësime Hyjnore përmbushjen e aspiratave të saj më të larta.” Disa dashamirës të njerëzimit në fillim mund të tërhiqen te bashkësia Bahá’í si një vend strehimi, një strehë nga një botë e polarizuar dhe e gjymtuar. Megjithatë, përtej një strehe, ajo çka ata gjejnë janë shpirtra të ngjashëm që ushtrohen së bashku për ta ndërtuar botën në një trajtë të re.
Shumë mund të shkruhet rreth përhapjes gjeografike të konferencave, shtysës së jashtëzakonshme që i dhuruan Planit të ri, ose shprehjeve të përzemërta të haresë dhe ngazëllimit që u ngjallën tek ata që morën pjesë. Por, në këto pak rreshta kemi dëshirë ta tërheqim vëmendjen drejt asaj që ato nënkuptojnë për zhvillimin e Çështjes. Ato qenë një pasqyrim i një bashkësie Bahá’í që sheh ngjashmëri, jo ndryshime. Kjo mënyrë e të parit e bëri të natyrshme të hulumtohej Plani Nëntëvjeçar në mbledhje te të cilat qenë të mirëpritur të gjithë. Miqtë morën parasysh domethëniet për shoqëritë e tyre në praninë jo vetëm të individëve dhe familjeve, por udhëheqësve vendas dhe personalitete zyrtare gjithashtu. Sjellja së bashku në një vend e kaq shumë njerëzve, krijoi kushtet për një bisedë shndërruese rreth përparimit shpirtëror dhe shoqëror, një që po shpaloset në botën mbarë. Kontributi i veçantë që mund të bëjnë mbledhje të tilla - njëkohësisht të hapura, frymëzuese dhe të qëllimshme - në një model zhvillimi bashkësior që po zgjerohet në një grupim, është një mësim i çmuar për t’u mbajtur parasysh nga institucionet në të ardhmen.
Dhe kështu, grupimimi i besnikëve hyn në vitin e dytë të Planit me një pikëpamje të freskët dhe një rrokje të thellë të domethënies së asaj çka po përpiqen të arrijnë. Sa ndryshe duken veprimet kur shihen në dritën e fuqisë shoqëri-ndërtuese që ata lëshojnë! Kjo perspektivë në zgjerim lejon një veprimtari të qëndrueshme të shihet si shumë më tepër se një vepër e veçuar shërbimi ose thjesht një shifër. Në shumë vende, nismat që po ndiqen zbulojnë një popullsi që po nxë si të marrë përgjegjësi në rritje për ta përshkuar shtegun e zhvillimit të vet. Shndërrimi shpirtëror dhe shoqëror pasues e shfaq veten në jetën e një populli në një shumëllojshmëri mënyrash. Në vargun e mëparshëm të Planit, mund të shihej më së qarti në përhapjen e arsimit shpirtëror dhe adhurimit të përbashkët. Në këtë varg të ri Planesh, i duhet dhënë vëmendje në rritje proceseve të tjera që kërkojnë ta përmirësojnë jetën e një bashkësie për shembull, duke përmirësuar shëndetin botor**, duke mbrojtur mjedisin, ose duke vënë në përdorim në mënyrë më të frytshme fuqinë e arteve. Ajo çka nevojitet që të gjitha këto anë plotësuese të mirëqenies së një bashkësie të përparojnë është, sigurisht, aftësia për t’u përfshirë në nxënien sistematike në të gjitha këto zona - aftësi që vë në përdorim rrokjet që burojnë nga Mësimet dhe visaret e mbledhura të dijes njerëzore të përftuara nga hetimi shkencor. Ndërsa rritet kjo aftësi, shumë do të arrihet në dhjetëvjeçarët në vijim.
Ky vizion i zgjeruar, shoqëri-ndërtues ka domethënie me ndikim të gjerë. Çdo bashkësi ndodhet në shtegun e vet drejt sendërtimit të tij. Por, përparimi në një vend shpesh ka veçori të përbashkëta me përparimin në një tjetër. Një veçori është që, ndërsa rritet aftësia dhe shumëfishohen fuqitë e një bashkësie vendore ose kombëtare, atëherë, në kohën e duhur, kushtet e nevojshme për shfaqjen e një Mashriqu’l-Adhkár·i, të shpallura në mesazhin tonë të Riḍván·it 2012, do të përmbushen në fund. Siç përmendëm në mesazhin që ju drejtuam
Riḍván·in e kaluar, ne do të dallojmë në mënyrë periodike vende ku është për t’u ngritur një Tempull Bahá’í. Ne jemi të gëzuar që të thërrasim, në këtë kohë, për vendosjen e Shtëpive vendore të Adhurimit në Kançanpur, Nepal, dhe Muinilunga, Zambia. Përveç kësaj, ne thërrasim për një Shtëpi kombëtare Adhurimi që të ngrihet në Kanada, në afërsinë e Ḥaẓíratu’l-Quds·it Kombëtar të vendosur prej kohësh në Toronto. Këto projekte dhe të tjera që do të nisen në të ardhmen, do të përfitojnë nga mbështetja e dhënë ndaj Fondit të Tempujve nga miqtë në çdo vend.
Të shumta janë bekimet që një Zot dashamirës ka vendosur t’u blatojë të dashurve të Tij. Fisnike është thirrja, madhështore perspektiva. Të ngutshme janë kohët në të cilat ne të gjithë jemi thirrur për të shërbyer. Të flakta, atëherë, janë lutjet me të cilat, në emrin tuaj dhe për përpjekjet tuaja të palodhshme, ne përgjërohemi te Pragu i Bahá’u’lláh·ut.
Ndërsa mbetet veçse një vit deri në përfundimin e fazës së parë të Planit Nëntëvjeçar, mezi presim të ndajmë përparimin e tij—se si, përmes shembujve të shkëlqyer të përpjekjeve fisnike, vizioni që ofron Besimi po mbush gjithnjë e më shumë zemra me shpresë.
Procesi i rritjes vazhdon të përparojë. Përparime të dukshme kanë ndodhur në vise të ndryshme, ku më parë nuk ishte dëshmuar ndonjë zhvillim i rëndësishëm, teksa fara e Besimit ka dhënë filizat e saj të parë, dhe po shfaqet aftësia për të punuar me shumë shpirtra njëkohësisht. Këto përparime shpesh janë bërë të mundura falë pionierëve të përkushtuar, të cilët, me zemra të ndezura nga dashuria për Zotin e tyre, kanë vrapuar drejt vendeve të shërbimit në numra mbresëlënës brenda dhe jashtë vendit. Në zonat ku ka nisur tashmë një program rritjeje, i është kushtuar sërish vëmendje zbatimit, me krijimtari dhe zgjuarsi, të strategjive dhe linjave të veprimit të pranuara që do t’ua mundësojnë miqve të kapërcejnë gurët e dytë dhe të tretë kilometrikë. Dhe në zonat me forcë të dëshmuar, po bëhen gjithnjë e më të dukshme shkëlqimet e fuqisë shoqëri ndërtuese që mbart Besimi, teksa një model i gjallë dhe transformues i jetës Bahá’í përqafohet nga një numër në rritje shpirtrash të ndezur.
Ndërkohë, përfshirja me shoqërinë në nivel bazë ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara. Nismat komunitare për veprim shoqëror, të fokusuara në edukim, janë ato që janë shumëfishuar më shpejt, por edhe nisma të tjera kanë njohur përparim, në fusha si: bujqësia, shëndetësia, mjedisi, fuqizimi i grave dhe arti. Përparime të tilla janë më të dukshme në zonat më të forta, ku shumë fshatra apo lagje—madje edhe një rrugë e vetme apo një ndërtesë me shumë banorë—janë bërë shtëpi për një popullsi që po përjeton ngritjen shpirtërore dhe shoqërore që vjen nga shndërrimi i parimeve të Besimit në realitet të prekshëm. Në disa vende, udhëheqës shoqërorë dhe persona me përgjegjësi për edukimin e fëmijëve apo zhvillimin shoqëror në nivel lokal, jo vetëm që po i drejtohen Bahá’í-ve për perspektiva, por po kërkojnë bashkëpunim në kërkimin për zgjidhje praktike. Për më tepër, jemi të kënaqur të shohim që, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, qasja Bahá’í ndaj disa bisedave të rëndësishme po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje dhe admirim.
Plani Nëntëvjeçar mbështetet në një proces të gjerë dhe global të të nxënit që është po aq efektiv në malësitë e Bolivisë sa në periferi të Sidneit. Ky proces i të nxënit ka ngritur më lart strategji dhe veprime të përshtatshme për çdo mjedis. Është sistematik; është organik; është gjithëpërfshirës. Ai krijon lidhje, duke lulëzuar në marrëdhënie dinamike, mes familjesh, mes fqinjësh, mes të rinjsh dhe mes të gjithëve që janë gati të bëhen protagonistë në këtë përpjekje të lavdishme. Ai ngre komunitete të mbushura me potencial. Ai mundëson përmbushjen e aspiratave të larta, të ndara mes njerëzve që më parë ndaheshin nga gjeografia, gjuha, kultura apo kushtet, por që tani kanë dëgjuar dhe përgjigjur thirrjes universale të Bahá’u’lláh-ut për “t’u përpjekur pa pushim për përmirësimin e jetës së njëri-tjetrit”. Dhe mbështetet tërësisht në fuqinë gjallëruese të Fjalës së Perëndisë—atë “forcë bashkuese”, “lëvizëse të shpirtrave dhe lidhëse e rregulluese” në botën e njerëzimit—dhe mbi veprimin e qëndrueshëm që ajo frymëzon.
Përballë errësirës së një qielli të stuhishëm, sa e shndritshme është drita që shkëlqen nga përpjekjet tuaja të përkushtuara! Në të njëjtën kohë që furtuna përhapet furishëm nëpër botë, strehët që do të mbrojnë njerëzimin po ndërtohen në vende, rajone dhe zona. Por ka shumë për të bërë. Çdo komunitet kombëtar ka pritshmëritë e veta për përparimin që duhet të arrihet gjatë kësaj faze hapëse të Planit. Koha po kalon. Miq të dashur, përhapës të mësimeve hyjnore dhe mbrojtës të Bukurisë së Bekuar—përpjekjet tuaja nevojiten tani. Çdo përparim i bërë në muajt e pakët që mbeten para Riḍván-it të ardhshëm do ta pajisë më mirë komunitetin e Emrit Më të Madh për atë që duhet të përmbushë në fazën e dytë të Planit. Ju priftë e mbara! Për këtë ne i lutemi Zotit sovran; për këtë kërkojmë ndihmën e Tij të pagabueshme; për këtë i përgjërohemi që të dërgojë engjëjt e Tij të favorizuar për të përkrahur secilin prej jush.